EKSKLUZIVE/ “Kemi lojtarë të mirëpaguar, por nuk po bëjnë asgjë në ndeshjet e fundit”! Hasani: Vllaznia, dramë në sulm

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 22, 2022 | 11:30

EKSKLUZIVE/ “Kemi lojtarë të mirëpaguar, por nuk po bëjnë asgjë në ndeshjet e fundit”! Hasani: Vllaznia, dramë në sulm

Alban Hasani, ish-lojtari i Vllaznisë, por gjithashtu edhe Teutës, është prononcuar para sfidës së sotme mes këtyre dy skuadrave. Aktualisht, drejtori sportiv i Akademisë Vllaznia, Hasani, ka folur në një intervistë për “Panorama Sport” për shanset që kanë të dyja skuadrat në këtë sfidë.

jkddkd

Ai ka analizuar gjendjen aktuale të kuqebluve dhe atë që nuk po shkon te kjo skuadër, ndërsa ka vënë theksin te mungesa e golit dhe gabimet e ekipit në repartin e sulmit, gjë që sipas tij i ka penalizuar jo pak kuqeblutë.

Hasani, si e shihni gjendjen e Vllaznisë, që vjen pas dy humbjeve radhazi në kampionat?

Më vjen keq sepse janë dy ndeshje që kemi pasur mundësi për të arritur dy fitore që do të na kishin dhënë më shumë qetësi. Por po vuajmë në mënyrë dramatike për shënimin e golit që ka qenë pika jonë më e dobët në këtë kampionat.

Çfarë nuk po shkon?

Shënimi i golit po na dëmton shumë, ndeshje pas ndeshjeje. Kemi lojtarë në sulm të mirëpaguar, por s’po bëjnë asgjë në këto momente për të ndihmuar ekipin.

Sa po ndikojnë mungesat në skuadër?

Çdo ekip ka mungesat e veta në çdo ndeshje dhe Vllaznia është e formuar që të ketë dy ekipe, për të përballuar kampionatin.

Si një “ish” i të dyjave, si e shikoni ndeshjen mes Vllaznisë e Teutës?

E shikoj një ndeshje të vështirë si të gjitha ndeshjet e tjera dhe aq më tepër që ekipi i Teutës vjen pas 2 fitoreve radhazi. Kjo do ta vështirësojë punën e lojtarëve tanë.

A duhet të ketë frikë Vllaznia, duke qenë se përballë do të ketë një “ish” të saj siç është trajneri Edi Martini?

Vllaznia është e ndërtuar që të jetë pretendente kryesore për titullin kampion. E kësisoj nuk mundet e s’duhet të ketë frikë jo Teutën, por asnjë ekip shqiptar.

Do të arrijë Vllaznia të fitojë dhe të ndërpresë ecurinë pozitive të Martinit me Teutën e tij?

Duhet patjetër fitorja, jo për të ndërprerë ecurinë pozitive të Teutës së Edi Martinit, por për nevojat tona imediate për pikë, që të jemi përsëri me grupin në garë për fitimin e titullit kampion.

Në fushë kësaj here më shumë të rinj, si e shikoni këtë aspekt?

E shikoj shumë të arsyeshme futjen e të rinjve në këto moment, sepse nuk besoj se kanë ndonjë dallim të madh me lojtarët e tjerë. Plus që e shikoj si një ndihmesë të madhe për klubin që të përfitojmë nga shitja e tyre. Që të kemi përfitim financiar duhet të rrezikojmë me futjen e tyre. T’i jepet besim ashtu siç ju dha Alivodës dhe të besojmë se edhe ata do ta justifikojnë këtë besim.

ADMIR URUÇI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"