EKSKLUZIVE/ Josa favorit për të marrë drejtimin e Skënderbeut, zbulohen dy kandidatët e tjerë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 4, 2020 | 23:57

EKSKLUZIVE/ Josa favorit për të marrë drejtimin e Skënderbeut, zbulohen dy kandidatët e tjerë

Pas largimeve të shumta menjëherë pas mbylljes së kampionatit, si dhe dy transferimeve të suksesshme të Elezit drejt kampionatit portugez dhe Pëllumbit drejt kampionatit austriak, Skënderbeu ka mbetur i zbrazur. Ende nuk di si do të ndërtohet ekipi për sezonin e ri. Ilir Daja është thuajse i larguar, mungon vetëm zyrtarizimi, kështu që problemi i parë për presidentin Ardjan Takaj është zgjedhja e trajnerit të ri, para se të ndërtojë ekipin. Çdo lëvizje te Skënderbeu ka mbetur peng e situatës së krijuar nga vonesa e shpalljes së vendimit nga Gjykata Federale.Skenderbeu festa e golit ndaj Vllaznise

Bardhekuqtë dukshëm janë të lidhur fort pas kësaj çështjeje, ku një vendim pozitiv do t’i kthente korçarët pretendentë për titull, ndërsa në të kundërt do të merrte jetë plani “B” për të mbajtur ekipin me talente dhe për të fituar vetëm nga shitja e tyre. Edhe në këto kushte presidentit Takaj nuk mbetet duarbosh.

Josa1

JOSA – Presidenti i Skënderbeut, nga sa bëjnë me dije burime pranë klubit korçar, ka filluar të studiojë pistat për njeriun që do të drejtojë ekipin sezonin e ardhshëm. Tre janë për momentin emrat në tavolinën e Takajt, dy prej të cilëve ish-trajnerë të Skënderbeut këto vitet e fundit. I pari në listë është Mirel Josa. Trajneri kryeqytetas e njeh ambientin korçar, ai ka fituar shumë me këtë klub. Eksperienca dhe aftësitë e Josës duket se e shtyjnë Takajn për ta pasur si kandidat të parë për të marrë “frenat” e ekipit në dorë.

Shehi dhe Shkembi

SHEHI DHE SHKËMBI – Në anën tjetër janë edhe Shehi dhe Shkëmbi kandidatë të mundshëm për të drejtuar korçarët sezonin e ardhshëm. Si Shkëmbi, ashtu edhe Shehi, e njohin mjaft mirë ambientin te Skënderbeu dhe mbi të gjitha filozofinë e punës së presidentit Takaj. Kjo e bën më të thjeshtë përshtatjen me ekipin për të nisur punën. Gjithsesi, po të njëjtat burime tregojnë se pavarësisht emrave që janë gati në listën e punës së presidentit Takaj, numri 1 i klubit bardhekuq nuk kërkon të nxitohet për të mbyllur çështjen e trajnerit. Takaj po pret mesin e muajit gusht, nëse do të sjellë ndonjë të re nga Gjykata Federale e Zvicrës, për të vazhduar më pas me ndërtimin e ekipit për sezonin e ri.

LLAZI SARO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"