EKSKLUZIVE/ “Keqardhje që nuk e fituam derbin”, Alban Hoxha: Menduam shokët e infektuar, situata ishte konfuze (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 13, 2020 | 22:37

EKSKLUZIVE/ “Keqardhje që nuk e fituam derbin”, Alban Hoxha: Menduam shokët e infektuar, situata ishte konfuze (E PLOTË)

Partizani erdhi me shumë probleme në derbi, ku vetëm disa orë para sfidës u konfirmua se 5 lojtarë janë me Koronavirus dhe për ta thelluar krizën, trajneri Adolfo Sormani dhe dy italianë të stafit nuk u paraqitën në stadium nga frika e infektimit. Gjithsesi, të kuqtë bënë një paraqitje pozitive dhe në intervistën e dhënë pas ndeshjes për “Panorama Sport”, kapiteni Alban Hoxha pohoi se ndien keqardhje për mënyrën se si u iku fitorja nga duart.
alban hoxha
Portieri e pranon se situata ishte konfuze në klub nga situata e krijuar, por lojtarët arritën të bashkoheshin dhe të bënin një paraqitje dinjitoze. Kapiteni e pranon se situata ndikoi në ndeshje, por edhe mosparaqitja e trajnerit Sormani i bëri që të ndihen keq para derbit. Hoxha pohon se stafi italian nuk u paraqit nga frika e virusit, por djemtë arritën ta tregojnë veten edhe pa trajner. Ai tregon edhe arsyet pse kërkonin fitoren në derbi, ndërsa për të ardhmen e tij preferon të flasë pas përfundimit të këtij sezoni, ku kanë mbetur edhe 3 ndeshje.
Hamiti
A ju vjen keq nga mënyra se si ju iku nga duart fitorja në derbi?
Pa diskutim që ndjemë keqardhje, pasi të ndëshkohesh në atë minutë, nuk të vjen mirë. Megjithatë, mendoj se Partizani bëri lojë të mirë dhe kishim mundësi ta fitonim ndeshjen me pak kujdes, siç ishte rasti i Bardhit apo dy-tri mundësi të tjera. Ky është futbolli dhe derbi mbaroi në barazim.

Sa ndikuan ngjarjet e fundit, ku 5 lojtarë rezultuan me “COVID-19”?
Mendoj se ndikuan shumë, pasi situata nuk ka qenë e qetë në klubin tonë. Herë na shkonte mendja te çunat që patën probleme, herë te vetja jonë. Ka qenë një situatë konfuze deri para ndeshjes ku u mblodhëm të gjithë dhe erdhëm në stadium. Gjithsesi, kjo tregoi se ne i dhamë forca vetes dhe mendoj se arritëm të bëjmë një lojë të mirë në derbi.
partizani
Ju si çuna e mblodhët veten dhe u paraqitët, por stafi italian me në krye trajnerin Sormani nuk mbërritën në stadium…
Të them të drejtën, nuk është se isha shumë në dijeni për këtë pjesë para ndeshjes. Thjesht kam dëgjuar aty kur mbërritëm në stadium se ata kanë pasur frikën e Koronavirusit. Është zgjedhja e tyre dhe nuk mund të komentoj se çfarë është bërë dhe si kanë vepruar.
Sormani Partizani
A u ndjetë keq kur mësuat se trajneri nuk do të paraqitej në derbi?
Normalisht që ndihesh keq, pasi ai është timonieri. Kur nuk është trajneri, ndoshta edhe ekipi çorientohet. Megjithatë, ne jemi lojtarë profesionistë dhe në grup kemi individë me eksperiencë, kështu që u bëmë të gjithë bashkë. Ndaj, në një ndeshje edhe pa trajner arrin t’ia dalësh.

Jeni në dijeni për përplasjen mes disa lojtarëve të skuadrës pas marrjes së përgjigjeve të tamponëve?

Të them të drejtën nuk e kam idenë për këtë pjesë.

Fitoren në derbi e donit më shumë si shenjë hakmarrjeje ndaj Tiranës për disfatën që ju shkaktoi në fazën e tretë, apo për moralin e grupit pas infektimit të pesë futbollistëve me “COVID19”?

Normalisht, edhe kur luan kalçeto me shokët, çdo njeri do që ta fitojë ndeshjen. Kishim dëshirën ta fitonim dhe nuk ka të bëjë as hakmarrja apo arsye tjetër. Hymë në fushë thjesht për ta fituar ndeshjen.

I mbani akoma shpresat se Partizani mund të sigurojë një biletë për Europën në këtë sezon?

Do i luajmë edhe këto ndeshje që kanë mbetur nga kampionati, duke bërë më të mirën. Pastaj varet se si do të shkojnë këto tri javë të mbetura të sezonit, nuk mund të flas më shumë.

Ju do i luani edhe këto tri ndeshje që kanë mbetur nga sezoni, po më pas ku do ta shikojmë Alban Hoxhën si portier, me Partizanin apo…?

Të mbarojmë këto ndeshje, pastaj do të flasim edhe për këtë pjesë.

ILIR CARA 

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"