EKSKLUZIVE/ “Këtë debutim te Partizani nuk e harroj lehtë”, Skuka: Kam vetëm një frikë…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 17, 2022 | 19:26

EKSKLUZIVE/ “Këtë debutim te Partizani nuk e harroj lehtë”, Skuka: Kam vetëm një frikë…

Xhuliano Skuka ka arri tur të ambientohet shumë shpejt te Partizani dhe dje debutoi me gol, si shumë pak homologë të tjerë te të kuqtë te Partizani.

XHULIANO SKUKA

Pas ndeshjes, sulmuesi nga Dibra, i ardhur para disa ditësh te Partizani pas divorcit me Dinamon, foli ekskluzivisht për “Panorama Sport”, ku tregoi përshtypjet e para pas këtij suksesi 0-3 në Rrogozhinë.

E prisnit të debutonit me gol me Partizanin?

Kudo ku kam luajtur kam dhënë më të mirën. Golat janë një kënaqësi më vete, si dhe për skuadrën ku luan. Këtë debutim te Partizani nuk e harroj lehtë. Dua t’ia dedikoj familjes për mbështetjen që më jep gjithmonë, si dhe gjithë skuadrës. Pa harruar tifozët e shumtë të kuq, që na ndoqën edhe me Egnatian në transfertë. Ëndrrat gjithmonë për ne futbollistët janë për më mirë dhe puna e mirë merr shpërblim.

A e bëni dot një krahasim midis Dinamos dhe Partizanit?

Të dyja skuadrat kanë traditën e vet. Dihet se kush janë për futbollin shqiptar Dinamo dhe Partizani. Kisha kënaqësinë të luaja te Dinamo dhe i uroj suksese. Tani jam i përqendruar te Partizani. Shpresoj të më shkojë mbarë çdo gjë këtu. Ne futbollistët duam dhe mundohemi që gjatë karrierës të jemi sa më të vlefshëm për fanellat që mbajmë veshur.

A do të futet Partizani në luftë për vendet e para?

Sigurisht. Presidenti dhe drejtuesit e lartë kanë vendosur objektivat, që do të arrihen me një punë të mirë nga të gjithë ne. E dinë të gjithë se Partizani ka historinë e vet të madhe dhe në kampionat luan vetëm të jetë fitues gjithmonë.

Unë po përshtatem shumë mirë në këtë fillim te Partizani. Së bashku me çunat dhe stafin mendoj se do të shkojmë në renditje aty ku meritojmë të jemi. Nuk më takon mua të them me shumë, por do ia dalim të jemi fitues. Partizani ndaj çdo kundërshtari ka synime të larta.

E nisët me gol, a do të ndaleni më?

Karrierën e kam nisur si sulmues. Është një fakt që nëse luan në sulm goli mbetet detyrë kryesore sa herë zbret në fushë. Punoj fort që të mos zhgënjej askënd. Besoj se edhe te Partizani nuk do të ndalem lehtë. I frikësohem vetëm ndonjë dëmtimi, të tjerat mendoj se i kam në anën time.

Uroj të kem edhe fat në çdo javë. Unë do të bëj të pamundurën të shënoj që skuadra të marrë pikët e plota kudo që do të luajë. Shënoj unë apo ndonjë tjetër, nuk ka rëndësi. Mjafton të jemi të përqendruar për të arritur te suksesi.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"