EKSKLUZIVE/ “Kampion nuk i nxjerr unë ekipet”, Ilir Daja: Jemi gati, ja plani për mbrojtjen

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 14, 2020 | 22:59

EKSKLUZIVE/ “Kampion nuk i nxjerr unë ekipet”, Ilir Daja: Jemi gati, ja plani për mbrojtjen

Për trajnerin Ilir Daja, te Partizani nuk ka vend për pakënaqësi dhe alibi, por vetëm për punë dhe pak fat në start, si dhe përballimin e mungesave gjatë kampionatit. Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport” pas miqësores me Dinamon, trajneri Daja pohon se i pëlqen grupi që ka në dispozicion, ndonëse kanë mangësi në një repart.

Daja2

Timonieri i të kuqve pohoi për gazetën se Partizani është gati për fillimin e sezonit, si dhe tregoi se si do plotësojë mangësitë në fazën mbrojtëse, kur dihet se merkatoja e bllokuar nuk i la të bënin afrimet e duhura. Daja nuk do të flasë për objektiv specifik që tani.

Si ju duket grupi që keni në dispozicion dhe a jeni i kënaqur me ekipin?

Kur dihet se jemi një javë para fillimit të kampionatit, një trajner, nëse do të thotë se nuk më pëlqen grupi, do të thotë që ka bërë zgjedhje jo të mirë. Kështu që nuk qëndron shprehja se nuk më pëlqen grupi.

Grupi më pëlqen dhe ajo që dua të them, por edhe që e kam shprehur, është se ekipi ka lojtarë cilësorë, vetëm se ata i kemi të shpërndarë në dy reparte. Kemi mangësi në një repart, që do të thotë se nëse do të kishim mundësi, që tani nuk ekzistojnë më, do të plotësonim repartin ku kemi vakuum lojtarësh. Megjithatë, do të përpiqemi që me grupin që kemi në dispozicion, të gjemë mënyrën më të mirë të lojës, pra një manovër që me cilësitë dhe kontingjentin ta kemi të gjithë në fushë pa prishur ekuilibrat.

Mbrojtja dhe gjetja e ekranit ju kanë shqetësuar më së shumti, si do të veproni për t’i rikuperuar këto probleme?

Filozofia ime është që ekipi duhet të mbrojë i gjithi. Pra në fazën e mbrojtjes do të marrin pjesë të gjithë filtrat, duke filluar nga sulmi që është filtri i parë, i shoqëruar më pas nga mesfusha dhe mbrojtja. Një ekip nuk mund të mbrojë me 4 apo 5 lojtarë, sepse në një lloj manovre të tillë je i dështuar.

A është gati ekipi për fillimin e sezonit?

Ne jemi gati për të filluar sezonin, sigurisht me mundësitë që kemi për momentin, sepse gjithçka nuk mund të bëhet brenda një muaji. Kemi bërë fiks një muaj që kemi nisur me përgatitjet në terren dhe me ndryshimin e stafit dhe grupit të lojtarëve, sigurisht që do të duhet një kohë pak më e gjatë, por fillimi i kampionatit dhe marrja e rezultatit nuk ta lejon këtë luks. Ndaj, do të përpiqemi që të hyjmë dhe të jemi pragmatistë dhe t’i marrim ndeshjet me radhë.

Daja Pollozhani

Deri ku mund të shkojë ky Partizan dhe cilët janë objektivat sezonalë?

Nuk mund të ngremë alibi nga problemet që kemi. E para, do të luajmë një kampionat me 23 javë, ku do të ketë ngarkesa me kartonë apo dëmtime, që pa dyshim është një problem shqetësues për ne. Besoj që të jemi mirë në start se pastaj do të kemi kohë që të konsolidohemi. Kështu që duhet të arrijmë objektivat afatshkurtër për të parë më pas se çfarë mund të ndodhë deri në fund.

Si trajner kampion, a mund ta nxirrni edhe Partizanin kampion?

Edhe kur kam dalë kampion, nuk është se i kam nxjerrë unë ekipet. Suksesi ka qenë bashkëpunimi. Një ekip që të shkojë drejt majës së objektivit, gjithmonë duhet që të funksionojnë të gjitha hallkat bashkë për të bërë të mundur realizimin e qëllimit final.

MARIGLEN MIRAKA – PANORAMASPORT.AL

 

LEXO EDHE: 

Nga Sabjen Lilaj te Bõle, ku përfunduan të piketuarit e Partizanit në merkato

 

Fillimi i Kategorisë Superiore duket ende larg, Partizani ikën nga Shqipëria dhe shkon në…

 

VIDEO/ Partizani fitoi derbin ndaj Dinamos në miqësore, shikoni golat dhe rastet e ndeshjes

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"