EKSKLUZIVE/ “Kisha akord me Partizanin”, vlonjati Rrapaj: Ju tregoj pse firmosa në Korçë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 16, 2020 | 23:52

EKSKLUZIVE/ “Kisha akord me Partizanin”, vlonjati Rrapaj: Ju tregoj pse firmosa në Korçë

Arinaldo Rrapaj, një prej dëshirave të shumë klubeve në vend, tashmë është veshur bardhekuq dhe po tregon ditaditës se do të jetë elementi i sezonit te Skënderbeu.

Rapaj

Pas paraqitjeve të mira, lojtari pret fillimin e sezonit për të nisur aventurën zyrtarisht me Skënderbeun. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, vlonjati tregon arsyet që e bindën të vishej bardhekuq dhe pritshmëritë që ka për sezonin e ri.

Çfarë ju bindi të firmosnit për Skënderbeun, duke ditur vështirësitë që po kalon klubi?

Pavarësisht situatës që është duke kaluar, Skënderbeu mbetet një ekip që ka bërë histori në futbollin tonë për sa u përket paraqitjeve në Europë. Nuk ka qenë zgjedhje e vështirë, sepse është një klub që di si të motivojë dhe ka kushtet më të mira të punës në vendin tonë. Pasi e mendova dhe e bisedova me familjen dhe menaxherin, vendosa të shkoj te Skënderbeu, duke ditur që ishte edhe një ekip me emër të madh në futbollin shqiptar dhe duke ditur që do të ishte një grup i ri, i fortë, me djem të rinj.

U fol shumë gjatë verës për kalimin te Partizani dhe Tirana. Cila skuadër ishte më pranë?

Po, të them të drejtën ka pasur disa tratativa të nisura, madje edhe në fazë të avancuar. Më pranë isha me ekipin e Partizanit pasi kisha kohë në bisedime, por bllokimi i merkatos bëri të pamundur kalimin atje. Më pas erdhi kontakti me Skënderbeun dhe e pashë si mundësinë më të mirë për të vazhduar rritjen.

Çfarë prisni të arrini me Skënderbeun?

Të gjithë, si unë dhe çunat e ekipit, mendojmë vetëm të japim maksimumin në stërvitje e ndeshje dhe të fitojmë sa më shumë të jetë e mundur, sepse luajmë për një ekip të madh dhe me histori në futbollin shqiptar dhe jashtë.

Çfarë kontrate firmosët me korçarët?

Për këtë gjë më mirë të flasë klubi dhe jo unë.

Deri ku mund të arrijë ky grup i ndërtuar nga e para?

Ky grup mund të shkojë shumë lart, pasi në grup kemi lojtarë shumë cilësorë dhe që kanë dëshirë të luajnë dhe mendoj që do të jemi një ekip shumë i fortë. Me trajnerin po kuptohemi mirë dhe të gjithë kemi dëshirën për të lënë shenjën tonë këtë sezon. Shpresojmë që të jetë një sezon i mbarë dhe të dalim me sukses.

Jeni grumbulluar edhe nga kombëtarja e moshave. Cili është synimi juaj?

Jam i gëzuar që u grumbullova me ekipin kombëtar dhe sigurisht synimi im është të vazhdoj edhe me ekipin e shpresave dhe një ditë të vesh fanellën e kombëtares. Kjo është ëndrra që ka çdo lojtar dhe që mundohet ta bëjë realitet.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"