EKSKLUZIVE/ “Kampionat me 14 ekipe dhe të ulim 20 % rrogën për dy muaj”, Jonuz bën propozimin e veçantë për FSHF-në dhe klubet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga bota e sportit

Postuar: Prill 4, 2020 | 0:12


EKSKLUZIVE/ “Kampionat me 14 ekipe dhe të ulim 20 % rrogën për dy muaj”, Jonuz bën propozimin e veçantë për FSHF-në dhe klubet

Trajneri i Vllaznisë, Mirsad Jonuz, ka bërë një propozim të veçantë për FSHF-në dhe klubet e Superiores në këtë situatë të jashtëzakonshme që po kalon vendi. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, ai deklaroi se institucioni i futbollit shqiptar duhet të zgjerojë Superioren me 14 ekipe për sezonin e ri.

JONUZ

Ndërsa për krizën financiare ai bëri thirrje që për muajt prill dhe maj trajnerët dhe lojtarët të falin 20 % të pages, për të minimizuar sadopak dëmet që kanë klubet. Gjithashtu boshnjaku që jeton në Maqedoni, foli edhe për lojtarët, pikërisht për atë se sa ditë do t’u duhen të jenë gati pas kthimit.

Përshëndetje zoti Mirsad, si po i kaloni këto ditë të vështira?

Një përshëndetje përmes “Panorama Sport” për të gjithë qytetarët shqiptarë dhe veçanërisht ata shkodranë. Unë jam mirë me shëndet dhe mundohem të respektoj rregullat. Çdo ditë flas me pjestarët e klubit të Vllaznisë dhe të gjithë presim që situata të qetësohet. Në këtë mënyrë, unë u dërgoj një mesazh lojtarëve të mi, që të jenë aktivë dhe të presim një vendim se kur do të fillojmë stërvitjen.

Sa do të duhet për të rimarrë veten lojtarët pas rikthimit në fushë?

Unë mendoj se në momentin që do të rikthehemi, kemi nevojë për 15 ditë për t’u përgatitur dhe për të qenë gati për pjesën e mbetur të sezonit.

Sipas të gjitha gjasave kampionati rinis në fund të majit ose fillim të qershorit. Si mendoni se duhet të veprojë FSHF-ja për garën?

Meqë po më pyesni për këtë temë, unë kam një propozim tjetër për Federatën. Natyrisht kjo është thjesht një ide e imja.

jONUZ

Po, mund të na i thoni…

Propozimi im për FSHF-në është që të zgjerojë Ligën, pra nga 10 klube që jemi aktualisht, ta bëj 14 klube vetëm për sezonin që vjen. Pastaj, në fund të sezonit tjetër, të bien direkt katër ekipe nga Superiorja. Nuk mendoj se me këtë ide do të kishte pakënaqësi. Gjithashtu mendoj se Kupa duhet të ndahet në dy grupe me nga katër skuadra, ku dy të parat e grupeve të ndeshen në gjysmëfinale.

Klubi shkodran po has vështirësi sa u përket likuidimit të pagave të lojtarëve dhe stafit. Keni një apel për bashkinë?

Në këtë situatë problemet financiare janë të mëdha. I bëj thirrje Federatës, Parlamentit dhe Bashkisë, që të ndihmojnë futbollin shqiptar. Në fund të fundit futbolli është shumë i rëndësishëm për të gjithë qytetarët. Unë sugjeroj që të gjithë lojtarët dhe trajnerët në Superiore, të ulin pagat e tyre me 20% për muajt prill dhe maj.

ADMIR URUÇI




Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/

www.minuta90.com