EKSKLUZIVE/ “Kam besim te Miloti dhe Sinani”, Premçi: Vllaznia ende në lojë, duhet t’i synojë të dy trofetë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 28, 2023 | 21:49

EKSKLUZIVE/ “Kam besim te Miloti dhe Sinani”, Premçi: Vllaznia ende në lojë, duhet t’i synojë të dy trofetë

Astrit Premçi, ish-mbrojtës dhe një nga kapitenët që ka ngritur titullin kampion me Vllazninë në vitin 1998, në një prononcim ekskluziv për “Panorama Sport”, ka folur për situatën aktuale në klubin kuqeblu.astrit premci

Ai ka shprehur besimin te drejtuesit e rinj të ekipit për arritjen e objektivave. Premçi është i mendimit se Vllaznia nuk ka asnjë arsye për të humbur besimin për arritjen e titullit kampion. Po ashtu ai beson akoma se ekipi ka forca për të fituar të dy trofetë. Premçi aktualisht është skaut i lojtarëve të akademisë Vllaznia dhe si i tillë vlerëson punën që po bëhet nga drejtuesit e klubit me të rinjtë, por është i bindur se në ekipet e akademisë Vllaznia ka lojtarë që duhen menaxhuar mirë, në mënyrë që në të ardhmen të mund të sjellin të ardhura për klubin.

Si e shihni situatën e Vllaznisë dhe largimin e Josës?

Vllaznia nuk bëri mirë në disa takime të njëpasnjëshme dhe për më tepër nuk është se kënaqi me lojën e vet. Një gjë e tillë mendoj se ndikoi edhe te largimi i Josës. Kur mungojnë rezultatet, i pari që ndëshkohet është trajneri. Janë punë të drejtuesve të klubit, të cilët i dinë më mirë arsyet.

Do të drejtojë dyshja Miloti-Borshi, me mbështetjen edhe të Sinanit. Është zgjidhja e duhur?

Unë jam pro tyre për vetë faktin se kanë çfarë t’i japin kësaj skuadre. Drejtuesit kanë bërë zgjidhjen e duhur në këto momente. Unë besoj te këto emra dhe te puna që kanë bërë. Njohin mirë ekipin dhe dinë shumë mirë se çfarë duhet të rregullojnë. Miloti, Sinani, por edhe Borshi janë djem që do të dinë të menaxhojnë këtë situatë në ekip dhe kam besim se do të mund të marrin më të mirën nga çdo lojtar.

E shihni Vllazninë në luftë për titullin?

Në mënyrën më absolute them që po. Shatë pikë janë sa shumë, aq edhe pak. Mos të harrojmë që me dy rivalët direkt ka për të zhvilluar edhe nga një ndeshje direkte. Një fitore në ato takime nuk ka vlerë vetëm 3 pikë. Vllaznia ka një grup të mirë lojtarësh. Kontingjenti duket i plotë dhe kjo të bën që të jesh optimist dhe të besosh. Për mua nuk duhen humbur në asnjë mënyrë shpresat dhe besimi në vete.

Por diferenca nuk duket e vogël kur kanë mbetur edhe 10 ndeshje…

E thashë edhe më lart, janë dy përballje direkte me dy ekipet e kreut. Nëse fitohen të dyja dhe nuk ndalemi ndaj atyre skuadrave që kemi gabuar në këtë sezon, atëherë asgjë nuk është e pamundur. Në të kundërt, atëherë flasim kot. Për mua Vllaznia i ka mundësitë. Sesi do të jetë paraqitja e ekipit në fushën e lojës, tani mbetet për t’u parë.

Objektiv minimal është pjesëmarrja në Kupat e Europës. I realizueshëm?

Ne po flasin dhe po kërkojmë titullin dhe po ashtu, siç dihet, jemi në katër më të mirat në Kupën e Shqipërisë. Kemi dy mundësi për të shkuar në Kupat e Europës. Për mendimin tim është tërësisht e arritshme. Siç e thashë, jo gjithçka tani varet duke u nisur nga brumi i lojtarëve dhe dëshira që ne kemi, por nga ajo që këta lojtarë do të paraqesin në fushën e lojës. Do të ishte diçka tejet e bukur që të ndodhte për të tretin vit me radhë fitimi i Kupës. Kupa të nxjerr më lehtë në Europë.

Të shtunën luajnë ndaj Bylisit. Vllaznia s’e ka pasur asnjëherë të lehtë me këto ekipe. Si e prisni?

Nëse duam që të jemi në luftë për titull deri në fund dhe të luftojmë me kundërshtarët direkt për titullin në takimet e drejtpërdrejta, ekipi nuk duhet që të diskutojë asnjë rezultat tjetër përveç fitores. Këtë sezon kemi parë se nuk ka ekipe të forta dhe të dobëta. Rezultatet, jo vetëm tonat, por edhe të ekipeve që janë sot në vendin e parë, me ekipet e ashtuquajtura të vogla, kanë qenë herë-herë të paparashikuara. Por unë kam besim që këtë herë ne s’do ta vëmë në dyshim fitoren.

Duke qenë se jeni skaut i ekipeve të akademisë Vllaznia, si ju duket vlerësimi që kanë bërë drejtuesit për elementin e ri dhe çfarë u sugjeroni më tej?

Mendoj se interesimi i drejtuesve të klubit ka qenë i madh në drejtim të të rinjve. Nga vetë presidenti Xhaferi ka një interesim për të rinjtë, për përfshirjen e tyre tek ekipi i parë. Jam i kënaqur me atë që u bë gjatë këtij sezoni, duke iu dhënë hapësirën e duhur të rinjve dhe them se e kanë justifikuar veten. Janë disa të rinj, që kanë gjetur hapësirë dhe janë aktivizuar, por them se ka edhe të tjerë, të cilëve nëse u jepet mundësia mund të justifikojnë veten. Për mendimin tim drejtuesit e klubit duhet t’i shikojnë edhe në aspektin e menaxherial disa nga lojtarët e rinj, që janë sot tek ekipi i parë, por edhe tek akademia. Mendoj se nëse bëhet një menaxhim i mirë i tyre do të ndikojë shumë edhe në rritjen e të ardhurave të klubit, pasi mund të ketë shitje mjaft të mira.

ADMIR URUÇI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"