Ekskluzive / Josa di “formulën”: Harrojini golat sot, vuhet në kthim. Skënderbe, vetëm kështu merr hak!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 17, 2017 | 17:08

Ekskluzive / Josa di “formulën”: Harrojini golat sot, vuhet në kthim. Skënderbe, vetëm kështu merr hak!

“Hakmarrja është një pjatë që shërbehet e ftohtë”, thotë një proverb i famshëm. Por a është mision hakmarrjeje ky i Skënderbeut sot përballë Dinamos së Zagrebit? Mirel Josa thotë se nuk ka hakmarrje në sport, por kjo është relative. Shumë syresh, sidomos ata që janë të dashuruar me fanellën bardhekuqe, shpresojnë se Skënderbeu do t’i tregojë Dinamos se jo gjithnjë do të jetë ajo “mbretëresha”, pasi në Ballkan ka edhe princa guximtarë që e ëndërrojnë skenën e madhe europiane. Dhe princ më të famshëm se Skënderbeu nuk ka…

Mire-josa

Por le të kthehemi te ndeshja. Askush më mirë se sa Mirel Josa nuk e njeh Skënderbeun e dekadës së fundit. Katër tituj kampion, arritja e fazës në grupe dhe pa dyshim një cikël fitues i një skuadre që është projektuar vetëm të fitojë. Jo vetëm në fushë, por edhe në aspektin financiar. Por a vlejnë financat në dy ndeshje delikate si ajo me Dinamon e Zagrebit? Josa e ka një përgjigje të qartë edhe për këtë. Po, sepse i vetmi që e ka sfiduar Dinamon e Zagrebit me Skënderbeun, ka qenë ai.

“Kanë ndryshuar shumë gjëra, – të thotë prerazi ish-trajneri i korçarëve, – Skënderbeu ka më shumë shanse, por i duhet të shfrytëzojë mirë dobësitë e Dinamos”. Josa nuk flet në tym, sepse ashtu si “pa dashje” ai ka ndjekur katër ndeshjet e Dinamos së Zagrebit dhe është i bindur se kroatët kanë pika të dobëta. Në një intervistë për “Panorama Sport”, Josa jep disa këshilla falas për ish-skuadrën e tij dhe ka shpresë, ka shumë shpresë…

Josa, do të luhet Dinamo-Skënderbeu. Ju keni kujtime të freskëta po jo të mira nga dueli me kroatët…

Mos bëni paralelizma. Janë dy ndeshje krejtësisht të ndryshme. Ekipet kishin objektiva të ndryshëm atëherë dhe shumë ndryshe tani. Ka diferenca të mëdha.

Mund të na i thoni këto diferenca?

Së pari luhej në Champions dhe jo në Ligën e Europës. Ndryshimi nis që këtu. Ndryshimi i dytë është se Skënderbeu, dy vite më parë kur u ndesh me Dinamon, e kishte siguruar fazën e grupeve të Ligës së Europës. Ndërsa tani ka arritur me meritë deri këtu, por do t’i duhet të luftojë për jetë a vdekje që të sigurojë grupet.

A e penalizon ky fakt në aspektin psikologjik skuadrën korçare, pra ky lloj tensioni?

Jo, nuk besoj. Skënderbeu do të shkojë ta luajë ndeshjen si i barabartë në Zagreb, jo si ne. Ne luajtëm në Zagreb në ndeshjen e dytë dhe të parën e kishim humbur 1-2 në shtëpi. Gjendja psikologjike nuk ishte e duhura.

Ju thatë se ka diferenca, por përveç kompeticionit që ndryshon, çfarë dallimesh të tjera ka ky duel?

Dinamo ka humbur cilësi. I ka ikur Pjaca, ka ikur qendërmbrojtësi i majtë Taravel dhe mesfushori portugez Gonzalo Santos që ishte shumë i zoti. Nuk janë pak. Kur ne u ndeshëm me Dinamon ishte vërtet një skuadër e shkëlqyer dhe ishte në rritje. Tani nuk e shoh Dinamon sërish në ato nivele.

Dinamo Zagreb Skenderbeu 4-1

Dakord, por edhe Skënderbeu ka pasur problemet e veta, nuk ka më skuadrën e dikurshme…

Po, e vërtetë është. Ka ndryshuar edhe Skënderbeu, por në këtë moment unë e shoh në rritje skuadrën. Ka pasur përmirësime të dukshme dhe ky është një plus.

Shumica në kampin korçar mendojnë se Skënderbeu ka më shumë shanse se dy vite më parë, ju jeni dakord me këtë?

Po, deri diku po. Të jemi të qartë: Dinamo mbetet një skuadër e rrezikshme dhe favorite. Por nuk është si dy vite më parë.

Pse jeni kaq të bindur se nuk është si dy vite më parë?

Sepse ka rastisur që unë të shoh katër ndeshjet e Dinamos së Zagrebit para se të hidhej shorti, por edhe më pas. Dinamo nuk është më aq e frikshme.

Pse, a mund të na e thoni?

Nga ajo që kam parë unë në këto ndeshje, kam vënë re se Dinamo nuk është aq e zonja në grup, por luan shumë individualisht. Natyrisht, i ka disa elementë si Çoriç, tek i cili i kanë sytë edhe ata, por ama në krahun e majtë lënë shumë për të dëshiruar. Pashë ndeshjet ku u kualifikuan me skuadrën finlandeze, Odd Grenland (0-0 dhe 2-1). Mbrojtësi i majtë i tyre, nr.3 (Borna Sosa), nuk ishte kurrkund. Skuadra luftonte me shumë forca para, por mbrapa linte për të dëshiruar. Pikërisht për këtë them se Skënderbeu ka më shumë mundësi.

Po thoni se duhet të sulmojë më shumë nga krahu i majtë?

Jo, po them se Skënderbeu, në raport me dy vite më parë, ka një mbrojtje më të konsoliduar dhe një mesfushë më të mirë. Mbaj mend që në ndeshjen e parë me Dinamon në Elbasan na mungonte Arapi, por kishim edhe Olainkën me Latifin me probleme fizike. Nuk janë pak tre lojtarë për ne. Ndërkohë Dinamo ishte shumë agresive në sulm dhe me një mbrojtje që njiheshin mirë me njëri-tjetrin. Tani nuk m’u dukën më ashtu.

Kush mund ta bëjë diferencën te Skënderbeu?

Grupi, patjetër që grupi dhe sakrifica.

Pse humbi aq thellë Skënderbeu në Zagreb dhe a mund të përbëjë kjo një pengesë psikologjike për disa nga futbollistët aktualë që ishin në atë ndeshje?

Ndeshja e kthimit ishte një histori tjetër. Nuk kam shumë dëshirë të flas për të. Goli i dytë që pësuam në ndeshjen e parë la pasoja në aspektin psikologjik dhe kur shkuam në Zagreb, përtej tentativës për të bërë surprizën, lexohej qartë tek të gjithë se ishte një nga ato ndeshje “të bëjmë ç’të mundemi”.

skenderbeu dinamo zagreb salihi

Nëse do të kërkonin një këshillë, çfarë do t’u thoshe?

Të jenë racionalë në Zagreb. Të luftojnë mirë, të ruajnë qetësinë dhe të shfrytëzojnë me cinizëm rastet që do t’u krijohen. Raste do të kenë, por duhet t’i shfrytëzojnë. Duhet të marrin një rezultat pozitiv në Zagreb, sepse në ndeshjen e kthimit pastaj kanë për të vuajtur shumë.

Pse do të vuajnë shumë?

Sepse do të vuajnë. E di mirë këtë. Nëse atje ia dalin të marrin një rezultat të mirë, këtu kanë për të vuajtur. Dinamo, kur nuk ka asgjë për të humbur, është akoma më e rrezikshme…

Çfarë ndeshje prisni sot në Zagreb?

Ndeshje shumë të kujdeshshme. Mos prisni kurrsesi gola. Do të jetë një lojë nervash dhe do t’ia dalë ai që do të ruajë gjakftohtësinë. Por golat me shumicë t’i harroni.

JETMIR HALILAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"