Ekskluzive/ Kaos në KOKSH, Bezhani shkarkon Bellon dhe u kërkon federatave ta injorojnë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 19, 2019 | 9:14

Ekskluzive/ Kaos në KOKSH, Bezhani shkarkon Bellon dhe u kërkon federatave ta injorojnë

Situata në Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar vijon të jetë e rënduar duke e kthyer këtë institucion në fantazmë që vetëm në shërbim të sportit nuk mund të jetë. Përplasjet ndërmjet presidentit Viron Bezhani dhe sekretarit Stavri Bello sa vijnë e përshkallëzohen.

viron bezhani

Çështja ka përfunduar deri në prokurori, ku Bezhani ka bërë tri kallëzime për Bellon. Mësohet gjithashtu se sekretari Bello u ka dërguar një shkresë të gjitha federative sportive, ku thuhet se Komiteti Ekzekutiv e ka pezulluar presidentin Bezhani. Ndërsa ky i fundit është kundërpërgjigjur, duke i njoftuar gjithashtu federatat që të ndërpresin të gjitha marrëdhëniet me Stavri Bellon, të cilin tashmë e quan ish-sekretar.

Madje Bezhani deklaron se edhe një pjesë e anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv e kanë humbur tashmë mandatin e tyre, pasi nuk janë paraqitur në tri mbledhje radhazi. Bezhani nëpërmjet një deklarate u bën apel të gjitha federatave që të bashkohen e t’i bëjnë ballë këtij uzurpimi, të cilin ai e quan puç institucional.

 Deklarata e presidentit të KOKSH, Viron Bezhani

 “Të Nderuar Znj.Z., Siç jeni në dijeni edhe mediatikisht, tashmë brenda KOKSH është duke u tentuar një puç institucional i cili është duke u drejtuar nga ish-sekretari Stavro Bello dhe disa ishanëtarë të Komitetit Ekzekutiv. Këta të fundit kanë uzurpuar zyrat e KOKSH, vulën dhe të gjithë dokumentacionin përkatës të KOKSH dhe janë duke kryer çdo veprim për të shkatërruar KOKSH dhe për të zhdukur demokracinë e brendshme dhe organet e ligjshme të KOKSH. Së fundmi, jam në dijeni se ish-sekretari Stavro Bello së bashku me disa ish-anëtarë të Komitetit Ekzekutiv kanë dërguar një shkresë pranë jush duke ju keqinformuar se kanë pezulluar presidentin e KOKSH. 

Ju sqaroj se këto janë tentativa të dëshpëruara për të denigruar emrin e KOKSH dhe për të përçarë komunitetin sportiv dhe me synimin e qartë për të realizuar puçin e tyre institucional, duke përjashtuar zbatimin e demokracisë, ligjit dhe Statutit të KOKSH dhe me synimin final uzurpimin dhe “privatizimin” final të KOKSH. Ju sqaroj se ndaj Z. Stavro Bello janë paraqitur tri kallëzime penale që janë duke u ndjekur nga policia dhe prokuroria; ndaj këtyre ish-anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv të papërgjegjshëm është paraqitur kallëzim penal dhe këto çështje janë duke u ndjekur në vijim dhe këta persona do të përballen me drejtësinë për veprat që kanë kryer. 

Gjithashtu për shpifjet dhe fyerjet që kanë paraqitur janë paditur penalisht nga ana ime si president. Ju njoftoj se presidenti i KOKSH është në detyrë dhe asnjë informacion apo veprim i ish-sekretarit Stavro Bello nuk është i vërtetë dhe i ligjshëm. Ju kërkoj të mos ndërveproni dhe të mos pranoni asnjë korrespondencë me ish-sekretarin e përgjithshëm Stavro Bello apo me persona të papërgjegjshëm pranë tij. Ju njoftoj se Stavro Bello për abuzime të rënda në detyrë, për shkelje të rënda të ligjit dhe Statutit është shkarkuar nga detyra dhe nuk ka asnjë marrëdhënie me KOKSH.

 Ju njoftoj se një pjesë e këtyre ish-anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv për shkak se nuk janë paraqitur në tri mbledhje radhazi, tashmë nuk kanë mandat si anëtarë të Komitetit Ekzekutiv. Si president kam konstatuar mbarimin e këtyre mandateve dhe kam ftuar të zgjedhurit e radhës nga Asambleja e fundit zgjedhore të marrin këto mandate dhe së shpejti do të mbahet edhe mbledhja e ligjshme e Komitetit Ekzekutiv. Si president i KOKSH i zgjedhur prej jush, si një sportist dhe mik i sportit, ju kërkoj që së bashku t’i bëjmë ballë kësaj tentative për të uzurpuar KOKSH nga këta persona keqdashës ndaj sportit. 

Ju sqaroj se do të luftoj me çdo mjet ligjor për të mbrojtur KOKSH dhe të gjithë këta persona të papërgjegjshëm do të mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre të paligjshme, dëmin që i kanë shkaktuar KOKSH dhe të gjitha abuzimet e kryera në kurriz të sportit dhe sportistëve. Ju kërkoj zyrtarisht të injoroni çdo shkresë të ish-sekretarit Stavro Bello dhe çdo shkresë të ish-anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv. Ju ftoj që të bashkohemi për të mbrojtur KOKSH. Me Respekt, Viron Bezhani President KOKSH”.

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"