Ekskluzive/ Kamzës i ikën trajneri, i bën ofertë një ishi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 6, 2018 | 20:43

Ekskluzive/ Kamzës i ikën trajneri, i bën ofertë një ishi

Ndodhi ajo që pritej dhe ishte paralajmëruar vetëm dy ditë më parë nga “Panorama Sport”. Trajneri italian, Pietro Vierkovud, i prezantuar në muajin qershor nga drejtuesit e Kamzës, nuk do të jetë në krye të skuadrës. Pas afro një muaji që nga takimi në kryeqytet, palët nuk kanë gjetur një marrëveshje, nisur edhe nga fakti se kërkesë-oferta nuk është përputhur.

Kamza56

Gazeta mëson se fillimisht italiani nuk shfaqi pretendime të larta financiare, por më pas, në kërkesat që bëri, habiti disi drejtuesit. Mësohet se Vierkovud kishte vendosur si kusht në kontratë që pas çdo fitoreje në kampionat, të merrte një premio prej 800 eurosh, madje shpërblim të përfitonin edhe dy ndihmësit e tij. Gjithashtu, italiani kërkonte jo vetëm premio për fitore, por për çdo pikë të marrë.

Kësisoj, drejtuesit e Kamzës janë tërhequr dhe Vierkovud nuk e ka firmosur kontratën. Vetë klubi, përmes faqes zyrtare në “Facebook”, sqaronte dje se do të prezantojë shumë shpejt trajnerin e ri. “Ekipi do të nisë stërvitjen të hënën, në kuadër të përgatitjeve për sezonin 2018-2019.

Të pranishëm do të jenë të gjithë lojtarët nën kontratë, por sigurisht do të ketë edhe prurje të reja, që do të testohen nga ana e stafit teknik. Trajneri i ri do të vendoset brenda kësaj jave dhe do të behet publik për mediat dhe opinionin sportiv shumë shpejt”, ishte njoftimi i klubit të Kamzës në “Facebook”. Ndërkohë, burime të sigurta në klubin kamzali, i treguan dje gazetës se presidenti Naim Qarri po shqyrton disa alternativa për t’i besuar stolin.

devolli agolli

Sipas të gjitha gjasave, trajneri i ri i Kamzës do të jetë gjirokastriti Bledar Devolli, i cili pati një meritë të madhe në ngjitjen e Kamzës në Superiore dy sezone më parë. Tashmë pritet konfirmimi zyrtar nga klubi, ndërkohë që së fundmi Devolli ka drejtuar me sukses klubin kosovar KEK, duke e ngjitur në Vala Superliga. Mësohet se nga grupi i sezonit të kaluar, klubi ka në plane vetëm 10 lojtarë, të cilët janë nën kontratë edhe për një sezon.

ABDULLA DUSHKU

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"