EKSKLUZIVE/ Kallaku: Rinovova për trofe, golat i garanton Kolubali. Hera e parë që luaj me një… (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 17, 2020 | 13:45

EKSKLUZIVE/ Kallaku: Rinovova për trofe, golat i garanton Kolubali. Hera e parë që luaj me një… (E PLOTË)

Sherif Kallaku vendosi të rinovonte me Teutën. Edhe pse është përfolur gjatë një transferim jashtë vendit, 21-vjeçari ka pasur një arsye të fortë që e çoi drejt kësaj zgjedhjeje. Kërkon që të rritet profesionalisht gjatë këtij viti dhe të fitojë një trofe në 100-vjetorin e klubit. 

sherif kallaku

Në një intervistë të dhënë ekskluzivisht për “Panorama Sport”, mesfushori rrëfehet në 360 gradë. Nuk ia ka frikën asnjë kundërshtari, përtej merkatos që mund të kenë bërë. Paralajmëron se kriza e golit tashmë ka marrë fund, aq sa afrimin e gjigantit Kolubali e quan të “goditur”. Tregon se kurrë nuk kishte luajtur me një lojtar që është mbi 2 metra i gjatë, por na zbulon edhe pikën më të fortë të Edi Martinit.

Kallaku mbetet në Durrës edhe për një vit. Pse zgjodhët të rinovonit?

Projekti i Teutës dhe ambicia për të luftuar për trofe, më bindën pa dyshim që të rinovoja. Pastaj, jam në një moshë që kam ende nevojë të mësoj, provoj veten dhe jap maksimumin, me qëllimin që një ditë të jem gati për t’u transferuar jashtë vendit. Teuta ta ofron këtë mundësi dhe kjo ishte një nga arsyet pse zgjodha të qëndroj në Durrës edhe një tjetër vit.

sherif kallaku

Shpesh jeni përfolur për një transferim jashtë vendit, ka pasur zhvillime në këtë drejtim? 

Oferta ka pasur, por jo diçka konkrete. Sikundër edhe e thashë, duhet ta vazhdoj punën që kam bërë deri tani. Duhet ta rris performancën time. Besoj se ekipi ka shkuar mjaft mirë dhe shpresoj t’i arrijmë objektivat në fund të sezonit.

Çfarë pret Kallaku prej 2020-ës, në aspektin personal dhe për ekipin?

Të kem sukses me klubin tim. Të bëj një paraqitje sa më të mirë dhe nëpërmjet Teutës të arrij një transferim të mundshëm në një kampionat më të fortë jashtë Shqipërisë. Me ekipin shpresoj që pse jo të mos fitojë edhe një trofe, pasi këtë vit kemi një arsye më shumë: festojmë 100-vjetorin.

Afrimet e reja në sulm, mund të ndreqin defektin në finalizim. A do të shënojë më shumë Teuta në pjesën e dytë të sezonit?

Besoj dhe shpresoj shumë që ta kemi kaluar atë ngërçin  që shfaqëm në finalizim. Ekipi gjatë kësaj periudhe përgatitore është përmirësuar. I kemi gjetur edhe golat, ndaj jam i mendimit që edhe me afrimet e reja në skuadër, kjo çështje është e zgjidhur.

Si duket Kolubali, ju ka rastisur të luanit ndonjëherë me lojtarë me këtë shtatlartësi?

Asnjëherë. Nuk është e lehtë që të gjesh një sulmues cilësor. Jam shumë i gëzuar që kemi afruar Kolubalin në skuadër. Është një futbollist i një niveli të lartë. Krahas fizikut, ai vrapon shumë dhe është shumë i fortë në lojën e ajrit.

Si punohet me Edi Martinin, çfarë risie ka sjellë në ekip? 

Ka personalitetin e duhur si drejtues. Kjo duket sidomos në marrëdhëniet dhe afrimitetin me lojtarët. Profesori ka kontakt të vazhdueshëm me ne, konsultohet me të gjithë lojtarët e ekipit. Kjo është një pikë e rëndësishme.

Kampionati po afron dhe garën e rinisni me Laçin, duel i kalueshëm?

Për Teutën është ndeshja e radhës dhe kam besim se do të jetë një sfidë e bukur dhe me dyluftime. Teuta edhe në këtë takim do të hyjë në fushë me një qëllim të qartë, marrjen e trepikëshit. Duke ditur se jemi afër kreut, ndaj nesh çdo ekip do të angazhohet për të marrë pikët. Por ne duhet të mbetemi me këmbë në tokë, pasi nuk kemi arritur asgjë dhe gara është ende e gjatë.

Si e komentoni merkaton e rivalëve, a është një ekip që ju frikëson pas afrimeve?

Ç’është e vërteta, nuk më tremb askush. Të gjitha ekipet këtu në Superiore, janë aty-aty. Nuk kemi diferenca të mëdha.

 Keni kryer tri miqësore, pasi fituat dy të parat pa pësuar gol, me Skënderbeun u ndëshkuat 4 herë. Ka vend për t’u shqetësuar?

Aspak. Rezultati kishte pak rëndësi, sepse ishte një miqësore. Një ndeshje e cila na mundësoi të përmirësojmë kondicionin fizik, por edhe na shërbeu për të punuar mbi të gjitha në aspektin tekniko-taktik, sidomos në harmonizimin e grupit.

ZAMIR QYPI  – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"