EKSKLUZIVE/ “Kam gjetur strehë në Durrës pas luftës”, Llullaku: Nëse do të ishte trajneri i shkuar… (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 2, 2019 | 20:01

EKSKLUZIVE/ “Kam gjetur strehë në Durrës pas luftës”, Llullaku: Nëse do të ishte trajneri i shkuar… (E PLOTË)

Azdren Llullaku është rikthyer te goli pas një mungese prej më se tetë muajsh. Sulmuesi shqiptar i ka dhënë fitoren skuadrës së Shahtjor Soligorskut në ndeshjen e fundit të kampionatit. Ekipi bjellorus e përfundoi vitin në vend të tretë, duke siguruar një biletë në fazën kualifikuese të Ligës së Europës, ndërkohë që për sulmuesin kuqezi ishte goli i parë në pesë ndeshje që është aktivizuar në kampionat.

Llullaku

Në minutën e nëntë, sulmuesi merr një pasim në qendër të zonës dhe ka qetësinë dhe saktësinë e duhur për të realizuar. Gol që me gjithë minutat e shumta në vijim, ka mbetur në fuqi duke i dhënë 3 pikët Shahtjor Soligorskut ndaj Gorodejas.

31-vjeçari, në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, flet për sezonin dhe vështirësitë atje, vazhdimësinë, Kombëtaren dhe shpresën për rikthim si dhe situatën në vendin tonë prej tërmeteve. “Në Durrës kam qëndruar pas luftës dhe kam gjetur ndihmë”, tregon ndër të tjera sulmuesi dhe më tej shpjegon edhe veprimin e tij dhe të familjes në këtë situatë.

Azdren, ju ka munguar goli me ekipin në kampionat që nga muaji maj. Si u ndjetë që shënuat pas kaq kohësh? 

Ka qenë një moment i vështirë për mua, që nga koha kur kam ardhur te Soligorsk. Në fillim kam qenë jashtë skuadrës për shkak të një dëmtimi. Më tej, për disa të tjera probleme që trajneri kishte. Jo direkt me mua, por kam paguar edhe unë që të mos luaj. Gjithsesi, ky është futbolli. Skuadra ka ndërruar trajner, i cili sapo erdhi më ka dhënë besim. Për fat, arrita të bëj një ndeshje të mirë dhe të shënoj një gol.

Çfarë problemesh keni pasur në skuadër?

Probleme sipërfaqësore. Nuk dua të flas rreth tyre, por isha unë që pagova. Për fat ka kaluar ky moment dhe ka ardhur koha të tregoj veten. Jam shumë i kënaqur që sezoni përfundoi mirë dhe tani pres edicionin tjetër me shpresën që ta filloj sa më mirë.

Çfarë ndjesie është kur rikthehesh te goli? 

Shumë e mirë. Më në fund u ndjeva i çliruar. Megjithatë, rëndësi ka që ekipi të fitojë. Realisht, një sulmues ka nevojë për gola që të ndihet mirë.

Si do të jetë vazhdimi juaj me Soligorsk?

Do vazhdoj të jem pjesë e këtij ekipi. Kam biseduar me trajnerin e ri dhe ai kërkon që unë të qëndroj. Normale, nëse do të ishte trajneri i shkuar, do të kisha ndërruar ekip.

llullaku

Si e gjeni veten atje, me ekipin, klubin, kampionatin? Po familja juaj?

Mirë është. Gjithçka në rregull. Vendi është i mirë dhe unë jam ambientuar edhe me ekipin. Gjithashtu, edhe familja është në rregull. Tani shpresoj që viti 2020 të jetë më i mirë për mua personalisht në aspektin futbollistik të karrierës.

A e keni ndjekur situatën në Shqipëri prej tërmetit? 

Po. Dua të them se Zoti është i madh dhe ai i ka në dorë të gjitha. Unë jam pranë familjeve që janë dëmtuar dhe që kanë humbur jetën e njerëzve të tyre të dashur. Mbas luftës, unë në Durrës jam vendosur me familjen time dhe kam gjetur ndihmë aty. Nga kjo ndjeshmëri, unë dhe familja ime kemi bërë diçka për t’i ndihmuar.

Çfarë dhe kë keni ndihmuar? 

Çfarë kemi pasur mundësi, por më mirëkuptoni sepse kam dëshirë të mos flas rreth tyre.

A ju ka munguar Kombëtarja dhe si e keni parë nga jashtë? 

Më mungon gjithnjë. Unë personalisht do të kem shpresa deri në ditën e fundit të karrierës si profesionist që do të vij prapë në Kombëtare. Në futboll nuk i dihet asnjëherë. Kam parë se ka pasur shumë ndryshime dhe sigurisht që e kam ndjekur çdo ndeshje. Kam vënë re që ka djem shumë të mirë me kualitete dhe kam vërtet shpresa që do të kemi një ekip kombëtar të mirë dhe të fortë në të ardhmen.

OLSI TUJANI – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"