EKSKLUZIVE/ Klubi i Kategorisë së Parë drejt shitjes, gati marrëveshja me kompaninë spanjolle

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 9, 2021 | 23:25

EKSKLUZIVE/ Klubi i Kategorisë së Parë drejt shitjes, gati marrëveshja me kompaninë spanjolle

Pogradeci drejt shitjes. Kur ka mbetur më pak se një muaj nga hyrja në fuqi e ligjit të sportit, bashkia ka hedhur hapa konkretë për privatizimin e klubit. Gazeta “Panorama Sport” mëson ekskluzivisht se një kompani spanjolle ka shfaqur interes për blerjen e aksioneve të liqenorëve.

pogradeci devolli

Edhe pse emri mbetet “enigmë”, përfaqësues të kompanisë në fjalë kanë nisur bisedime konkrete me kryebashkiakun Ilir Xhakolli. Janë zhvilluar 2-3 takime gjatë kësaj kohe dhe pasi numri një i institucionit vendor ka dëgjuar planin, në parim ka dhënë OK-in. Pogradecarët kanë pasur vazhdimisht donatorë, e megjithatë vitet e fundit burimi i vetëm i të ardhurave ka qenë bashkia.

Gjithsesi, prej 1 korrikut mund të ndodhë që ata të lirohen nga përgjegjësitë, ndaj edhe kanë shfaqur
gatishmërinë për transferimin e një kuote aksionesh. Nga sa mësohet, thuajse është arritur një marrëveshje mes përfaqësuesve të spanjollëve dhe presidentit të klubit (në këtë rast është kryebashkiaku).

Burime pranë institucionit vendor bëjnë me dije se zyra juridike ka nisur nga puna për të parë edhe një herë bazën ligjore që do të shpjerë drejt këtij bashkëpunimi. Nëse shkojnë drejt akordit final, asetet do t’i mbeten klubit (që do të thotë infrastruktura e stërvitjes apo stadiumit nuk janë pjesë e marrëveshjes).

Gjithsesi, vetëm në vazhdim do të mësohet më shumë. E paqartë mbetet % e aksioneve që do të shiten dhe mbi të gjitha kostoja e tyre. Mendohet se gjithçka do të mbyllet shumë shpejt dhe nëse nuk do të ketë pengesa, kjo do t’u japë mundësi drejtuesve të fillojnë sa më shpejt nga puna për ndërtimin e ekipit për sezonin 2021-2022.

ROMEO XINXIFI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"