EKSKLUZIVE/ Kërkohet ringritja, Lushnja arrin akordin me ish-trajnerin e Partizanit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 5, 2023 | 12:26

EKSKLUZIVE/ Kërkohet ringritja, Lushnja arrin akordin me ish-trajnerin e Partizanit

Lushnja u është rikthyer përgatitjeve prej së martës nën drejtimin e Blerim Hasallës. 46-vjeçari do të jetë i komanduar në këtë rol, derisa kryebashkiakja Eriselda Sefa të marrë një vendim.

NDDNDND

“Pas pushimeve ekipi ka dalë në stërvitje. Kemi qenë të plotë. Unë do të vijoj të drejtoj ekipin si i komanduar, derisa të vendoset trajneri i ri. Do të jetë ai që do të drejtojë skuadrën për pjesën e mbetur të sezonit. Kaq mund të them”, deklaroi shkurtimisht Hasalla, i cili e drejtoi ekipin për dy ndeshjet e fundit të 2022- shit.

Ndërkohë, “Panorama Sport” zbulon ekskluzivisht se trajneri i ri i Lushnjës pritet të jetë Klevis Dalipi. Edhe pse ende nuk ka diçka zyrtare, mësohet se sot ose nesër 46-vjeçari elbasanas do të zhvillojë një takim me drejtuesit për të finalizuar marrëveshjen. Dalipi e nisi këtë sezon në krye të Apolonisë, por u largua pas vetëm tri ndeshjesh. Eksperienca e tij në të kaluarën te Partizani, Tomori, Korabi etj., ka bindur drejtuesit për t’i besuar stolin e Lushnjës. Megjithatë, kjo do të shikohet në orët në vijim, pasi në klub kanë qarkulluar në orët e fundit edhe emrat e Emiljano Çelës, Eqerem Memushit dhe Stavri Nicës. Më parë, drejtuesit tentuan që të bindnin trajnerin e Besës, Gugash Magani, por negociatat nuk patën rezultat. Peqinasi zgjodhi të vazhdojë me kavajasit, duke i thënë “jo” ofertës së marrë.

Lushnjarët ndodhen në një pozicion të vështirë në tabelën e renditjes dhe rrezikojnë shumë. Kampionati për ta rifillon me dy transferta radhazi, konkretisht atë me Skënderbeun dhe Burrelin. Çështje delikate është ajo e merkatos. Afrimet shihen si shpëtim, ndonëse dihet që janari nuk të ofron shumë mundësi. Veç kësaj, klubi ka edhe një tjetër “hendek” në këtë drejtim. Vërtetë kanë një buxhet të mirëfilltë elite, e megjithatë lojtarët marrin vetëm rroga dhe nuk aplikohen “këstet”.

ALBAN ALUSHI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"