EKSKLUZIVE/ Kaçe “djersin” Partizanin, tregon kushtet për t’u larguar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 7, 2022 | 14:49

EKSKLUZIVE/ Kaçe “djersin” Partizanin, tregon kushtet për t’u larguar

Partizani po mundohet të reduktojë dëmet financiare me Ergys Kaçen. Korçari është më i paguari në Superiore, me rreth 12 mijë euro në muaj, por në asnjë moment nuk ka qenë në gjendje të justifikojë këtë investim.

ergys kace

Klubi i kuq kërkon të arrijë një marrëveshje me korçarin për mbylljen e bashkëpunimit me konsensus, por duket se nuk është aq e lehtë.

Duke parë situatën e krijuar së fundmi, klubi dhe lojtari janë përballur dhe ia kanë thënë pretendimet e tyre në sy njëri-tjetrit duke nisur negociatat zyrtare për ndarjen.

Drejtuesit kanë dashur të dinë sa para pretendon për t’u larguar dhe Kaçe i ka kërkuar disa muaj rrogë mbi janarin.

Ajo që i ka stepur jo pak drejtuesit e të kuqve është fakti se mesfushori e ka kërkuar këtë shifër të plotë, para se të largohet dhe jo pas çdo muaji, siç normalisht futbollistët në vendin tonë paguhen.

Kaçe ka marrë 30 mijë euro në dorë në momentin kur ka firmosur kontratën. Kjo situatë ka krijuar jo pak konfuzion te të dyja palët. 28-vjeçari nuk ka arritur të jetë në formën e tij më të mirë fizike dhe në klub kanë rezerva nëse ai do të mund të tregojë cilësitë e tij deri në fund të kampionatit.

Nga ana tjetër, Kaçe nëse qëndron, duhet të llogarisë edhe stolin. Ai ka kontratë me Partizanin deri në verën e këtij viti, me opsionin për të rinovuar edhe për një tjetër sezon, klauzolë që në situatën aktuale nuk pritet të vihet në fuqi.

Kaçe ka luajtur 17 ndeshje me Partizanin në Kupë dhe Kategorinë Superiore në këtë sezon dhe ka dhuruar vetëm një asist.

Ditë më parë në adresë të tij ka mbërritur një ofertë nga Greqia, ku Apollon Smirni dëshiron shërbimet e mesfushorit. Ajo që e step është fakti që klubi nga vendi fqinj nuk i ofron më shumë para se Partizani.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"