EKSKLUZIVE/ Kashami drejt Kosovës, Besa zgjedh pasuesin për stolin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 15, 2021 | 10:23

EKSKLUZIVE/ Kashami drejt Kosovës, Besa zgjedh pasuesin për stolin

Ndriçim Kashami drejt “divorcit” me Besën. Ai mund të mos jetë trajneri i verdhezinjve për sezonin 2021-2022. Kavajasi ka të ngjarë që të shkojë drejt Kosovës, atje ku ka marrë edhe dy oferta. I tunduar nga këto opsione dhe mungesa e një akordi për zgjatje të kontratës, e largojnë ndjeshëm nga Besa. E megjithatë, asgjë nuk mund të quhet totalisht e mbyllur. Mund të ketë edhe “prapakthehu” e në Shqipëri nuk është e para herë që ndodh një gjë e tillë.

kashami

DALIPI NË “POLE”

Gazeta “Panorama Sport” mëson ekskluzivisht se klubi është vënë në lëvizje për të gjetur zëvendësuesin e trajnerit që mbylli kampionatin e fundit (i rikthyer në krye të pankinës vetëm në prill të vitit 2021, pas largimit të Artan Mërgjyshit). Dhe kandidati më potencial momentalisht është Klevis Dalipi. Ish-trajneri i Partizanit, Luftëtarit dhe Korabit mund ta vijojë karrierën pikërisht në Kavajë. Nuk bëhet fjalë vetëm për një dëshirë, por shumë më shumë se kaq. Nexhat Bizhdili është parë me elbasanasin në ditët e fundit. Palët janë takuar dy-tri herë, ku kanë diskutuar konkretisht për një marrëveshje të mundshme. Është herët që të flitet për zyrtarizime, ndonëse brenda kësaj jave do të ketë zhvillime konkrete për këtë çështje. Gjithsesi, nuk është i vetmi kandidat për trajnerin. Të tjerë emra janë në tavolinën e drejtuesve më të lartë të klubit.

MERKATO NË ELITË

Qëllimi i presidentit është i qartë: të ndërtojë ekipin më të mirë në 6 vitet e fundit. U bënë 5 sezone që kavajasit dështojnë (nuk e sigurojnë dot ngjitjen, ndonëse e nisin me pretendime madhore kampionatin), ndaj tani duan që të realizojnë me çdo kusht këtë mision. Me këtë motiv, Nexhat Bizhdili ka premtuar edhe supermerkato gjatë kësaj vere. Ai është në kontakte me 5 futbollistë që kanë luajtur në Kategorinë Superiorë. Emrat mbahen “mister”, megjithatë në parim është arritur një akord me ta. Të paktën këtë e ka konfirmuar para pak ditësh vetë kreu i klubit për këtë histori. Ai sqaroi se i ka bindur, ndonëse prezantimet do të kryhen vetëm kur të ketë garanci për firmën.

ADELA MERKO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"