EKSKLUZIVE/ “Kam patur kontakte nga klubi turk”, rrëfehet futbollisti i Partizanit: Ja momenti më i errët i karrierës (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 2, 2020 | 0:06

EKSKLUZIVE/ “Kam patur kontakte nga klubi turk”, rrëfehet futbollisti i Partizanit: Ja momenti më i errët i karrierës (E PLOTË)

Partizani i këtij sezoni ka patur luhatje të shumta dhe mbrojtja ka qenë reparti që ka humbur më shumë shkëlqimin. Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport” mbrojtësi i të kuqve, Eneo Bitri, i pranon luhatjet e skuadrës dhe sipas tij, të gjithë duhet të marrin përgjegjësitë për situatën e krijuar.

bitri

Sa i përket repartit defensiv, beratasi pohon se Partizani nuk ka mbrojtje të dobët dhe rezultatet vijnë si grup dhe jo me reparte. Kartonin e kuq që mori në derbin e fundit, ku Partizani nga avantazhi 0-1, e mbylli me humbjen 5-1, Bitri e quan si momentin më të hidhur dhe të errëtin në karrierën e deritanishme.

Sipas tij, “demat” nuk e meritonin atë rezultat përfundimtar. Ndërsa suksesin në derbin e parë të këtij sezoni e ka shijuar më shumë. 23-vjeçari konfirmon interesimin për të nga turqit e Ligës së Parë, por duke qenë nën kontratë me “demat”, të ardhmen ia lë në dorë Partizanit.

Si ia keni kaluar me izolimin dhe sa e vështirë ka qenë për ju si futbollist që të përshtateni me këtë realitet të ri?

Me thënë të drejtën është një periudhë mjaft e vështirë për të gjithë ne që jetojmë me sportin, sepse na mungon fusha, ambienti sportiv. Pra, na mungon gjithçka që ka lidhje me aktivitetin e një sportisti.

Si jeni përgatitur gjatë kësaj periudhe dhe sa mendoni se do ju vlejë kjo ngarkesë që keni marrë në karantinë?

Jemi duke vazhduar programin që na ka dhënë trajneri, duke u stërvitur vazhdimisht “online”. Gjithashtu, jemi munduar kur kemi kohë të lirë që ta shfrytëzojmë duke bërë një program veçmas, me vrapime dhe gjëra që kemi mundësi t’i bëjmë.

Akoma nuk ka një datë se kur mund të rinisë kampionati. Sipas jush, sa kohë ju duhet që të përgatiteni para se të hyni në aktivitet?

Shpresojmë që kampionati të rinisë sa më shpejt që të jetë e mundur. Mendoj se do na duhen më shumë se 2 javë për t’u përgatitur fort në mënyrë që të rikthehemi akoma më të fortë në fushë.

boldor belica bitri broja

Partizani ka shfaqur shumë luhatje duke mos patur ngjashmëri me sezonin e titullit, ku kemi patur edhe ndryshime në pankinë.  Çfarë ka ndikuar në këtë ecuri?

Po, është e vërtetë. Kemi patur luhatje në rezultat dhe gjërat nuk kanë shkuar ashtu siç ne mendonim. Duhet t’i marrim të gjithë përgjegjësitë tona për këtë situatë të krijuar.

Për momentin ndodheni jashtë zonës europiane, a besoni se do ta arrini këtë objektiv minimal me rifillimin e kampionatit dhe ku mund ta mbyllë Partizani sezonin?

Mendoj se në këto ndeshje që na kanë mbetur do të luftojmë duke dhënë maksimumin për të kapur objektivin Europë. Është një nga gjërat kryesore që na ka mbetur këtë sezon.

Mbrojtja ka qenë një nga pikat më të forta të Partizanit në sezonet e fundit. Këtë vit ka patur shumë pasiguri, gjë të cilën e tregojnë edhe 3 autogola.  Sipas jush, pse ka ardhur ky fenomen?

Nuk mendoj se është një mbrojtje e dobët, sepse nuk luajnë vetëm 4 veta në ekip. Ne humbasim të gjithë si skuadër, si dhe fitojmë po të gjithë bashkë. Sa u përket autogolave, nuk jemi as të parët dhe as të fundit që na ndodhin këto gjëra. Shpresojmë të mos na ndodhin më.

Cili ka qenë momenti më i mirë dhe më i hidhur për ju në këtë sezon?

Po e nis me më të hidhurin, që pa dyshim ka qenë edhe momenti më i errët i karrierës sime deri tani. Bëhet fjalë për kartonin e kuq ndaj Tiranës, ku e lashë skuadrën me 10 lojtarë dhe humbëm një ndeshje jo të merituar. Nuk e meritonim atë rezultat përfundimtar. Ndërsa momenti më i bukur ka qenë derbi i parë i këtij sezoni që e fituam. Më shijoi shumë, duke qenë se ishim skuadra mike. Ka qenë një natë e gjatë dhe e paharrueshme për mua.

Gjatë ditëve të fundit ka patur zëra për një interesim nga Menemenspor në Turqi për ju. Mund të na sqaroni si është e vërteta dhe çfarë planesh keni për të ardhmen?

Po, është e vërtetë, kam patur kontakte nga klubi i Menemensporit, por ia kam lënë gjithçka në dorë klubit. Jam akoma nën kontratë me Partizanin. Sa i përket të ardhmes mendoj se ndihem shumë mirë këtu te Partizani. Po doli diçka për jashtë vendit, e mirëpres, por siç thashë, janë drejtuesit e klubit që vendosin për të ardhmen time

ILIR CARA – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"