EKSKLUZIVE/ Kaos te Luftëtari, klubi pezullon dy titullarë sepse…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 20, 2020 | 12:31

EKSKLUZIVE/ Kaos te Luftëtari, klubi pezullon dy titullarë sepse…

Pak ditë para ndeshjes me Vllazninë, ka pezullime te Luftëtari. Nuk bëhet fjalë për çështje kartonësh, por për masa të marra nga vetë klubi. Gjirokastritët kanë ndëshkuar sulmuesin Gresild Lika dhe mesfushorin Erald Hyseni. 

gresild lika

“Panorama Sport” mëson se kjo masë është marrë për thyerje disipline. Në ndeshjen e fundit ndaj Flamurtarit, Lika është mërzitur pas zëvendësimit dhe ka shkuar direkt në dhomat e zhveshjes, duke hequr edhe fanellën në ecje e sipër. Ndërsa beratasi që e nisi nga stoli sfidën e fundit, mësohet se pas nxehjes për disa minuta, kur ka mësuar se nuk do të aktivizohet si zëvendësimi i tretë, nuk ka preferuar të qëndrojë në pankinë, por ka shkuar direkt në tunel. Gazeta zbulon se sipas asaj që u kanë bërë të ditur pjesëtarët e stafit, Hysenit i privohet e drejta e aktivizimit nga 2 deri në 4 ndeshje, ndërsa Likës nga 1 në 3 ndeshje.

 

REAGIMET – Gazeta kontaktoi me vetë lojtarët dhe ata e konfirmuan masën e marrë nga klubi. Gresild Lika e pranon se ka gabuar, ndërsa premton se do të stërvitet dyfish. “Jam dënuar 1-3 ndeshje, por trajneri më tha se mund të mungoj vetëm në një ndeshja, duke më vlerësuar për kontributin tim në ekip. Jam i sinqertë dhe e pranoj se gabova në momentin e zëvendësimit në ndeshjen me Flamurtarin, pasi nuk reagova mirë. Tani duhet të shoh para, të stërvitem me motiv të dyfishtë për çdo ditë”, tha 22-vjeçari, autori i golit të barazimit me Teutën në minutën e 94-t.

erald hyseni

Ndërsa Erald Hyseni për këtë çështje shkurtimisht tha: “Trajneri më tha për dënimin nga 2-4 ndeshje për thyerje disipline. Nuk mund të them asgjë më shumë. Unë do stërvitem çdo ditë me shokët për të qenë i gatshëm atëherë kur ta shohin të arsyeshme drejtuesit”.

PËRGATITJET – Gjirokastritët janë duke vijuar përgatitjet me dy seanca stërvitore në ditë për të qenë gati për Vllazninë. Të shtunën ata do të jenë mysafirë në “Loro Boriçi”, ku do tentojnë të mos dalin pa pikë. Stafi teknik i Luftëtarit për ta përgatitur sa mirë këtë ndeshje, vëmendje të veçantë i kushtoi përgatitjes fiziko-taktike. Finalizimi mbetet shqetësim më vete për ta. Me këtë motiv u ndalën në pjesën më të madhe të seancave të djeshme, te perfeksioni i gjuajtjeve në portë. Pas ushtrimeve të lehta fizike dhe aerobike, lojtarët zhvilluan edhe lojëra në grup. “Shfrytëzoni momentin që ju vjen, mos i jepni kohë mbrojtjes kundërshtare të vendoset”, këto ishin disa nga këshillat e Nikolin Çoçllit në adresë të lojtarëve të ofensivës.

Tomor Shehu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"