EKSKLUZIVE/ Klodian Duro: Partizani s’ka numër 9, Tirana më e stabilizuara. Por asnjë ekip nuk dallon

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 14, 2022 | 22:33

EKSKLUZIVE/ Klodian Duro: Partizani s’ka numër 9, Tirana më e stabilizuara. Por asnjë ekip nuk dallon

Ish-futbollisti i njohur i Kombëtares sonë dhe ish-trajneri i Kukësit dhe së fundmi Feronikelit, Klodian Duro, i bën një analizë Superiores dhe ekipit përfaqësues. Për “Panorama Sport”, Duro flet për situatën te Partizani, largimin e Ilir Dajës, ecurinë e skuadrave të tjera, por edhe pa harruar mungesën e një sulmuesi kalibri në kampionatin shqiptar gjatë viteve të fundit.

klodian duro

Si një ish-lojtar i Kombëtares, si mund të na e përshkruani vitin 2021 për ekipin përfaqësues?
Në përgjithësi, ka qenë një vit i suksesshëm. Normalisht nga ndeshja në ndeshje, ishim edhe shumë afër vendit të dytë në eliminatoret e fundit. Por, në futboll kështu është, gjithë forca e ekipit ishte ajo që e vendosi edhe Poloninë në ato pozita. Me pak fat dhe ndoshta me një strategji pak më ndryshe, mund ta kishim kapur vendin e dytë. Ka qenë një vit me ecuri të mirë, si në aspektin e ekipit po ashtu edhe në rritjen e lojtarëve të rinj, që kanë arritur të tregojnë edhe ata veten e tyre.

Zhgënjimi me Poloninë dhe më pas me Anglinë lanë një shije të hidhur?
Si fillim, humbja me Poloninë dhe pastaj me Anglinë, që më shumë do ta quaja si një moment të keq psikologjik, sepse të gjitha bateritë, fokusi i të gjithë lojtarëve, stafit dhe ambientit futbollistik ishte te ndeshja me Poloninë dhe më vonë e pamë që ajo humbje la gjurmë psikologjike, që u transmetua në pjesën e parë me Anglinë. Normalisht që nuk la një shije të mirë, por me ato që bëri ekipi kombëtar këtë vit, të gjithë duhet të jenë të kënaqur.

Duro

Po problemet e Edi Rejës me Armando Brojën si i komentoni?
Gjithmonë aty ku punohet do të dalin edhe probleme. Unë e shikoj në aspektin pozitiv, problemet e tilla sjellin zhvillim dhe e çojnë ekipin përpara. Normalisht që Broja është një lojtar i ri, me kapacitet shumë të madh, por që ka ende shumë gjëra përpara për të përmirësuar. Pavarësisht se ne si shqiptarë na pëlqen një lojtar që bën diferencën, me driblimet e tij dhe aq më tepër me golat e tij, por duhet edhe të jemi me këmbë në tokë. Nga ana tjetër, Reja është një trajner me eksperiencë dhe mendoj se në atë filozofinë e tij kërkon më tepër rritjen në aspektin e ekipit, që çdo individ duhet të futet në brendësi të skuadrës.

Mendoni se do të zgjidhet shpejt kjo situatë?
Sigurisht që këto janë gjëra që ndodhin, por edhe të zgjidhshme. Kemi një talent në rritje si Broja dhe normalisht që duhet të ulen të flasin, sepse edhe ai është i ri dhe mund të gabojë, por mendoj që si Reja dhe si drejtuesit e federatës e kanë kapacitetin që ta menaxhojnë siç duhet dhe ta fusin në funksion të skuadrës. E mira e kësaj për mua është që çdo individ që ka potencial duhet me pak qetësi dhe duke folur shumë e duke e rritur atë në aspektin njerëzor, e vendos më së miri në shërbim të ekipit kombëtar. Mendoj se është vetëm çështje kohe.

Besoj se e keni ndjekur Nedim Bajramin tek Empoli dhe pak te Kombëtarja, ka një ngjashmëri në pozicion dhe lojë me ju…
Po, sigurisht që e kam ndjekur. Bajrami është një i ri që është bashkuar me ekipin tonë kombëtar. Ka treguar që ka kapacitet, po ashtu ka edhe shumë për të përmirësuar, më shumë në aspektin fizik. Normalisht, ka dhënë diçka dhe ka lënë atë pak shenjë në ekipin kombëtar, por ka ende shumë për të bërë. Mendoj që aktivizimi në Serinë A do ta rrisë më shumë, siç e ka treguar edhe në ndeshjet e fundit. Pak a shumë është edhe në atë pozicionin që unë kam luajtur, unë e shoh që duhet të punojë vetëm në aspektin fizik sepse ka shumë potencial si lojtar.

Kalojmë pak nga futbolli vendas, në Superiore pas 15 javëve kryeson Tirana dhe më pas vijnë Kukësi, Laçi e Vllaznia…
Superiorja vit mbas viti është rritur, është një kampionat i bukur për t’u ndjekur. Në këtë vit nuk kam parë një ekip që bën diferencën. Në aspektin e lojës mendoj se Tirana është më e stabilizuar dhe prandaj dhe me meritë ndodhet në krye. Normalisht që përveç lojës ka pasur stabilitet edhe në rezultate, edhe pse shumë fitore i ka pasur minimale, por ka treguar një vazhdimësi.

DURO

Ekipet e tjera?
Kukësi ka arritur të tregojë gjëra pozitive. I mungon disi vazhdimësia në marrjen e rezultateve, ka gjithashtu edhe problemin me stadiumin, sepse i ka luajtur të gjitha ndeshjet jashtë fushe. Do të jetë një kundërshtar i fortë për Tiranën. Ndërkohë, ekipet e tjera, pa harruar Laçin që është rritur shumë, nga ai fillimi i zymtë i kampionatit, ka arritur këtu, e shoh një ekip shumë të fortë. Normalisht që është edhe Vllaznia që ka cilësi.

Po Partizani? U largua trajneri Daja. Çfarë nuk shkoi sipas jush?
Mendoj se janë munduar që të krijojnë një ekip me potencial, por ndonjëherë mund të mundohesh aq shumë dhe si përfundim ke mungesë rezultatesh. Besoj se ishte kjo e fundit sepse lojërat dhe stabilitetin si skuadër e ka pasur, si në shtrirjen në fushë apo në aspektin taktik. Pastaj mungesa e rezultateve sjell probleme brenda ekipit, probleme që nga ndeshja në ndeshje dukeshin dhe jo më kot edhe shumë lojtarë patën edhe probleme, aq më tepër pastaj edhe kapiteni Hoxha apo Kaçe, që normalisht erdhi për të bërë diferencën te Partizani, por këto janë ato që shohim ne nga jashtë.

A e ka vuajtur Partizani mungesën e një sulmuesi tipik, sepse shohim që ekipet që kryesojnë kanë edhe sulmuesit e tyre në krye të listës së golashënuesve?
Jo vetëm Partizani, por edhe të gjitha ekipet e tjera e duan një sulmues të mirëfilltë, një numër 9, tipik golashënues, por mendoj se Partizanit i ka munguar ai 9-ta që bën diferencën në zonën kundërshtare, ai sulmues që bën golin dhe çon skuadrën drejt fitores. Por, tani ka kohën, edhe pse në janar është disi e vështirë të gjesh një sulmues të mirëfilltë, por nëse kërkohet, mund të arrijë ta gjejë.

Duke qenë se jemi te sulmuesit, përse nuk po nxjerr kampionati ynë një sulmues të fortë dhe të mirëfilltë, a kemi mungesë?
Është një konstatim i drejtë. Unë them se duhet t’u jepet më shumë dorë edhe futbollistëve të rinj shqiptarë, sepse mendoj se kemi futbollistë me cilësi që duan mbështetjen e trajnerit dhe klubit për t’u rritur, sepse të gjithë e kanë një fillim. Duhet të fokusohemi më tepër këtu për të rritur futbollistë të rinj dhe shembullin konkret e kemi nga Tirana që inkuadroi Ernest Muçin në gjirin e vet, dhe ai e tregoi veten e tij edhe pse ishte një lojtar i ri, bëri diferencën dhe atë transferimin te Legia e Varshavës. Ky është shembulli për t’u ndjekur nga të gjitha ekipet, por kjo varet direkt nga stafet teknike se sa besim u japin këtyre futbollistëve të rinj.

klodian duro

Aventura në Kosovë?
Sezonin e fundit e mbyllëm në Kosovë me ish-kampionët e Feronikelit, por siç e shohim edhe sot, ishte fati im i keq sepse gjendja e klubit ishte në një krizë të madhe financiare dhe me borxhe të pashlyera. Atëherë nuk ke dhe shumë mundësi që të arrish objektivat, pavarësisht që kemi bërë një punë të mirë, si lojtarët dhe stafi teknik, duke qëndruar në Superligë dhe nga Kupa u eliminuam me penallti. Por ajo krizë financiare ishte edhe motivi im i shkëputjes nga Kosova.

Do t’ju shohim së shpejti në drejtim të ndonjë ekipi?
Këtë kohë kam qëndruar pak i tërhequr, duke parë nga jashtë dhe në qetësi gjithë situatën. Normalisht që jam i fokusuar dhe me tepër motivim për t’u rikthyer në Superiore. Kam pasur edhe disa biseda dhe takime me presidentë e drejtues klubesh, por le t’ua lëmë ditëve në vazhdim.

KRISTI SEJATLLARI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"