EKSKLUZIVE/ “4 rroga pa u dhënë për ekipin”, Jonuz: Keqardhje për nivelin e Grimës, ja problemet e Vllaznisë (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 26, 2020 | 22:10

EKSKLUZIVE/ “4 rroga pa u dhënë për ekipin”, Jonuz: Keqardhje për nivelin e Grimës, ja problemet e Vllaznisë (E PLOTË)

Dhjetë muaj punë në një ambient që tash më trajneri e cilëson si vendin ku sapo diskutonte për një problem, nuk zgjidhej por shumëfishohej. 
JONUZ

Ish-tekniku i Vllaznisë, Mirsad Jonuz, ekskluzivisht ka folur për “Panorama Sport” për problematikat që kanë shoqëruar ekipin gjatë gjithë kësaj kohe. Ai ka komentuar mbi kontratën e tij, largimin nga kuqeblutë, faktin që “u pre në besë” për të qëndruar më gjatë në Shkodër dhe gabimet që ka bërë klubi i Vllaznisë sa i përket drejtimit. Ish-trajneri nuk ka dashur që të komentojë ato që thuhen për të përmes rrjeteve sociale, por në tentativë për të “dribluar”, komenton edhe deklaratat e Grimës, ish-kapitenit të kuqebluve.

Jonuz, Armir Grima, ishkapiteni i shpallur kampion dhe fitues i Kupës me Vllazninë, ju ka cilësuar si dezertor për largimin nga ekipi. Cili është komenti juaj?

Unë nuk dua që të komentoj për Grimën, por mund t’ju them juve për punën time te Vllaznia. Nuk kam dëshirë që të bie poshtë në një nivel që nuk më përket mua. Ai nuk është në nivelin e komunikimit tim. Mund të them vetëm se është e trishtueshme dhe e pavlerë që të komentoj këtë… Ky nivel kulture dhe amatorizmi, nuk i shkon për shtat një trajneri dhe pedagogu… Keqardhje për atë nivel komunikimi. Në fund ju them që largimi ishte vendimi im personal!

Si e latë Vllazninë dhe pse u larguat?

Ka shumë arsye për largimin tim nga Vllaznia, por më e rëndësishmja prej tyre është organizimi i keq i klubit. Që nga dita e parë e ardhjes sime deri në ditën e fundit kur u largova, unë vazhdimisht kam sjellë në vëmendje problemet tek njerëzit e klubit që të jepnin një zgjidhje.
JONUZ VLLAZNIA

Çfarë ndodhte në momentin që ju i nënvizonit ato problematika?

Problemet nuk u zgjidhën kurrë, përkundrazi ato u përkeqësuan! Në lidhje me problemet organizative, bëhej fjalë për problemet financiare dhe detyrimet ndaj lojtarëve. Së paku është kritikuar kjo problematikë mbi 10 herë. Unë e kam menaxhuar për ta qetësuar situatën shumë herë, duke premtuar se çdo gjë do të rregullohej.

Si e gjetët Vllazninë kur u kthyet pas pandemisë?

Më 18 maj unë u riktheva nga Maqedonia. Lojtarëve u ishte dhënë paraprakisht një program individual stërvitjeje, pasi në Shqipëri ishte e ndaluar që të kryheshin stërvitje në grup të ekipit. Nga 18 maji ne filluam që të punonim normalisht. Që në seancën e parë stërvitore, unë isha i shokuar nga shumë probleme në ekip. Unë nuk kisha mundësi t’i bindja lojtarët, pasi ato ishin të vendosur për të bojkotuar stërvitjen.

Më pas, si vijoi situata?

Ne patëm një takim me drejtuesit e klubit dhe unë qartësisht u komunikova që kontrata ime përfundon më 31 maj 2020. Nëse unë do të kisha dashur të gjeja një justifikim, mund të thosha që e kisha të pamundur të vija si rrjedhojë e situatës pandemike dhe kufijve të mbyllur, por u ktheva në Shkodër. Madje, unë isha i karantinuar dhe punoja me ekipin në të njëjtën kohë.

Çfarë bëtë për të qëndruar në Shkodër edhe përtej datës 31 maj, të paktën deri në mbyllje të sezonit?

Krahas detyrimeve kontraktuale, kishte edhe marrëveshje verbale të cilën nuk e respektuan. Pika kritike e gjithë kësaj krize është mospagesa në kohë e katër rrogave të prapambetura të lojtarëve. Unë prisja një përgjigje rreth kontratës, të cilën nuk e mora kurrë dhe pastaj vendosa që unë duhej të largohesha.

A folët me drejtuesit e klubit para se të largoheshit?

Si për komentet, dhe për postimet e ndryshme në rrjetet sociale, apo deklaratat nga menaxherë individualë të futbollit, preferoj që të mos jap asnjë koment, sepse ato nuk meritojnë asnjë koment. Unë u largova nga ekipi në një atmosferë të mirë dhe me një fitore ndaj Flamurtarit në transfertë.

Ika drejt Shkupit dhe mendoj që largimi im nga ky klub është përfundimtar. Si profesionist, unë punova për 10 muaj në vështirësi të mëdha organizative dhe financiare. Jam larguar nga skuadra me 38 pikë të grumbulluara, duke e lënë në vend të gjashtë dhe me besim për të pretenduar Kupën.

Çfarë do t’i thoshit sot drejtuesve të klubit?

Po ju them që pas vetëm shtatë ditëve të para të stërvitjes kuptova se nuk ishte bërë një zgjedhje e mirë lojtarësh. Por e pranoj që në ato kushte të vështira që gjendej ekipi, ne ia dolëm që të menaxhojmë situatat dhe t’i mbajmë ato futbollistë. Qëndrimi im për dhjetë muaj atje ishte profesional dhe në bazë të respektit që kisha për lojtarët dhe për të gjithë tifozët e Vllaznisë.

Më besoni që kam ende shumë gjëra për të thënë rreth problemeve që ka klubi, por do t’i lë që t’i thonë njerëzit përgjegjës, të cilët duhet të kuptojnë se me këto qasje amatore ndaj punës, vetëm po e dëmtojnë shumë rëndë Vllazninë.

ADMIR URUÇI – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"