EKSKLUZIVE/ “Kanë 20 lojtarë cilësorë, ia del edhe në Kukës”, Shtubina: Egnatia meriton Europën, e kisha paralajmëruar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 29, 2023 | 18:11

EKSKLUZIVE/ “Kanë 20 lojtarë cilësorë, ia del edhe në Kukës”, Shtubina: Egnatia meriton Europën, e kisha paralajmëruar

Qoftë si futbollist apo kapiten, por edhe si drejtor apo tani në rolin e trajnerit të U21, Egnatia ka qenë me fat që ka pasur në radhët e saj një profesionist si Ndriçim Shtubina.

NDRICIM SHTUBINA

Angazhimet serioze të tij janë materializuar kudo me rezultate konkrete. Ka qenë ideues që në verën e shkuar si drejtor i Egnatias aktuale në Kategorinë Superiore, ku ecuria flet qartë si në kampionat ashtu dhe në Kupë. Madje Shtubina edhe si drejtues i ekipit U-21 po bën mirë, pasi e mori skuadrën kur qëndronte në vendet e fundit dhe tani e ka ngjitur në katërt.

Po kështu ka bërë edhe me skuadrën U-19, që ka marrë 7 fitore radhazi. Dje, në intervistën për “Panorama Sport”, Shtubina foli për ecurinë e Egnatias, pikërisht atë që prek dhe reflekton përditë në punën e tij. Shtubina ka qenë ndër të parët në verën e vitit të kaluar që deklaroi se klubi rrogozhinas do të ketë synim një vend në Europë dhe tashmë besimi i tij për ekipin e ndërtuar po konfirmohet me rezultate.

Ndriçim, nga drejtor i Egnatias në pozicionin e trajnerit të ekipit U-21 të klubit rrogozhinas. Çfarë ka ndryshuar te modeli dhe misioni i punës suaj aktualisht?
E kam menduar gjithmonë pozicionin e trajnerit, që po e ushtroj prej tre muajsh tek Egnatia U-21. Por, edhe kur isha drejtor kam kaluar super. Angazhimi im është gjithnjë e më i madh, sepse më motivon atmosfera pozitive që prej kohësh mbizotëron tek Egnatia. Kjo është në çdo aspekt dhe unë jam i kënaqur me punën që bëj.

Fituat pak ditë më parë me goleadë ndaj Kukësit U21. A është ky një paralajmërim se edhe për ekipin e parë verilindor, që të shtunën pret Egnatian në ndeshjen e të rriturve?
Më gëzoi ajo fitore 5-2, pasi skuadra U-21 e Egnatias pozicionohet tani në vendin e katërt në kampionat. Kur unë e mora këtë ekip ishte në vendet e fundit. Te kjo fitore veçoj edhe lojën tonë të mirë, e përmirësuar dukshëm. Për sa i takon ndeshjes së të rriturve këtë të shtunë, nuk besoj se ka lidhje me fitoren e U-21. Do të jetë diçka krejt tjetër për të dyja ekipet.

Çfarë elementësh të rinj po afirmohen aktualisht tek Egnatia?
Kemi një bashkëpunim të mirë mes ekipeve U-19 dhe U21, që unë i stërvit vetë me skuadrën e të rriturve. Sigurisht lojtarët më të mirë me mirëkuptim me drejtuesit e klubit ne i kemi çuar të stërviten me ekipin e parë dhe kjo ka dhënë shumë efekte për ata që ne i quajmë jo thjeshtë të perspektivës. Momentalisht nuk dua të veçoj individë për arsye që janë të kuptueshme.

E treta në kampionat dhe në gjysmëfinale të Kupës. A është Egnatia tani vetëm një hap larg Europës?
Egnatia po ecën shumë mirë. E kam thënë edhe më parë se Egnatia është vetëm një hap larg Europës. Konfirmimin më të qartë të situatës pozitive aktuale e shpreh renditja në kampionat dhe kualifikimi historik për herë të parë në gjysmëfinalen e Kupës. Skuadra pret shortin këtë javë, të njohë edhe kundërshtarin që do të ketë përballë.

Egnatia luan një transfertë delikate këtë javë, ku përveç mungesave ka edhe disa rikthime të rëndësishme në skuadër. Çfarë ndeshjeje prisni në Kukës?
Për çdo skuadër mungesat janë problem, por Egnatia ka shumë lojtarë të mirë. Organika e tanishme me 20 futbollistë ka treguar se të gjithë janë të aftë dhe të denjë për të shpalosur denjësisht vlerat e tyre, qoftë kur futbollistët luajnë si titullarë, ashtu edhe në rolin e zëvendësuesit. Kjo konkurrencë i ka bërë vërtet mirë grupit.

Në transferta Egnatia luan më lirshëm dhe merr rezultate maksimale në krahasim me ndeshjet brenda. A mundet që edhe këtë të shtunë kjo skuadër të vazhdojë me fitore?
Vërtet Egnatia ka luajtur më mirë jashtë, se sa në shtëpinë e saj. Kjo ndeshje me Kukësin, që është rritur shumë gjatë takimeve të fundit si ekip, është për Egnatian një tjetër rast për të treguar potencialin e saj si një skuadër me ide dhe objektiva të qarta.

FATMIR EFICA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"