EKSKLUZIVE/ Ka mposhtur Turqinë në Antalia, Hafizi: Bare mund të bëjë diferencën, ja shanset e Kombëtares (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 9, 2019 | 23:41

EKSKLUZIVE/ Ka mposhtur Turqinë në Antalia, Hafizi: Bare mund të bëjë diferencën, ja shanset e Kombëtares (E PLOTË)

Shqipëria i ka shënuar katër gola Turqisë në transfe të dhe videoja e asaj ndeshjeje miqësore të 21 janarit 1998 ruhet ende me fanatizëm nga Astrit Hafizi. Trajneri që drejtoi kuqezinjtë në një periudhë shumë të vështirë, flet sot 21 vite më pas, kur Shqipëria luan një ndeshje shumë të rëndësishme, këtë herë për eliminatoret e Europianit kundër Turqisë.

Hafizi

 

Në bisedën për “Panorama Sport”, ai komenton situatën aktuale në Kombëtare, trajnerin Reja, rinovimin e ekipit dhe lojtarët që kanë mbetur jashtë. Hafizi jep disa mesazhe të forta për atë që duhet bërë.

Profesor, kanë kaluar 21 vite nga fitorja 4-1 në Turqi. E kujtoni ende atë ndeshje?

Po, natyrisht. E kam edhe videon e asaj ndeshjeje dhe thuajse të gjithave që kam drejtuar ekipin kombëtar. Ajo është pasuria ime dhe e punës që kam bërë në ato vite. Është si një dashuri e punës që bën dhe sa herë kam mundësi, e shikoj videon e Turqi-Shqipëri të vitit 1998. Kjo është vërtet një pasuri që kam, natyrisht nuk është monetare, por kam qenë trajneri dhe ndihem krenar për vitet që drejtoja Kombëtaren. Kur më kap nostalgjia, veçanërisht këtë ndeshje e shikoj, sepse kanë qenë edhe kohët e atilla, që shumë gjëra të kujtohen shpesh.

Bëhet fjalë për vitin 1998, kur në situatën që ishte Shqipëria, dukej e tepërt të flitej për futboll…?

Sigurisht. Gjëja e parë që më vjen në mend është vështirësia që kemi pasur për udhëtimin dhe grumbullimin e skuadrës. Nuk ka lidhje koha e sotme, ku kushtet janë më të mira, ana financiare po e po dhe organizimi është shumë më ndryshe. Kujtoj që u grumbulluam në Stamboll dhe më pas shkuam në Antalia, ku kishim vetëm një seancë stërvitore në dispozicion për ta zhvilluar atë miqësore.

Lojtarët vinin direkt nga vendet ku ishin dhe me vetëm një stërvitje përgatisnim ndeshjen. Merre me mend sa vështirësi kemi pasur, aq më tepër që miqësoret ishin të rralla për ne. Edhe kjo që fituam me Turqinë 4-1 u organizua përmes miqësive, më konkretisht me nismën e ambasadorit turk në Shqipëri. Kur i kujton sot këto gjëra, janë vërtet drithëruese se sa kemi vuajtur. E kujtoj shumë atë TurqiShqipëri edhe për faktin se dy ditë që kemi qëndruar në Antalia, shiu nuk ka pushuar asnjë minutë.

Në gjendjen ku është sot Shqipëria, sa shanse kemi për  të bërë sërish një rezultat historik në Turqi?

Vështirësitë qëndrojnë akoma për të pretenduar dhe për më tepër të kalojmë me sukses një kundërshtar si Turqia. Me grupin që kemi dhe rinovimin që po i bëhet dashje pa dashje Kombëtares, nuk besoj se kemi ndonjë objektiv konkret tashmë për të pretenduar kualifikimin. Është shumë e vështirë në këtë situatë, por unë mendoj se një detyrim për Kombëtaren, që mund të jetë edhe objektiv, është që në këtë grup që jemi, të kapim vendin e tretë.

hafizi

Do të ishte një pozicion i mirë për gjendjen që po kalon ekipi kombëtar, në mënyrë që në eliminatoret e radhës të jemi një skuadër më e konsoliduar. Nëse ne bëjmë ndonjë mrekulli dhe kapim vendin e dytë, atëherë do të ishte kryevepër. Nuk jemi në atë stad që vendosim objektiva pompozë pa nisur aktiviteti dhe pastaj dështojmë si në Ligën e Kombeve.

Më konkretisht, ndaj Turqisë, çfarë mund të bëjmë?

Futbolli është i paparashikueshëm dhe një ekip si ne është gjithashtu i tillë. Kush e mendonte se mund të shënonim katër gola ndaj Islandës, por ja që ndodhi. Jemi një skuadër që objektivat i kemi si të marrë loja. Ne nuk është se jemi një ekip që kemi rritje nga ndeshja në ndeshje. Shqipëria është skuadër momenti, ku brenda lojës ose 20 minutat e para apo ato të fundit, mund të shkëlqejmë.

Pra, nuk kemi një stabilitet në lojën tonë, prandaj dhe mendoj se shanset tona janë të pakta në Turqi. Luajmë ndaj një kundërshtari që pretendon të shkojë në Europian dhe nëse nuk arrin vendin e parë, të paktën do të kapë të dytin.

Një Turqi që ka mundur Francën dhe s’mund të lërë pikë ndaj nesh e për më tepër na ka mposhtur pastër në “Loro Boriçi”. Gjithsesi, çdo gjë mund të ndodhë, por që të bëjmë surprizën, duhet që kundërshtarin ta kapim në një ditë jo të mirë dhe ekipi ynë të japë më shumë se 100% të mundësive që ka.

Trajneri e ka cilësuar si një finale…

Nuk mendoj se duhet të shkojmë detyrimisht me këtë objektiv, sepse pastaj pësojmë zhgënjime të mëdha. Më mirë skuadra të rinovohet gradualisht dhe pastaj, nëse marrim një rezultat të mirë në Turqi, atëherë do të ishte kryevepër. Edhe nëse nuk arrijmë një rezultat pozitiv, prapë nuk duhet parë si humbje e madhe. Turqia dhe Islanda janë në atë stad që llogarisin maksimumin e pikëve ndaj nesh.

Çfarë ju ngroh dhe çfarë ju shqetëson më tepër nga kjo Kombëtare?

Pika më e fortë e jona në këtë moment, si asnjëherë tjetër, është porta. Kemi portierë shumë të mirë dhe kjo është një garanci e plotë. Skuadra kur nis të ndërtohet, fillohet me portierin dhe unë mendoj se asnjëherë nuk kemi qenë më mirë se tani. Strakosha dhe Berisha janë dy portierë që çdo skuadër do t’i kishte zili. Pastaj, sa u përket problemeve, unë mendoj se kemi në repartin e mbrojtjes.

Kombetarja

Ndoshta nuk kemi ose nuk po vijnë në formë ata lojtarë që na duhen. Janë afruar disa të rinj, por nuk mund të themi se janë gati, pasi duhet të marrin eksperiencë. Mbrojtja ka mangësi, por edhe organizimi i lojës. Është e rëndësishme se si skuadra do të orientohet në fushë.

Ndeshjet tona janë spontane, nuk jemi një skuadër që dimë ku të çojmë topin. Ndërtimi i sulmit dhe loja nga krahët janë vështirësi për ne. Sulmi është me hope, sepse duket sikur nganjëherë kemi lojtarë dhe ndonjëherë nuk kemi. Kur themi sulmues, ata duhet të shënojnë vazhdimisht, jo bën një gol dhe pastaj kujtohet pas një muaji dhe dy muajsh. Nuk kemi vazhdimësi sa u përket sulmuesve

Kush mund ta bëjë diferencën në ndeshjen e së premtes?

Nuk kam ndonjë afeksion për ndonjë lojtar, por gjithsesi do të përmendja Baren, i cili ka dhënë disa sinjale të mira në ndeshjet e fundit. Bëhet fjalë për një lojtar që, nëse orientohet mirë, mund të bëjë gjëra të mëdha.

Çfarë përshtypjeje ju ka lënë Reja dhe a e meriton rinovimin e kontratës?

Rinovimi nuk është në dorën time që ta komentoj, por mund të them se nga trajnerët italianë që kanë ardhur në Shqipëri, është nga ata me më tepër përvojë. Ka një CV më të mirë dhe me ide të qarta. Është fiksuar me sistemin 3-5-2 dhe 3-4-3, duke insistuar derisa të gjejë një zgjidhje me lojtarët e duhur. Më pëlqen vendosmëria që ka Reja, duke qenë fanatik i detyrave. E përsëris që nga trajnerët italianë që kanë ardhur, mendoj se është nga më të mirët.

Reja

Mavraj, Sadiku, Xhaka, Kaçe, Uzuni etj. kanë mbetur jashtë listës. Ju duket e drejtë?

Këto janë zgjedhjet e Rejas edhe për shkak të kundërshtarit që ka. Mund të jenë arsye kohe apo përshtatjeje lojtarësh, pasi ndoshta ka ndërmend të provojë të tjerë.

Nuk është se lënia jashtë e tyre përbën ndonjë hata të madhe. Unë mendoj që janë zgjedhje më se të domosdoshme që një trajner duhet t’i ketë. Ka pasur raste kur janë grumbulluar lojtarë vazhdimisht dhe s’kanë luajtur kurrë, kështu që më mirë kështu. Është e drejtë e tij dhe në fund mban përgjegjësi, pasi mund të dalë “djalë” ose “vajzë”.

A mund ta përdorim më Kosovën si alibi për lojtarët?

Shikoni, do të vinte një moment, dita, që ne nuk do të merrnim më lojtarë nga Kosova. Ne duhet të kishim një vëmendje më të madhe prej kohësh për lojtarët e Shqipërisë që luajnë në shumë vende në Europë.

Prapë po grumbullohen lojtarë të rinj nga Kosova dhe do të vijë një moment që do të mbesim me gisht në gojë. Kur të mos kemi më lojtarë me origjinë nga Kosova, që pranojnë të luajnë për Shqipërinë, atëherë do t’i kthejmë sytë nga pjesa jonë. Në këtë aspekt jemi shumë vonë dhe kemi për ta ndier si problem në vazhdimësi.

 JORGIS MEMO – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"