EKSKLUZIVE/ “Kam djem inteligjentë”, Shehi: Dua 10 fitore në 10 ndeshje, ja pse e anuluam miqësoren me Turbinën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 25, 2020 | 10:53

EKSKLUZIVE/ “Kam djem inteligjentë”, Shehi: Dua 10 fitore në 10 ndeshje, ja pse e anuluam miqësoren me Turbinën

Kukësi është grumbulluar në Elbasan prej më shumë se një jave, atje ku po punon me qetësi të plotë. Por a po hasin vështirësi lojtarët pas 2 muajsh pushim dhe a besojnë vërtet verilindorët te titulli? Këtyre pyetjeve u përgjigjet Orges Shehi në një intervistë për “Panorama Sport”. Trajneri “snobon” rivalët dhe hapur e thotë që prej skuadrës së tij do vetëm 10 fitore. Receta për t’u shpallur kampion duket tejet e thjeshtë kur e thotë durrsaku i stolit. Edhe pse ditët që kanë në dispozicion janë minimale, ai beson se skuadra do të jetë gati më 3 qershor dhe as nuk e mendon që qeveria të zhbëjë vendimin e FSHF-së.
ORGES SHEHI
Pas një jave stërvitje me ekipin, a jeni i kënaqur me atë çka keni bërë deri tani?
Pas një jave stërvitje jam i kënaqur me ekipin, pasi po punojmë mirë dhe jemi të gjithë, përveç Limajt që na kthehet në fund të muajit. Këtë periudhë do ta shfrytëzojmë për të futur në skuadër idetë e mia të lojës. Çunat janë inteligjentë dhe profesionistë
dhe shfrytëzojnë çdo gjë në favorin e tyre sa u përket sistemeve të lojës dhe aspektit tekniko-taktik dhe më vjen mirë për këtë.

Çfarë programesh keni  hartuar dhe implementuar për të pasur gati ekipin deri më 3 qershor?
Gjendjen e lojtarëve ne e dimë mirë. Edhe pse kemi qenë pushim, gjatë gjithë kohës kemi qenë në kontakt dhe kemi punuar “online” me ta në çdo ditë karantine. Kemi ndërtuar një program të kujdesshëm, duke pasur parasysh periudhën e gjatë pa aktivitet dhe jam përqendruar më shumë te mënyra si dua të luajë skuadra.

Ngarkesat kanë qenë të reduktuara?
U kemi dhënë më pak ngarkesë, në fakt. Ngarkesën do ta marrin gradualisht në varësi të kohës. Por, që kanë programe speciale stërvitore në varësi të gjendjes mbas situatës që kaluam.
Kukesi
Nëse do të flisnim me përqindje, sa gati është Kukësi juaj?
Pas një kohe të gjatë pa stërvitje dhe pa luajtur në fushë, lojtarët kanë shfaqur seriozitet maksimal për të punuar. Dëshira për të kapur formën më të mirë pas kësaj periudhe të vështirë nuk u mungon. Do të mundohemi të jemi sa më gati, por me përqindje nuk më pëlqen të flas.

Keni marrë garanci nga federata për nisjen e kampionatit?
Federata e ka bërë punën e saj, ka hartuar edhe kalendarin.

Nuk i druheni ndonjë surprize?
Kam besim se do të fillojmë më datë 3.
turbinaaaaaa
Pse e anuluat miqësoren kundër Turbinës dhe a keni planifikuar të tjera?
Miqësoren e anuluam, sepse duhet të jemi korrekt me rregullat e federatës dhe qeverisë. Nuk ka asnjë arsye tjetër.
tirana kukesi
I trembeni garës për titull me Tiranën, nëse rinis kampionati?
Ekipit i kam thënë që ne duam 10 fitore dhe jemi të qartë që duhet të fitojmë ndeshjet tona, po i fituam jemi kampion.

Sa përcaktuese mund të jenë dy-tri ndeshjet e para në garën për titull?
Mendoj se çdo ndeshje është decizive, kemi 10 beteja për të fituar luftën.

Prisni që kundërshtarët të gabojnë?
Nuk do të shikoj kundërshtarët, do të pres vetëm 10 fitoret nga ekipi im.

SKERDILAJD SULOZEQI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"