EKSKLUZIVE/ “Koha për ristart të futbollit vlonjat”, kryebashkiaku Leli: Ja si do ta çojmë Flamurtarin aty ku i takon

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 23, 2020 | 23:45

EKSKLUZIVE/ “Koha për ristart të futbollit vlonjat”, kryebashkiaku Leli: Ja si do ta çojmë Flamurtarin aty ku i takon

Ndeshjen miqësore me të rinjtë e Flamurtarit e ndoqi nga tribuna edhe Dritan Leli, kryebashkiaku i Vlorës. Ai sërish ka shprehur gatishmërinë e institucionit që drejton për ngjitjen sa më shpejt të Flamurtarit në Superiore. Në një prononcim ekskluziv për “Panorama Sport”, kryebashkiaku Leli tha se ka kontakte të vazhdueshme me administratorin Sinan Idrizi për t’i dhënë zgjidhje çdo problematike të ekipit.

Sinan-Idrizi-Dritan-Leli-750x430

“Me administratorin Idrizi ka ekzistuar gjithmonë një klimë pozitive bashkëpunimi. Jemi duke u përpjekur që rast pas rasti të shikojmë zgjidhjet më oportune, në mënyrë që të gjejmë të gjithë mekanizmat pozitivë për të pasur një ringritje të Flamurtarit. Mbështetja ime personale dhe e Bashkisë së Vlorës nuk ka për të munguar asnjëherë. Fusha e blertë gjithmonë ka surprizat e veta, ndonjëherë jo të këndshme, siç është rasti aktual i rënies së ekipit nga Superiorja. Megjithatë, e rëndësishme është që në klub ka një frymë pozitive.

Kjo është garancia që besoj se risjell dëshirën për ta parë Flamurtarin me rezultate më të mira. Me një bashkëpunim mes bashkisë dhe administratorit të klubit do të arrijmë ta ngremë ekipin. Jam në takime të shpeshta me administratorin Idrizi, ku po shikojmë të gjitha problematikat dhe po diskutojmë për zgjidhjet më të mira. Shpreh bindjen time se do ta çojmë Flamurtarin aty ku i takon”, është shprehur kryebashkiaku Leli.

Dritan Leli, Sinan Idrizi

AKADEMIA – Qytetari i parë i Vlorës tha më tej se është momenti i evidentimit të elementëve të spikatur të akademisë së Flamurtarit, ndërsa ka premtuar edhe realizimin e projektit “Vlora Sport”. “Pranova me kënaqësi ftesën për të qenë në stadium, për të ndjekur atë ndeshje simpatike brenda familjes mes Flamurtarit dhe ekipit të 19-vjeçarëve. Vlen për t’u përshëndetur iniciativa për të gjetur elementë të spikatur nga të rinjtë.

Kjo vlen në kuadër të të gjithë asaj që ne duam të realizojmë në kuadër të projektit ‘Vlora Sport’, një investim që vlonjatët e presin prej shumë kohësh. Është një investim i rëndësishëm në fushën e sportit në Pyllin e Sodës, me dëshirën e madhe që të krijohet një akademi e mirëfilltë sportive mbi një territor dhe mbi një ADN të konsoliduar në drejtim të futbollit që vlonjatët e kanë dhuratë nga natyra. Të gjitha këto iniciativa i shërbejnë një ristarti të futbollit në qytet dhe për Flamurtarin gjithashtu”, përfundoi kryebashkiaku i Vlorës, Dritan Leli.

ERMAL SIKA  – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"