EKSKLUZIVE/ “Kemi që në janar pa rrogë”, mbrojtësi i Vllaznisë: Nuk më duket e drejtë që sporti…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 24, 2020 | 10:45

EKSKLUZIVE/ “Kemi që në janar pa rrogë”, mbrojtësi i Vllaznisë: Nuk më duket e drejtë që sporti…

Në Shkodër nuk po e shtyjnë dot pa futboll. Të gjithë presin nga ora në orë që të vijë vendimi i madh për rifillimin e aktivitetit. Të njëjtën gjë e shpreson edhe Dajan Shehi, mbrojtësi 23-vjeçar i Vllaznisë. Në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport” ai mendon se kuqeblutë kanë shanset e mëdha që të kapin Kupat e Europës në 10 ndeshjet e mbetura të këtij kampionati.

MG_4991-SHEHI-MIKELTHEPINACOM

“Nuk më duket e drejtë që sporti, përfshi këtu edhe futbollin të lihen për në fund.  Futbollistët duhet të testohen sa më shpejt dhe të fillojnë stërvitjen. Ndeshjet t’i bëjmë me dyer të mbyllura pa tifozë. Sa më shumë të zgjasë kjo gjendje, aq më të vështirë do ta kemi. Për të ruajtur formën e mirë unë personalisht po stërvitem me dy seanca stërvitore në ditë në kushte shtëpie.

Kam organizuar një minipalester, ndërkohë që përpiqem të mos e teproj me ushqimin. Është e nevojshme një minifazë 2- javore që një futbollist të arrijë formën dhe të jetë gati të përballojë një ndeshje. Stafi teknik na ka pajisur me një program stërvitor dhe do ta kemi më të thjeshtë që të kapim formën e duhur”, u shpreh fillimisht mbrojtësi.

dajan shehi

VERDIKTET – Pas shumë aludimeve, duket se kampionati dhe Kupa do të zgjidhen në fushën e blertë e jo në tavolinë. “Që kampionati të vendoset në fushë është shumë pozitive. Të gjithë duan që kështu të ndodhë, sepse shumë ekipe kanë pretendimet e veta dhe ka mes tyre që kanë shpenzuar shumë këtë sezon. Nëse kampionati mbyllet këtu, do jetë një zhgënjim për disa skuadra sikurse edhe për Vllazninë, pasi synimet tona janë Kupat e Europës dhe Kupa e Shqipërisë”, theksoi ai.

RROGAT – Te Vllaznia kanë edhe një hall edhe më të madh, atë të rrogave. “Drejtuesit i kanë qëndruar pranë ekipit dhe na kanë thënë se çdo gjë do të jetë në rregull sapo situata të normalizohet. Shpresoj që të zgjidhet pjesa e pagesës, sepse dihet ka futbollistë që mbajnë familjen me këtë profesion. Ndërsa dua të falënderoj FSHF-në në që në këto kushte të vështira i gjeti mundësitë për të qëndruar pranë futbollit. Tani presim një sinjal nga bashkia. Nga janari rrogat na kanë munguar dhe shpresoj që t’i marrim sa më shpejt të jetë e mundur”, përfundoi Shehi.

Admir Uruçi – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"