EKSKLUZIVE/ “Kam firmosur 4 vite me Istanbulsporin”, Rroca: Peng që nuk fitova titullin me Kukësin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 19, 2020 | 8:52

EKSKLUZIVE/ “Kam firmosur 4 vite me Istanbulsporin”, Rroca: Peng që nuk fitova titullin me Kukësin

Prezantohet fantazisti: Pse zgjodha Istanbulsporin Eduart Rroca udhëtoi me urgjencë drejt Turqisë pas ndeshjes Kukësi-Volfsburg, pasi u prezantua te klubi i Ligës së Parë turke, Istanbulspor. Ashtu siç ishte paralajmëruar nga “Panorama Sport”, fantazisti do të largohej nga Kukësi për të firmosur në Turqi. Dje lojtari foli ekskluzivisht për gazetën, duke treguar pse zgjodhi Istanbulsporin, pengun me Kukësin dhe synimet për këtë transferim.
82ff7aa1-055b-4e83-8c66-d5d2222c9783
Eduart, e mbyllët te Kukësi me një penallti të humbur…
Shpresoja ta mbyllja mirë, të paktën të shënoja një gol në këtë ndeshje të fundit. Kjo ishte dëshira ime, prandaj dhe mora penalltinë përsipër. Luajtëm mirë, pavarësisht se diferencat ishin të mëdha. Më vjen keq që humba penalltinë, u mundova të godisja fort, por fati bëri që portieri ta kuptonte krahun dhe të bënte një pritje të bukur.

Tashmë jeni pjesë e Istanbulsporit. Si është historia e bisedimeve me klubin turk?
Me Istanbulsporin kam pasur kontakte gjatë gjithë kësaj kohe. Ata kanë qenë shumë të interesuar për shërbimet e mia, duke ndjekur ndeshjet e kampionatit dhe ato që luajtëm në Europë. U bindën dhe më ofruan një kontratë. I kam kërkuar gjatë kësaj periudhe presidentit Safet Gjici që të më mirëkuptonte, duke më lënë të lirë për diçka më të mirë në aspektin profesional. Më premtoi dhe kështu ndodhi. I jam mirënjohës.

Cila do të jetë kohëzgjatja e kontratës?
Kontrata ime me Istanbulsporin është për katër vite me opsion rinovimi për një sezon tjetër.

Mendoni se Istanbulspori do të jetë trampolinë për ju apo e shihni kalimin në Turqi si kulmin e karrierës?
Nuk e shikoj si kulmin e karrierës sime, por si një trampolinë për të ardhmen. Istanbulspori njihet në Turqi si një klub që bën transferta të mëdha, si brenda kampionatit, ashtu edhe në klube jashtë.
eduart rroca
Keni ndonjë peng nga aktivizimi në kampionatin shqiptar?
Pengu im në kampionatin shqiptar është që nuk fituam titullin kampion me Kukësin, edhe pse për dy sezone rresht iu afruam. Kemi bërë maksimumin të gjithë bashkë, por kemi qenë edhe të pafat. Na ka penalizuar shumë fakti që nuk i kemi luajtur ndeshjet në Kukës. Iki me kokën lart, sepse kam dhënë gjithçka për këtë fanellë.

Lojtarë me karakteristikat tuaja ka shumë pak në Shqipëri, cilin shikoni që ju ngjason dhe mund të shpërthejë?
Më shumë po dalin mesfushorë me tipare defensive, por ka edhe disa djem të rinj që do të shpërthejnë. Është Silvio Zogaj që ishte te Vllaznia dhe Elian Çelaj, i cili është afruar së fundmi te Kukësi.

SKERDILAID SULOZEQI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"