EKSKLUZIVE/ “Kam gjetur një ekip të kompletuar, do të jemi për titull”, Hakaj: Vllaznia e nis kampionatin me fitore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 8, 2021 | 14:24

EKSKLUZIVE/ “Kam gjetur një ekip të kompletuar, do të jemi për titull”, Hakaj: Vllaznia e nis kampionatin me fitore

Esin Hakaj mendon se ka gjetur një Vllazni të kompletuar në të gjitha aspektet dhe të denjë për t’i shkuar deri në fund synimit për fitimin e titullit kampion në sezonin 2021- 2022. Tri ditë nga ndeshja e javës së parë të kampionatit që shkodranët do të luajnë në transfertë me Laçin të shtunën në orën 13:45, mbrojtësi i majtë i rikthyer në Shkodër foli për “Panorama Sport” lidhur me pritshmëritë që ka.

hakaj gurishta vllaznia

Esin, të shtunën nis kampionati për Vllazninë. A ndiheni gati për transfertën ndaj Laçit?

Situata në ekip para këtij takimi duket shumë e mirë. Skuadra ka marrë shumë ngarkesa këtë periudhë, por mund të them se jemi mirë në të gjitha aspektet. Jemi në gjendje optimale fizike dhe gati për të dhënë maksimumin për ta nisur mbarë kampionatin.

Prisni ta startoni me fitore?

Normalisht që po. Do të jetë një përballje shumë e fortë. Besoj që do të jetë një ndeshje që do të dhurojë emocione. Ne do të kërkojmë fitoren dhe kam besim që do t’ia arrijmë.

OK, por e dini që në Laç u bënë 7 vite që Vllaznia nuk fiton dot…?

Këto janë statistika, ne do të luftojmë për më të mirën.

Barazimi do t’ju kënaqte në këtë fushë të vështirë?

E rëndësishme është që në një fushë të tillë, para një skuadre që ka vlera edhe një barazim mund të quhet pozitiv. Laçi ka një skuadër të mirë dhe duhet vlerësuar maksimalisht.

Ju e ndieni veten favorit në këtë takim?

Nuk besoj se është një ndeshje që ka favoritë. Ne kemi në organikë disa lojtarë shumë cilësorë, që shpresoj të na ndihmojnë shumë, duke filluar nga ky takim dhe në vazhdimësinë e kampionatit.

Si e shikoni Vllazninë e këtij sezoni?

Mendoj se do të jetë pretendente po aq e fortë sa në tenduar deri në fund për titullin dhe kupën.

Ju keni qenë pjesë e Partizanit në sezonin e kaluar. Duke parë grupin aktual të Vllaznisë, mendoni se është një skuadër më e mirë se e kampionatit të fundit apo jo?

Unë shikoj një Vllazni të fortë. Nuk nisem nga individët, por nga grupi. Është një ekip shumë i mirë, me djem që punojnë dhe japin maksimumin. Kjo do na bëjë të jemi më të fortë për të arritur objektivat tanë. Mendoj se jemi të kompletuar në të gjitha aspektet si skuadër.

ADMIR URUÇI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"