EKSKLUZIVE/ “Kemi fushat tona, nuk ka më dy orë stërvitje! Kemi mësuar nga…”, presidenti Bardhi: S’ka më Dinamo në “çadër”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 16, 2022 | 14:34

EKSKLUZIVE/ “Kemi fushat tona, nuk ka më dy orë stërvitje! Kemi mësuar nga…”, presidenti Bardhi: S’ka më Dinamo në “çadër”

Rezultatet e skuadrës në këto dy javë të para të kampionatit sigurisht që i interesojnë, por më shumë vëmendje presidenti i Dinamos, Adrian Bardhi, i kushton së ardhmes. Në një prononcim për “Panorama Sport”, ai ndalet shkurt te barazimi në Korçë:

bardhi-dinamo

“Fusha e Skënderbeut është një fushë e fortë, ndaj dhe barazimi është i pranueshëm. Është rivali ynë kryesor në garën për ngjitjen në Superiore, pa diskutim.

Skuadra po duket mirë, ka atë që ne kemi kërkuar gjithmonë, ka karakter dhe impenjim maksimal. Kemi edhe disa djem të rinj që presim të rriten.

Ai ‘infeksion’ që Dinamo pati sezonin e kaluar thuajse është pastruar. Do doja të veçoja edhe punën e mirë që po bën trajneri Nevil Dede”, – thotë numri një i klubit dinamovit.

VLERA E KLUBIT – Më tej ai flet me entuziazëm për punën që po bëhet për ta shndërruar Dinamon në një klub të mirëstrukturuar në çdo aspekt, që nga selia e re te kompletimi i administratës.

Sipas Bardhit, ky organizim do t’i japë Dinamos vlerën që i takon në futbollin shqiptar, duke u renditur pas Tiranës.

“Realisht nuk e kam shumë mendjen te ngjitja e Dinamos në Superiore. Objektivat tona dihen, por unë jam shumë i fokusuar te ndërtimi i të gjitha strukturave për ta bërë Dinamon një klub model.

Dinamo do të marrë vlerën që i takon në futbollin shqiptar, pas Tiranës që ka më shumë tituj.

Qëllimi im është që kur të flitet për Dinamon, të jetë e qartë se po flitet për një markë futbolli, për një klub me vlerë me shumë zero.

Ne po punojmë për selinë e klubit dhe për qendrën stërvitore, që do të ketë gjithçka brenda saj. Nuk ka më Dinamo në ‘çadër’. Jam mësuar të punoj me gjërat e mia.

Kemi fushat tona tashmë dhe nuk ka më vetëm dy orë stërvitje. Kemi mësuar shumë nga sezoni i kaluar.

Po punohet edhe për sektorët e tjerë dhe shumë shpejt do të kemi edhe një administratë klubi të mirëfilltë, ku secili do të merret specifikisht me punën e vet.

Do të afrojmë dinamovitë në klub. Dinamo, ju garantoj, do të jetë e kompletuar, jam maksimalisht i angazhuar për këtë pjesë. Jemi ende në fazën e strukturimit dhe projekti ynë do të marrë jetë shpejt.

Gjithçka do të duket më mirë kur të jemi në elitë sezonin e ardhshëm”, ka thënë presidenti Bardhi për gazetën. Selia e bluve tashmë është në Arbanë, ku po bëhen investime të mëdha.

Përveç fushave të reja, po punohet që klubi të ketë aty mensën, lavanderinë, palestrën dhe gjithçka tjetër që i duhet. Dinamo e fushës ndërkohë e ka nisur mirë kampionatin, me një fitore dhe një barazim.

Të dielën luan ndeshjen e radhës me Burrelin, ku pritet rikthimi te fitorja.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"