EKSKLUZIVE/ “Kemi më shumë shkodranë”, presidenti Hasanbelliu: Gjysma e stadiumit “Loro Boriçi” është me Teutën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 16, 2021 | 16:05

EKSKLUZIVE/ “Kemi më shumë shkodranë”, presidenti Hasanbelliu: Gjysma e stadiumit “Loro Boriçi” është me Teutën

Vllaznia-Teuta është një nga ato ndeshje për titull, edhe kur luhet në javën e dytë të sezonit. Kampionët në fuqi dhe fituesit e Kupës së Shqipërisë do të përballen në Shkodër të shtunën në orën 19:45. Presidenti i Teutës, Edmond Hasanbelliu, nuk i kursen batutat para kësaj ndeshjeje.

Hasanbelliu

“Kemi më shumë shkodranë ne në ekip sesa Vllaznia… Do të jetë një ndeshje e fortë dhe shpresoj që skuadrat të kënaqin publikun, se e meriton. Madje, kam përshtypjen se stadiumi do të jetë i ndarë në gjysmë, sepse ne kemi më shumë shkodranë në ekip. Martini, Gruda, Zogaj, por edhe dy Vilat… Po, Emiljano dhe Lorenco janë me origjinë nga Shkodra.

Po Vllaznia, pa më thoni kë ka? Ka Krymin, Krujën, Hakajn dhe Gurishtën, por në fakt kapiteni i tyre është nga Malësia e Madhe. Kështu që, jam i bindur se në Shkodër gjysma e tifozëve do mbështesin Teutën”, është mesazhi i Hasanbelliut para ndeshjes në Shkodër, dhënë dje ekskluzivisht për “Panorama Sport”.

unnamed

SITUATA – Rëndësia e këtij takimi është e madhe sepse do të ndeshen dy ekipet që në sezonin e fundit rivalizuan deri në sekondën e fundit. Përveç rezultatit pozitiv që duhet për ecurinë në kampionat, Teuta kërkon të shfrytëzojë sërish rastin për të bindur skeptikët, që titulli i fituar vetëm me golavarazh ndaj shkodranëve nuk ishte rastësi.

Skuadra e trajnerit Martini kërkon të përsërisë finalen e Superkupës ndaj Vllaznisë, si dhe për t’u treguar forcën kuqebluve në shtëpinë e tyre. Atmosfera në kampin durrsak është optimiste. Pozitive është se pas rikthimit të mbrojtësit Idrizaj, trajneri Edi Martini e ka më të plotë grupin për të shtunën. Fitorja ndaj Vllaznisë do ta fuste Teutën në shinat e duhura për pretendimet e saj.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"