EKSKLUZIVE/ Kobina drejt largimit nga Shqipëria, zbulohet shifra që mund të përfitojë Tirana

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 11, 2020 | 11:50

EKSKLUZIVE/ Kobina drejt largimit nga Shqipëria, zbulohet shifra që mund të përfitojë Tirana

Uinful Kobina do të shitet për 150 mijë euro nga Tirana. Lojtari i krahut të djathtë ka vendosur të largohet nga Shqipëria që në janar ose ndoshta edhe më shpejt, që këtë të mërkurë, për një aventurë të re. Pas gjyqit penal dhe vendimit, lojtari do të largohet nga vendi për të firmosur një kontratë të re me një skuadër tjetër. Katër janë opsionet për Kobinën: Rusia dhe vendet rreth saj, Kina, vendet arabike e nordike. Mediat ganeze kanë zbuluar së fundmi një zhvillim disi të papritur për sa i përket të ardhmes së anësorit të Tiranës.
KOBINAH
Sipas “massiveupdates.com”, Kobina do të largohet këtë javë nga kryeqyteti shqiptar për të bërë vizitat mjekësore dhe testimet e rastit me një klub tjetër, para se të finalizojë marrëveshjen për transferimin e tij përfundimtar në një kampionat më të mirë se ai shqiptar ose të paktën më fitimprurës financiarisht. I njëjti burim raporton se klubi në fjalë ka kërkuar prej kohësh Kobinën, por ka vendosur vetëm tani të konkretizojë marrëveshjen. Anësori i kampionëve të Shqipërisë pritet të pajiset me dokumentacionin përkatës për të lejuar udhëtimin nga Shqipëria gjatë ditës së mërkurë. Tani mbetet të mësohet vetëm emri i skuadrës ku Kobina do të transferohet. Nga ana e Tiranës është konfirmuar fakti që lojtari do të largohet nga bardheblutë dhe do të shitet në një skuadër tjetër.
kobinah
Madje, “Panorama Sport” zbulon ekskluzivisht se Tirana mund të marrë rreth 150 mijë euro nga ky operacion, i cili mbyllet këto ditë. Uinful Kobina sezonin e shkuar u kthye në një nga liderët e skuadrës. Në disa ndeshje ka qenë vendimtar për bardheblutë, teksa nuk harrohet goli në shtesë ndaj Partizanit apo gola të tjerë në kampionat. I blerë tri sezone më parë 30 mijë dollarë, Kobina është një tjetër lojtar, i cili mund të shkojë në një skuadër europiane. Vetë ai ka pranuar se kërkon një aventurë më të mirë, ndërsa Tirana i ka vënë çmim 150 mijë euro. Gjithsesi, duke parë rrethanat, Kobina do të largohet e shumta në janar. Futbollisti ka kontratë deri në fund të sezonit dhe shanset që ai të largohet me parametra zero janë të mëdha. Ganezi është ndoshta një nga lojtarët më të mirë të ardhur nga Afrika në kampin bardheblu.

OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"