EKSKLUZIVE/ Kale: Besoj te titulli, ja e vërteta e prekjes së topit me dorë (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 24, 2020 | 20:50

EKSKLUZIVE/ Kale: Besoj te titulli, ja e vërteta e prekjes së topit me dorë (E PLOTË)

Nëse Tirana vlen 4.15 milionë dhe në merkato dhe është skuadra e tretë për nga vlera në Kategorinë Superiore pas Partizanit dhe Kukësit, Elton Kale vlen sa një e dhjeta e skuadrës. Për statistikë, lojtari më me vlerë i Tiranës aktuale është braziliani Elton Kale me 450000 euro, çmimi i kartonit. Një nga djemtë më pozitivë në skuadër, që sjell gjithmonë harmoni, ka folur pas ndeshjes me Bylisin, duke treguar edhe disa të fshehta. 

elton kale

Për “Panorama Sport” ai zbuloi nëse e kishte prekur topin me dorë dhe çfarë pret nga kjo skuadër. “Jam shumë i lumtur që shënova gol ndaj një skuadre të fortë si Bylisi. Duke lënë mënjanë dëshirat dhe kënaqësitë, gjithçka shkon për fitoren. Ajo është më e rëndësishmja në këtë moment që flasim. Kemi një rrugë të gjatë për të fituar një titull që i mungon klubit. Do të luajmë ndeshje pas ndeshjeje. Tani kemi Luftëtarin në lojë. Një takim që luhet shumë shpejt. Duhet të luajmë edhe gjysmë sezoni, por mund të them se Tirana është në lojë për të fituar titullin. Do të jetë një luftë e vështirë që duhet ta fitojmë. Deri tani kemi fituar shumë beteja”, është shprehur në fillim Kale. Braziliani si gjithmonë u tregua i sinqertë për atë që ndodhi në fushën e lojës, ndonëse golin e parë e konsideroi të rregullt.

kaloe

“Për sa i përket golit, them se është i rregullt dhe do të ishte gabim që të anulohej dhe falë Zotit që nuk ndodhi. As nuk e kuptova fare dinamikën e aksionit. Thjesht topi më doli përpara dhe godita. Mund të them që e kam prekur topin me dorë, por pa dashje. Sfera më ra në gju dhe më pas në dorë. Ishte një goditje e pavullnetshme. Po të shohësh videon, gjyqtari ishte shumë pranë dhe nuk tha gjë. Nuk e di sesa vite kishte Tirana që nuk fitonte katër ndeshje rresht. Jemi për histori, ndërsa goli ishte për të gjithë familjen time”, ka mbyllur Elton Kale.

FLAMURTARI – I pyetur nga gazeta nëse e kishte çuar Flamurtarin në FIFA për punë rrogash, Kale nuk pranoi të thoshte më shumë se ishte lodhur me pritjen dhe marrëveshjen. Gjithçka ia ka lënë në dorë drejtësisë dhe me sa kuptohet, Elton Kale është futbollisti i radhës që nuk ka pritur më, duke kërkuar të marrë atë që i takon me gjyq jashtë Shqipërisë. Ankesa është bërë prej shumë muajsh dhe tani pritet vendimi përfundimtar i organit më të lartë të futbollit në botë. elton kalee

MJESHTRI I ASISTEVE – Nëse ka shënuar këtë sezon dy gola, në asiste ai është shumë lart. Elton Kale është një nga ata që topin ta jep te këmba për ta çuar në rrjetë, gjithmonë kur nuk e bën dot vetë. Mesfushori ka dhënë pesë pasa për gol dhe është nga më të mirët në fushën e lojës me dy gola të shënuar.

I pazëvendësueshëm në krahun e majtë, Kale ka qenë në fushë në 15 takime, 14 prej të cilave si titullar, ndërsa është aktivizuar 1085 minuta. Futbollisti la Flamurtarin në fund të sezonit për t’u transferuar te bardheblutë së bashku me shokun e tij, Agustin Torasën.

 

OLSI AVDIAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"