EKSKLUZIVE/ “Këtë vit gabuam pa kriter, ndoshta dikush na pengoi”, Ferko: Flamurtari kthehet i fortë, ja pse u zgjodh Çela

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 8, 2023 | 21:19

EKSKLUZIVE/ “Këtë vit gabuam pa kriter, ndoshta dikush na pengoi”, Ferko: Flamurtari kthehet i fortë, ja pse u zgjodh Çela

Alfred Ferko zbulon planin për ndërtimin e Flamurtarit të ri. Gjatë një interviste të dhënë për “Panorama Sport”, drejtori thotë se rëndësi do t’i kushtohet afrimit të futbollistëve shqiptarë, si dhe do të punohet fort me akademinë. Ai thekson se synohet një grup i fortë dhe i frikshëm.

Cela

I cilëson dështime afrimet e janarit, pavarësisht se për to u harxhuan shumë para. Ka edhe një koment për trajnerin e ri, Emiljano Çela, të cilin e ka trajnuar, ndërsa e cilëson një njeri me grintë dhe karakter të fortë.

Më shumë se pesë kandidatë për stolin, por u zgjodh Emiljano Çela. Pse pikërisht ai?

Pse vendosëm Çelën, një pyetje e bukur. I pamë me kujdes gjërat dhe vendosëm Çelën për një arsye që duke parë se ka bërë mirë me Krujën, ishte një test i mirë nga ana e tij, ka punuar mirë aty. Është një djalë që te Kastrioti ka pasur grintë.

Por natyrisht mbetet edhe karakteri i tij që ka qenë një lojtar grintoz, një çun që ka ambicie. Idetë e tij përputheshin me idetë dhe dëshirat tona, që të krijojmë një ekip akoma më të fortë, akoma më luftarak dhe kjo ishte besoj edhe ideja që të merrnim një moshë të re që ka dëshirë të punojë.

Çela tha për gazetën se po përjeton një “deja vu” ku ju e prezantuat, njësoj si në vitin 2004, kur erdhi si lojtar…

Natyrisht që… (qesh) ishte një moment i bukur. Një djalë i ri që vinte për herë të parë dhe prezantohej në një ekip si Flamurtari.

Më vjen mirë që kam qenë ai, i cili e futi në atë rrugë që e kishte nisur, por e futëm në ato sallonet profesioniste. Aty ka filluar rrugëtimin e tij duke pasur një karrierë të suksesshme. I uroj suksese edhe në këtë detyrë dhe ta çojë Flamurtarin aty ku e meriton që të jetë dhe që ne e ëndërrojmë të gjithë.

Si ishte Emiljano si futbollist?

Natyrisht një futbollit grintoz, një djalë me karakter që ka punuar shumë. Me atë karrierën e gjatë, të cilën e ka bërë ka treguar që ka qenë çun me kualitete dhe mbi të gjitha e vlerësoj për karakterin.

E kam njohur mirë në ato pak kohë që punuam, por e kam ndeshur edhe herë të tjera dhe vazhdon të jetë një djalë me karakter dhe që i pëlqen të punojë. Ka egon për të arritur qëllimin që ai ka, por edhe atë qëllim, të cilin kemi edhe ne.

Çfarë synimesh keni për merkaton?

Natyrisht që bazuar edhe te mendimet që ka trajneri për ndërtimin e ekipit, na duhet që të fokusohemi shumë në tregun tonë, në tregun shqiptar.

Duam djem që të kenë një vazhdimësi, të jenë me grintë, me karakter. Natyrisht që Flamurtari ka pasur gjithë jetën futbollin e bukur, por nuk ka qenë asnjëherë ekip i varfër. Ka qenë gjithmonë i fortë në karakter dhe i vrullshëm. Ideja është që kundërshtarët të na respektojnë, por të kenë edhe frikën kur të vijnë të luajnë në Vlorë edhe jashtë kundër Flamurtarit. Duam një grup të fortë.

Një pjesë e mirë e lojtarëve nuk do të qëndrojë apo jo?

Shiko, vendosëm me presidentin dhe të gjithë bashkë që të largonim një pjesë të madhe të të gjithë grupit. Duke parë dhe rezultatet, por edhe mënyrën se si erdhi ky grup dhe duke u shpërbërë ngadalë, shumë pak na ndihmuan lojtarët e ardhur në fazën e dytë dhe prandaj morëm këtë vendim.

Do të fokusohemi edhe te djemtë tanë të akademisë, duke marrë edhe momentin, ashtu siç tha edhe Idrizi, se prisnim që dikush të shënonte, edhe golin me Korabin e shënoi Kondi, një djalë që erdhi nga akademia. Për këtë e përgëzoj, jo vetëm atë, por edhe ata të tjerët që do t’i bashkohen grupit. Edhe trajneri e ka mendimin që disa lojtarë të akademisë të afrohen në fazën përgatitore dhe jo vetëm.

Do të ketë një bashkëpunim më të madh me akademinë. Vlora e ka pasur traditë dhe do ta ketë traditë gjithmonë akademinë dhe do të punojmë më fort. I kemi krijuar të gjitha kushtet trajnerit të ri për të bërë një grup të fortë dhe një grup për t’u përballuar me një kampionat të fortë që është Kategoria e Parë, të cilin ne e provuam.

Çfarë nuk shkoi mirë, pse nuk u arrit objektivi këtë sezon?

Është një analizë e thellë për t’u bërë. Thashë që ishim shumë afër dhe gabuam në momente decizive. Ndoshta dikush u fut dhe na pengoi në rrugën tonë, por gjithsesi kjo nuk e justifikon atë që ndodhi. Duhet ta bënim dhe i kishim të gjitha mundësitë.

U investua dhe u harxhua shumë, ndoshta dhe gabuam pa kriter, sidomos në fazën e dytë, ku afruam shumë lojtarë dhe më vjen keq që nuk arritëm qëllimin, të cilin kishim. Pavarësisht se ishin një hap larg Superiores. Me këtë rast dua që t’u kërkoj ndjesë tifozëve, të gjithë atyre që besuan te ne, por duke mësuar nga gabimet do të ngrihemi më të fortë.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"