EKSKLUZIVE/ “Keqmenaxhim imi”, Sinan Idrizi: Nuk u fshihem borxheve, disa po ngrohen në soba

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 18, 2021 | 13:07

EKSKLUZIVE/ “Keqmenaxhim imi”, Sinan Idrizi: Nuk u fshihem borxheve, disa po ngrohen në soba

Sinan Idrizi pranon borxhet. Administra tori konfirmon se janë disa lojtarë të cilët kanë ndikuar në bllokimin e llogarive dhe merkatos së Flamurtarit, mes tyre janë edhe Tomislav Bushiç me Astrit Fazliun. E shikon shqetësuese këtë problematikë, ndërsa thotë se nuk u fshihet përgjegjësive që i takojnë.

Sinan-Idrizi

Për “Panorama Sport”, ai njeh çdo detyrim që ka ndaj ishlojtarëve apo lojtarëve aktualë. “Po, në fakt janë disa lojtarë për të cilët na janë bllokuar llogaritë dhe merkatoja, përfshi edhe ata që ju thoni. Natyrisht që është shqetësuese kjo gjë dhe unë e pranoj që është keqmenaxhimi im. Unë nuk ia kërkoj njeriu të ma zgjidhë këtë gjë, pasi janë detyrimet e mia.

Kontratën nuk e ka firmosur Këshilli Bashkiak, por unë. Nuk u fshihem detyrimeve, normalisht që i njoh ato”, tha fillimisht Idrizi. Administratori Sinan Idrizi ka edhe një “thumbim” për ata që pasi paguhen nga klubi nuk bëjnë më zhurmë, ndërsa drejtpërdrejt etiketon një ish-trajner, që edhe pse nuk ia thotë emrin, me shumë mundësi e ka me Ernest Gjokën.

“Kur nuk paguhen, bëjnë zhurmë në ‘Facebook’ apo media. Kur i marrin lekët, nuk ndihen më. Trajnerë që nuk i kanë parë as në ëndërr 100 mijë euro. Kur marrin lekët, pushojnë dhe shkojnë e ngrohen te soba”, tha Idrizi. Administratori i klubit është me shpresa se merkatoja do të zhbllokohet.

“Patjetër që merkatoja do të zhbllokohet. Ne kemi gati afrime të reja, por dua të them se si vlonjatët tanë më të mirë nuk ka në treg, pavarësisht se besimi e mosha janë diçka tjetër”, thotë fillimisht numri një i klubit.

DËGJESA PUBLIKE

Administratori reagon sërish ashpër ndaj Këshillit Bashkiak, kësaj here për dëgjesën publike të së enjtes së kaluar (e zhvilluar më 11 shkurt për çështjen e privatizimit). Idrizi e cilëson këtë nismë si një histori koti. Ai nuk mori pjesë në atë konsultim, edhe pse kishte ftesë.

“Këto janë llogje Kavaje. Për çfarë të marr pjesë unë në atë mbledhje? Çfarë kuptimi ka? Çfarë do të privatizojë Këshilli Bashkiak? Dëgjesa ka tre vjet! Është një preokupim… Bravo që janë të preokupuar. Kjo nuk ka lidhje fare, është një histori koti kjo që po fillojnë procedurat.

Ata ta kuptojnë e ta thonë se nuk është në dorë të atyre dhe të mos largojnë vëmendjen nga problemet e tjera që kanë. Këta këtë histori kanë. Një faturë të thjeshtë nuk bëjnë dot dhe për këtë gjë ne sot jemi me konto të bllokuara”, përfundon Idrizi.

ERMAL SIKA  – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"