Ekskluzive/ Kamza bllokon Frashërin, Skënderbeu zbulon sot besnikët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 5, 2018 | 10:19

Ekskluzive/ Kamza bllokon Frashërin, Skënderbeu zbulon sot besnikët

Sot është dita e së vërtetës te Skënderbeu. Bardhekuqtë do të nisin kështu zyrtarisht përgatitjet për sezonin e ri 2018-2019 nga stadiumi Skënderbeu në Korçë rreth orës 16.30 kur presidenti Ardjan Takaj do të prezantojë trajnerin e ri të Skënderbeut përmes një konference për shtyp. Në të tilla kushte pritet që sot të merret vesh përfundimisht se cilët janë lojtarët që i kanë qëndruar besnik Skënderbeut edhe pas këtij kaosi që u përfshi këtë prag sezoni dhe cilët kanë qenë ata që do të ndërrojnë ambient sezonin e ri. Një gjë është e sigurt: se në Korçë pritet të ketë surpriza ditën e sotme.

Frasheri

Gjithçka lidhet kryesisht me të ardhmet e Tefik Osmanit, Gledi Micit, Kristi Vangjelit dhe Gjergji Muzakës, të cilët njëkohësisht mund të quhen edhe veteranët e ekipit. Këta lojtarë ende nuk e kanë thënë fjalën e fundit në lidhje me të ardhmen, teksa më shumë se kushdo Gledi Mici duket më pranë largimit. Tre futbollistët e tjerë janë ende të pavendosur se çfarë do të bëjnë dhe shkaqet kryesisht janë ato financiare. Ndër këta futbollistë, Gjergji Muzaka duket se ka dhënë një përgjigje pozitive rreth vazhdimit të karrierës së tij në Korçë, por një gjë e tillë ende nuk është bërë zyrtare.

Skenderbeu3-470x313

Aq më tepër që ditët e fundit po qarkullojnë zëra se Muzaka mund të sistemohet në Vlorë, sërish te Flamurtari, atje ku Ilir Daja duket se e pret krahëhapur. E njëjta gjë flitet edhe për Tefik Osmanin që duket se është i dyzuar për të zgjedhur ekipin për sezonin e ri. Korça e mban të lidhur për çështje zemre dhe ndjenjash, ndërsa nga ana tjetër Flamurtari i Dajës dhe Teuta e Shkëmbit janë në pritje të përgjigjes nga mbrojtësi korçar. Gjithsesi, këto janë pistat e mundshme për sistemimin e këtyre lojtarëve, teksa pritet që dita e sotme pas takimit me Ardjan Takajn të zbardhë shumë pikëpyetje edhe për të ardhmet e këtyre futbollistëve.

Lushnja Skenderbeu

PROBLEMET ME FRASHËRIN Në anën tjetër, Skënderbeu ka lëvizur disi edhe për sa u përket afrimeve të reja në ekip. Pas largimit të lojtarëve të rëndësishëm si Soue, Xhejms apo edhe Lilaj bardhekuqtë kërkojnë që të mbushin ekipin me elementë të rinj. Kështu që përveç rikthimit të Oto Xhon, si dhe dy “titullarëve” si Lulaj e Hoxhaj që do të shfaqen sot në Korçë, bashkë me ta pritej edhe Erlis Frashëri, por duket se situata është komplikuar.

Frasheri

Kjo, pasi mbrojtësi rezulton se ka kontratë 2-vjeçare me klubin e Kamzës. Korçari e kishte arritur akordin në parim me Skënderbeun dhe pritej që të prezantohej sot, por zyrtarët e Kamzës nuk ia kanë dhënë lejekalimin. Ndërkaq, burime nga klubi bëjnë me dije se është arritur një akord në parim edhe me tre futbollistë nga Amerika Latine. Ende nuk dihen emrat e tyre, por janë lojtarë që luajnë kryesisht në mesin e fushës, por edhe në repartin e avancuar të sulmit. Gjithsesi ora 16:30 pritet që të zbulojë shumëçka nga Skënderbeu i ri i sezonit 2018- 2019.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"