EKSKLUZIVE/ Katër ndeshjet e trukuara dhe dëshmia e punonjësve të “Sportradar”, ja si UEFA fundosi Skënderbeun (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 15, 2020 | 22:50

EKSKLUZIVE/ Katër ndeshjet e trukuara dhe dëshmia e punonjësve të “Sportradar”, ja si UEFA fundosi Skënderbeun (E PLOTË)

Zbardhet vendimi i plotë i Gjykatës Federale në Zvicër për Skënderbeun. 24 orë pasi vetë klubi korçar njoftoi se ishte lënë në fuqi dënimi 10-vjeçar nga UEFA dhe gjoba 1 milion euro, “Panorama Sport” publikon sot të gjithë kronologjinë e dosjes “Skënderbeu” dhe arsyet e mbetjes në fuqi të dënimit drastik. Në dokumentin prej 21 faqesh në versionin “PDF” të Gjykatës Federale, fillimisht bëhet e ditur se KS Skënderbeu si paditës u përfaqësua në gjyq nga avokati i njohur zviceran, Zhan Sedrik Mishel.

skenderbeu

UEFA kishte dy përfaqësues (Saverio Lembo dhe Alexandra Johnson), ndërsa theksohet se rekursi i çështjes nga Skënderbeu është bërë kundër vendimit të datës 12 korrik 2019 të dhënë nga KAS-i. Ajo që vihet re në fund të dokumentit është citimi se ky vendim është marrë që më 29 korrik 2020. Pra, që dy javë më parë Skënderbeu kishte dijeni se nuk e kishte fituar dot gjyqin.

FILLIMI I ÇËSHTJES

* Klubi Sportiv Skënderbeu është një klub profesionist futbolli shqiptar, anëtar i Federatës Shqiptare të Futbollit, i cili është i lidhur me UEFA-n, si një shoqatë e regjistruar në regjistrin tregtar sipas ligjit zviceran dhe me seli në Nion.

* Një nga detyrat e UEFAs është të merret me të gjitha çështjet e lidhura me futbollin europian. Ajo operon në bashkëpunim me kompaninë private “Sportradar”, si dhe një sistem për zbulimin e mashtrimit në bastet sportive (Sistemi i Detektimit të Mashtrimit të Basteve; këtej e tutje: BFDS). Që nga viti 2010, ky sistem ka identifikuar më shumë se 50 ndeshje të luajtura nga klubi i Skënderbeut, rezultatet e të cilave dyshohet se janë manipuluar.

* Më 13 maj 2016 inspektorët e Etikës dhe Disiplinës së UEFA-s (këtu e tutje: inspektorët e UEFA-s) hartuan një raport në të cilin pretenduan se klubi nuk lejohej të merrte pjesë në edicionin 2016-2017 të Ligës së Kampioneve, që fut në garë klubet më të mira europiane.

skenderbeu uefa

* Me vendimin e 21 nëntorit 2016, Gjykata e Arbitrazhit Sportiv konfirmoi vendimin e dhënë më 1 qershor 2016 nga Organi i  Apelit të UEFA-s, që ndalon klubin të marrë pjesë në garat e organizuara nga UEFA gjatë sezonit 2016-2017.

* Pas këtij vendimi të arbitrazhit, inspektorët e UEFA-s hapën një dosje të re kundër klubit. Në raportin e tyre të datës 7 shkurt 2018, ata arritën në përfundimin se, sipas rregullave disiplinore të UEFA-s, klubi ishte përgjegjës për veprimet e lojtarëve, trajnerëve dhe zyrtarëve të tij.

DOSJA ME 4 NDESHJE DHE DËNIMI EKSTREM

* Më 8 shkurt 2018 klubi u njoftua për hapjen e një dosjeje disiplinore ndaj tij. Në mbështetje të akuzave të saj për fiksimin e ndeshjeve, UEFA u mbështet në raportet e hartuara në kuadër të BFDS-së (raportet e Sistemit të Detektimit të Mashtrimit të Basteve) në lidhje me katër ndeshjet të luajtura nga klubi i Skënderbeut:

* humbja 2-3 më 21 korrik 2015 kundër FC Krusaders, një ndeshje e vlefshme për Ligën e Kampioneve;

* humbja 1-4 më 25 gusht 2015 kundër NK Dinamo Zagreb, një ndeshje e vlefshme për Ligën e Kampioneve;

* humbja 1-5 e 22 tetorit të 2015-ës kundër Sporting, një ndeshje e vlefshme për Ligën e Europës;

* humbja 0-3 e 10 dhjetorit 2015 kundër FC Lokomotivës së Moskës, një ndeshje e vlefshme për Ligën e Europës;

* Me vendim të 29 marsit 2018 Organi i Kontrollit, Etikës dhe Disiplinës në UEFA pezulloi klubin e Skënderbeut nga të gjitha kompeticionet europiane për dhjetë sezonet e ardhshme dhe e gjobiti atë me një milion euro.

* Duke vendosur aktvendimin me 26 prill 2018, Organi i Apelit në UEFA hodhi poshtë ankesën e klubit dhe la në fuqi vendimin e kontestuar.

Skenderbeu Lokomotiva

APELIMI NË KAS DHE KËRCËNIMET

* Më 14 maj 2018, klubi apeloi në KAS vendimin e njëkohësisht bëri një kërkesë për masa të përkohshme.

* Procedurat e arbitrazhit u zhvilluan në gjuhën angleze nga një panel prej tre vlerësuesish.

* Kërkesa për masa të përkohshme u refuzua më 14 qershor 2018.

* Sipas vendimit të ndërmjetëm të 22 tetorit 2018, KAS-i vendosi provën e kërkuar nga pala apeluese. I pyetur për të dhënë emrat e personave që hartuan raportet BFDS-së në lidhje me ndeshjet e diskutuara të luajtura nga klubi, UEFA informoi KAS-in se “Sportradar” hezitonte të zbulonte këtë informacion, sepse disa punonjës të kësaj kompanie kishin marrë kërcënime me vdekje.

Pala përgjegjëse specifikoi më tej se secili raport i BFDS-së ishte rezultat i një përpjekjeje kolektive dhe grupi i punës arrinte deri në 20 bashkëpunëtorë. Pas disa shkëmbimesh korrespodencash mes palëve dhe KASit, UEFA informoi këtë të fundit për emrat e katër punonjësve të “Sportradar”, të cilët kishin marrë pjesë në përgatitjen e raporteve të BFDS-së dhe u dërgoi atyre një kopje. Me këtë rast, ajo i dërgoi KAS-it një CV të katër punonjësve të “Sportradar”.

* Më 11 shkurt 2019, KASi, duke marrë parasysh se palët kishin kërkuar dëgjimin e më shumë se 40 dëshmitarëve dhe të shqetësuar për të siguruar një sjellje efikase të gjykimit, i ftoi palët të prodhojnë dëshmi me shkrim. Vetëm dëshmitarët, dëgjimi i të cilëve do të kërkohej nga pala kundërshtare për qëllime të marrjes në pyetje të kryqëzuara, do të ishin pjesë e seancës.

* Më 21 mars 2019, UEFA informoi KAS-in se nuk dëshironte të merrte në pyetje dëshmitarët e apeluesit me argumentin se disa dëshmitarë ishin thirrur me vonesë.

* Në të njëjtën ditë, pala apeluese kërkoi marrjen në pyetje të gjashtë dëshmitarëve të të paditurve, përfshirë katër bashkëpunëtorët e kompanisë “Sportradar”. Avokati i Skënderbeut sqaroi se nuk ishte në gjendje të arrinte të merrte në pyetje profesor Forrest. Më në fund, ai shtoi se do të thërriste dy dëshmitarë të tij në seancë.

1560855397_kASSKenderbeu768x400

* Më 3 prill 2019, KAS-i kundërshtoi kërkesën e apeluesit për dëgjimin e dy dëshmitarëve të tij dhe refuzoi dëshmitë e ndryshme për shkak të kohës.

* Më 5 prill 2019, apeluesi i kërkoi KAS-it të rishqyrtojë vendimin në lidhje me refuzimin për të lejuar dëgjimin e disa dëshmive të caktuara.

* Më 10 prill 2019, KAS-i njoftoi palët se kishte për qëllim të mbështeste vendimin e datës 3 prill 2019. Ajo i ofroi apeluesit një shans të fundit për të kërkuar marrjen në pyetje të profesor Forrest. Dy ditë më vonë apeluesi tregoi se nuk mund të merrte në pyetje profesor Forrest, sepse nuk kishte pasur akses në të dhënat teknike të BFDS-së.

* Më 16 prill 2019, Paneli zhvilloi një seancë në Lozanë në prani të palëve dhe këshilltarëve të tyre. Gjatë marrjes në pyetje dëgjoi katër punonjës të “Sportradar”, si dhe dy persona të tjerë. Katër punonjësit e “Sportradar” u dërguan në një dhomë të sigurt. Ata dëshmuan me anë të videokonferencës, në prani të një këshilltari ligjor të KAS-it, teksa zëri i tyre u ndryshua për çështje privatësie. Në atë rast avokati i palës apeluese u lejua të merrte në pyetje dëshmitarët.

* Më 12 korrik 2019, KASi e hodhi poshtë ankesën e klubit dhe la në fuqi vendimin e apeluar nga përfaqësuesi ligjor i Skënderbeut.

L

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"