EKSKLUZIVE/ Ka refuzuar rinovimin e kontratës me “demat”, titullari i rëndësishëm do të largohet nga Partizani. Zbulohen prapaskenat

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 14, 2022 | 20:44

EKSKLUZIVE/ Ka refuzuar rinovimin e kontratës me “demat”, titullari i rëndësishëm do të largohet nga Partizani. Zbulohen prapaskenat

Stenio Zhunior është një nga lojtarët më të mirë të Partizanit që nga ardhja e tij në janar të vitit të shkuar.

Stenio Zhunior

Për një sezon e gjysmë te të kuqtë, ai ka arritur të ambientohet shpejt dhe të marrë mjaft përgjegjësi në sulm.

Gjithsesi, drejtuesit e të kuqve do të duhet të punojnë në verë për t’i gjetur një zëvendësues anësorit të majtë.

30-vjeçari nuk është i lumtur te Partizani dhe “Panorama Sport” mëson ekskluzivisht se ai ka marrë vendimin përfundimtar për të ardhmen e tij, që është largimi.

Diçka të tillë gjatë ditëve të fundit braziliani ua ka komunikuar edhe drejtuesve të klubit, saktësisht drejtorit Rama.

Me përfundimin e kontratës aktuale në fund të muajit të ardhshëm, Zhunior pritet të dalë lojtar i lirë, teksa mbetet për t’u parë nëse klubi dhe lojtari do të arrijnë një marrëveshje të përkohshme për qëndrimin gjatë ndeshjeve në Ligën e Konferencës, nëse Partizani kualifikohet.

PRET OFERTA – Largimi nga Partizani, nuk përkthehet domosdo me largimin nga Shqipëria për Zhuniorin. Braziliani po studion propozimet e ardhura drejt tij.

Në rast se vjen një ofertë e mirë nga një tjetër klub i Superiores dhe në rast se i garantohet korrektësi nga ana financiare, sulmuesi i majtë do të ishte gati të bashkohej.

Gjithsesi, shanset më të mëdha janë që ai ta lërë vendin tonë, pas një periudhe pozitive me Partizanin, pasi ofertat nga jashtë nuk mungojnë.

TELASHE PËR DREJTUESIT – Përveç faktit që do të duhet të përballen me largimet e lojtarëve të huazuar e të tjerëve që nuk kanë bërë mirë, Partizani do të duhet të kërkojë për një lojtar të aftë të mbulojë boshllëkun e lënë nga Zhuniori.

Pra, duhet një lojtar lider në sulm, që të ketë të garantuar të paktën 10 gola në sezon dhe kjo nuk është aspak e lehtë për “demat”.

Superiorja nuk është në një periudhë lulëzimi për sulmues krahu dhe me shumë mundësi, Partizani pritet të shohë në ligat përreth për të firmosur me një anësor të majtë.

Në ofensivë, drejtuesit do të duhet të gjejnë edhe një tjetër qendërsulmues, por më parë do të duhet të zgjidhin kontratën me Mirosavljevin, i cili ka firmosur deri në fund të sezonit të ardhshëm.

DENIS LALA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"