EKSKLUZIVE/ “Kapiteni qëndron, nuk duam të gabojmë me Shkurtajn”, Gega: Ja si do të jetë Kukësi i ri

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 8, 2022 | 22:15

EKSKLUZIVE/ “Kapiteni qëndron, nuk duam të gabojmë me Shkurtajn”, Gega: Ja si do të jetë Kukësi i ri

Skënder Gega e ka rikthimin e dytë te Kukë si, ku sigurisht këtë herë e pret ndryshe dhe normalisht pritshmëritë për të bërë diçka të mirë i ka të mëdha.

Gega

Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport” tekniku ndalet te gjendja aktuale në kampin verilindor, me largimet që po ndodhin dhe afrimet që priten në ditët në vijim. Ai tani e pret ndryshe situatën, ndërsa nuk ngurron që për shumë çështje të jetë i drejtpërdrejtë dhe në njëfarë mënyre të japë mesazhet e tij.

Gega konfirmon kapiten Gjelbrim Taipin në skuadër, ndërsa dëmtimet e shumta dhe mosaktivizimi ka bërë që të ketë dilema për Shkurtajn. Duke mos preferuar të bëjë premtime, tekniku kërkon që të gjithë në klub t’i përvishen punës dhe të punojnë në shërbim të klubit, për të përligjur kështu edhe shpenzimet e drejtuesve.

Profesor, kur do t’i nisë përgatitjet Kukësi?

Kemi vendosur që të startojnë në datën një korrik. Deri atëherë mendojmë se do të kemi kohë për të përgatitur grupin e lojtarëve, ku siç e dini disa janë larguar nga skuadra me mbylljen e sezonit. Fillimisht ikën Hila me Mustën, më pas De Lukas; tre lojtarë që janë larguar pa ardhur unë ende në skuadër.

Është larguar edhe Marku me Xhikën, të cilëve u përfundoi kontrata. Në çdo sezon kuptohet që do të ketë largime, sepse kështu funksionon gjithandej, disa largohen për arsye ekonomike, disa të tjerë për shkak se nuk kanë dhënë kontribut aq sa duhet.

Dakord, po me ata që mund të qëndrojnë keni folur?

Patjetër, kam biseduar dhe jam vazhdimisht në kontakt. Takimi i parë ka qenë me kapitenin Gjelbrim Taipi, i cili edhe pse në fund të sezonit doli një lojtar i lirë, kemi rënë dakord që të vazhdojmë bashkëpunimin. Ka qenë një nga pikat kyçe te Kukësi dhe është pjesë e projektit. E njoh mirë, sepse kam qenë i pari trajner që i kam dhënë dorën dikur dhe ia njoh cilësitë.

Në përfundim kontrate është edhe Shkurtaj, e shihni pjesë të projektit?

Vlerat e Shkurtajt dihen, por sezonin që lamë pas nuk ka qenë në kondicionin e duhur fizik dhe në njëfarë mënyre është edhe një risk për klubin. Një trajner duhet të mendojë edhe për klubin dhe po shohim për të tjerë lojtarë që mund ta zëvendësojnë. Është shumë e rëndësishme edhe ana shëndetësore për një futbollist, ndaj edhe nuk duam të bëjmë gabime, por t’i marrim gjërat me qetësi.

Gega

Megjithatë, kaq shumë largime mund t’jua vështirësojnë punën për të krijuar një ekip cilësor, sepse diçka e tillë ka ndodhur edhe kur ishit më herët te Kukësi…

Herën e parë ishte një eksperiencë jo e mirë në këtë aspekt, por meqenëse më pyetët dua të sqaroj diçka. Pas Kupave të Europës, përveç Enis Gavazajt, të cilin e pata mbështetur, e largova unë për arsye zgjedhjesh, ndërsa të tjerët u larguan për arsyet e tyre ekonomike apo për interesa të klubit. Nuk i largoi trajneri. Dhe, më pas afrimet u bënë në një kohë të shkurtër dhe nisi kampionati.

Tani është tjetër situatë, kemi më shumë kohë në dispozicion, do t’i vëzhgojmë mirë lojtarët që do të marrim, ata që na duhen. Klubi ynë bashkëpunon me shumë menaxherë, siç është normale, dhe të gjithë ofrojnë lojtarë për t’i parë apo afruar.

Por, duhet të keni diçka parasysh, mua nuk më intereson emri i lojtarit apo kush e sjell, mua më interesojnë cilësitë që ai ka dhe kontributi që jep në fushë. Ata që sjellin kanë rregullat e tyre, por edhe ne kemi tonat. Por, në fund përgjegjësia te përzgjedhja bie mbi mua, ndaj do të shoh me shumë kujdes çdo lëvizje që do të bëjmë në merkato, sepse mua më intereson cilësia e tyre.

Keni marrë garanci nga presidenca për të bërë merkaton që doni?

Ju e dini që në klubin e Kukësit nuk kursehen në këtë aspekt dhe mundohen që të t’i plotësojnë dëshirat. Me mundësitë ekonomike që kanë klubet shqiptare do të bëjmë të pamundurën. Unë kam stërvitur lojtarë që sot luajnë në Serinë A apo La Liga dhe unë mund të kem dëshirë t’i marr, por jo çdo gjë arrihet. Investimi i klubit është i madh, por përzgjedhja duhet bërë me shumë kujdes. Jam i sigurt se me mundësitë që janë, do të bëjmë merkaton që duhet.

Ju vjen keq që u largua De Lukas pa ardhur ju? Ndërkohë, edhe Feizhao thuajse është i larguar…

Është e vërtetë, De Lukas iku para se të vija unë, për shkak se i mbaroi edhe kontrata. Është një lojtar që mund të na bënte punë, por gjithsesi do të shohim përpara. Sa i përket Feizhaos, unë di që ka pasur interesim nga klube të tjera dhe nëse largohet do t’i sjellë një përfitim klubit.

Në të tilla kushte, pavarësisht se kam dëshirë ta kem në skuadër, për aq kohë sa mund t’i sjellë përfitime klubit, për mua është mision i përmbushur. Unë këtu nuk jam vetëm për veten time, por edhe për interesa të klubit dhe nuk mund të bëhem pengesë. Do të shohim për ta zëvendësuar me të tjerë nëse në fund largohet. Ne ndërkohë kemi prioritet dhe do t’u japim mbështetje lojtarëve kuksianë si Dragoshi, Peposhi, Daci, Domi etj.

Këtë sezon do të luani në Kukës, si e shihni?

Është një faktor shumë pozitiv, sepse dihet që mbështetja që ka skuadra në shtëpi është e madhe. Tifozët kanë pjesën e tyre të rëndësishme në një skuadër dhe ata do të jenë një ndihmë për të realizuar objektivat e klubit. Ne do të tentojmë maksimumin dhe t’i kënaqim. Keni mësuar nga “gabimet” në të kaluarën në Kukës dhe çfarë do të jetë ndryshe tani? Dua të them diçka, meqë bëhet fjalë për një rikthim në këtë skuadër.

Ju e dini që u largova pas 11 javësh te Kukësi, duke pasur edhe problemet me COVID-in. Diçka nuk po shkonte në klub dhe unë mora përgjegjësitë e mia, sepse shumë mirë edhe mund të delegoja përgjegjësi. Situatat ndryshojnë nga viti në vit dhe të gjithë mësojnë të mos bëjnë të njëjtat gabime. U kam besuar shumë njerëzve në klub dhe jo të gjithë punonin për interesin e klubit. Nëse nuk punojnë të gjithë bashkë për interesat e klubit, nuk mund të arrish asgjë. Tani është ndryshe situata, edhe unë kam mësuar nga gabimet, të gjithë mësojmë.

Stafin e keni përzgjedhur se cili do të jetë?

Mund të them që e kam përzgjedhur, por nuk është momenti për t’i bërë të ditura. Mund të konfirmoj se do të vazhdoj të kem në krah Pero Pejiçin në klub, për kontributin që ai ka dhënë në këtë klub vitin e kaluar, por edhe si një ish-lojtar që ka bërë historinë me këtë klub. Do të qëndrojë edhe Iris Selimi gjithashtu.

Për pjesën tjetër besoj se këto ditë do të bëhet e ditur se cilët do të jenë. Edhe diçka, se presidenti e përmendi vetë në konferencë ditën e prezantimit tim, që nëse largohet trajneri, largohet i gjithë stafi. Ka qenë një kërkesë e imja kjo, sepse përgjegjësia në fund është e të gjithëve dhe kështu funksionon në të gjithë botën. Tani duhet t’i përvishemi të gjithë punës dhe të bëjmë më të mirën për klubin dhe të arrijmë objektivat.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"