EKSKLUZIVE/ “Ka keqmenaxhim te Vllaznia, Pusin donin ta bënin qorr”, Hasani: Edhe tritoli mungonte, vuajmë për “zot shpie” (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 18, 2020 | 23:13

EKSKLUZIVE/ “Ka keqmenaxhim te Vllaznia, Pusin donin ta bënin qorr”, Hasani: Edhe tritoli mungonte, vuajmë për “zot shpie” (E PLOTË)

Alban Hasani e quan të rëndë ak tin kriminal ndaj Suad Licit. Drejtori sportiv i akademisë Vllaznia evidenton se ky është kulmi, por prej vitesh kërcënimet, presionet dhe konfrontimet fizike nuk kanë munguar as tek ekipet e moshave. Në një intervistë të dhënë enkas për “Panorama Sport”, ai e sheh problemin te keqmenaxhimi i klubit dhe mungesa e një presidenti. unnamed

Nëse do të kishte “zot shtëpie”, asgjë nga këto nuk do të ndodhte sipas zyrtarit të kuqebluve. Ai me shumë shqetësim sheh edhe problematikën te të rinjtë dhe largimet pa kriter, ndërsa ndalet gjerësisht te rasti “Pusi”.

U vendos tritol poshtë makinës së administratorit të Vllaznisë dhe dyshimet e para shkojnë te detyra e tij. Çfarë po ngjet në Shkodër?

Më vjen shumë keq për atë që i ndodhi Suadit, e sidomos për familjen e tij. Uroj ta kalojnë sa më shpejt këtë situatë të pakuptimtë që po ndodh te klubi ynë tash e sa vite. E jo vetëm në ekipin e parë, por edhe tek akademia me trajnerët tanë. Jemi munduar t’i zgjidhim privatisht këto situata të paprecedente në botën e sportit. Presionet kanë qenë nga më të ndryshmet te trajnerët, si kërcënime, sharje apo konfrontime fizike. Por deri në këtë pikë, me tritol, nuk kishte shkuar. Ndodh sepse nuk kemi një zot shpie, që të jetë ai përgjegjësi i klubit dhe t’u dalë ballë punëve dhe lekëve të fëmijëve e familjes së tij.

Sipas jush, pse ndodh kjo?

Ndodh se edhe ne nuk jemi të bashkuar si klub. Në instanca, bashkëpunimi nuk është aty ku duhet të jetë. Nuk do ishte keq të kemi mbledhje teknike ndërmjet drejtuesve të ekipit të parë me ata të akademisë. Nuk janë “hunj gardhi”, por njerëz që kanë fituar trofe me Vllazninë si Paulin Ndoja, Luan Zmijani, Astrit Premçi, Gjon Kola, Brikeno Bizi, Nefail Zhejani, Altin Xhahysa etj. Duhet të jemi një për ekipin e parë. Në fund të fundit ne nuk kemi asgjë në dorë, përveçse me i sjellë të mira ekipit të parë me nxjerrjen e elementit të ri. Gjë që e kemi bërë në mënyrën më spektakolare këto vitet e fundit.

Ju si drejtor i akademisë a keni pasur probleme të tilla, a ju kanë presionuar dhe ndërhyrë?

Jo, nuk kam pasur kurrë presione të tilla në punën time 6-vjeçare si drejtor sportiv i akademisë Vllaznia, por trajnerët e mi po. Jam munduar t’i dëgjoj të gjithë e t’u japim të gjithëve atë që meritojnë. Tani edhe vetë familjarët e sportistëve që dalin nga akademia e dinë se ne s’kemi gjë në dorë, përveçse të bëjmë propozimin tonë te drejtori teknik i ekipit të parë. Është ai që vendos së bashku me stafin për të ardhmen e tyre. E thashë edhe më lart, problemat tona s’kanë qenë të kësaj përmase. I kemi zgjidhur personalisht.

Ju shihni si zgjidhje privatizimin? 

Ekzistenca e një presidenti në krye të klubit është më se e domosdoshme. Gjatë drejtimit të një presidenti nuk janë ndierë asnjëherë këto probleme.

A po keqmenaxhohet Vllaznia edhe në këto momente? Lëshohet një sulmues i ri që është titullar te Skënderbeu, ndërsa në Shkodër vuajtën për golin? 

Vllaznia nuk po keqmenaxhohet sot, por prej 6 vitesh. Një lojtar lëshohet me parametra zero, një tjetër si Fangaj e lanë të lirë, pavarësisht këmbënguljes sime personale. Nuk u pëlqente, ndonëse ishte kapiten i ekipit kampion U-17 e U-19. U lëshua me parametra zero Zogaj, e ato e morën nga Gjirokastra. E njëjta gjë ndodhi me Isufin, kapiten i ekipit kombëtar. Dhe ka një të “metë”, është djali i ish- presidentit të klubit “Vllaznia”. Lëshohen Hakaj, Çinari, Kalaja, Vecaj, Hebaj, Gruda, pa harruar këtu edhe Hoxhën, Shimajn e Qardakun.

Puna dhe mundi i trajnerëve të akademisë po shkon dëm nga keqmenaxhimi. E ato i kanë zëvendësuar as me 30% të nivelit të tyre. I fundit është lëshuar Pusi, një djalë i akademisë sonë, lojtar i formacionit te Skënderbeu, në ekipin më të mirë shqiptar në 10-vjeçarin e fundit. Mirë këtu se i paskam bërë kontratë unë që thanë se është nipi im, po në Korçë ku trajner është Ilir Daja, eksperti më i mirë shqiptar… Edhe pse s’e kam nip fare, paçka se kështu thanë

 
BELAJDI PUSII

Çfarë ndodhi me Pusin?

Gjëja që më ka bërë më shumë përshtypje është se këtë djalë e bënë edhe “qorr”. Është çnjerëzore e johumane forma si e trajtuan djalin këta pseudospecialistë. Janë njerëz të zinj në shpirt, pasi i thanë të atit ta çojnë për vizitë te doktori. Një fyerje shumë e madhe për vetë lojtarin dhe familjen e tij. E ja tani ku është… Faleminderit që më dhatë mundësinë që t’i uroj suksese. Të mos e ulë kokën e të punojë fort, se puna dhe e mira nuk humbin asnjëherë.

Vllaznia është në zonën “play out”. A rrezikon, apo e shihni kalimtare këtë pozitë? 

Është akoma herët të flasim. Unë shpresoj që të jemi në 4-5 ekipet e para dhe mundësia është, pasi diferenca është maksimumi 5 pikë. Drejtuesit duhet të ngulmojnë te skuadra që të kapë Europën, e jo më të rrezikojë. Unë e shoh të arritshëm objektivin e vënë në nisje të sezonit nga klubi.

Ngjarja e së dielës a mund të ketë ndikim te skuadra?

Unë shpresoj dhe besoj që jo, pasi kjo nuk është një gjë e reflektuar në skuadër.

Vllaznia ka një drejtor sportiv me korrespondencë. Sa i vlen Engin Firat skuadrës?

Nuk më takon mua të flas për drejtorin sportiv, pasi është çështje e presidencës së klubit dhe administratorit. Më vjen keq që nuk është prezent në Shqipëri, pasi puna ime është e lidhur drejtpërdrejt me të. Unë momentalisht jam duke punuar me stafin teknik, me trajnerin. Është shumë e rëndësishme për skuadrën që drejtori të jetë i pranishëm, sepse ai është numri një në klub për çfarë i përket anës teknike të skuadrës apo për t’i kërkuar llogari stafit teknik. Në një klub me president, besoj se kjo gjë nuk do të ndodhte.

Tek akademia, cila është situata? 

Tek akademia punojmë dhe punojmë shumë madje. Kjo duket te 27 lojtarët që janë në Superligë, trofetë apo ata që janë përfshirë në ekipet kombëtare të moshave. Duan apo nuk duan, kemi qenë, jemi e do të mbetemi më të mirët në Shqipëri.

ADMIR URUÇI – PANORAMASPORT.AL

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"