EKSKLUZIVE/ “Jemini djallëzor, donte ta jepte atë penallti”, Spaho: Flamurtari e meritonte titullin në 2011 (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga bota e sportit

Postuar: Maj 28, 2020 | 23:55


EKSKLUZIVE/ “Jemini djallëzor, donte ta jepte atë penallti”, Spaho: Flamurtari e meritonte titullin në 2011 (E PLOTË)

Pas gati një dekade, është rikthyer në skenë debati mes Skënderbeut dhe Flamurtarit. Mjaftoi ajo deklaratë e ish-arbitrit të ndeshjes së famshme që të vërshojnë edhe polemikat. Lorenc Jemini pranoi se kishte gabuar, duke u hapur një plagë të vjetër edhe ish-lojtarëve të kuqezinjve në sezonin 2010- 2011. Mikel Spaho nuk mund ta harrojë dot atë 11- metërsh që iu vodh nga Rafael Soza, gjë që e shpreh hapur edhe në një intervistë të dhënë enkas për “Panorama Sport”. Ish-portieri lushnjar i vlonjatëve e quan djallëzore “mea culpa”-n e ish-arbitrit të FIFA-s.SOZA VS FLAMURTARI

Mikel, gjyqtari Jemini pranoi pas 9 vjetësh se penalltia e Skënderbeut nuk ishte korrekte…

E pranoi se ka gabuar, por nuk është penduar. Ai vendim i padrejtë ia mohoi titullin Flamurtarit. Gjyqtari na goditi dhe tani pas një dekade, mezi na thotë: “Më fal se të vrava”. Ne e morëm atë ndëshkim të pamerituar dhe tani kjo deklaratë e djallëzuar vetëm sa na kujton një moment trishtimi.

Ishte thjesht një gabim?!

Jo, unë nuk mendoj kështu. Dora ime u zgjat drejt topit dhe jo vetëm që dëgjova bilbilin para kohe, por nuk kishte as shkak sepse unë me Sozën nuk pata kontakt. Nuk e kam prekur. Edhe gjyqtari anësor Agim Guçe e ngriti flamurin për 11- metërsh. Jo vetëm që nuk u vlerësua episodi, por penalltia u dha menjëherë. Nuk u vlerësua si dinamik veprimi.

Çfarë panë gjyqtarët që dhanë penallti?! Soza simuloi dhe detyra e gjyqtarit është ta shohë dhe jo të japë me vrap penallti. Jo çdo duel midis sulmuesit dhe portierit është penallti. Dalja e portierit është fatale, por gjyqtari trajton episodin, dinamikën e veprimit, sidomos në të tilla ndeshje, që luhen për një sezon të tërë.Mikel Spaho

Flamurtari e kontestoi atë penallti, që edhe i kushtoi shumë…

Kjo penallti e dhënë në mënyrë të padrejtë apo e nxituar i kushtoi shumë Flamurtarit. Atë kampionat ne meritonim titullin kampion. Unë mendoj që Skënderbeu e mban kot atë trofe sepse ky trofe, vetëm për këtë sezon, e theksoj këtë, i takon Flamurtarit.

Dhe pas kësaj ndeshjeje Flamurtari e humbi…

Shiko! Futbolli është matematikë, është me pikë. Skënderbeut iu dhanë dy pikë të pamerituara dhe Flamurtarit iu hoq barazimi. Nga një veprim i vetëm, sepse këto ndeshje, ku luhet titulli kështu, ndahen me një episod, me një gol. Renditja tjetërsohet dhe gjërat shkojnë edhe për keq, ashtu siç shkuam dhe ne e humbëm atë titull. Gjithmonë e kam vrarë mendjen se si mund ta prisja atë penallti, por nuk isha i qetë sepse u dha kot dhe kjo ndikon në aspektin psikologjik. Unë jam i pari që goditem sepse e kam episodin para syve.

Ju vjen keq për atë titull të munguar?

Më vjen keq, pasi çdo lojtar ëndërron të fitojë kampionatin dhe unë shansin e kisha me Flamurtarin. Kujtoj që kisha kaluar nga ekipi i qytetit tim te Vlora, pasi humbëm ndeshjen shtesë me Kastriotin dhe Lushnja mbeti në Kategorinë e Parë. Ishte një hap shumë i madh në karrierën time dhe kemi bërë një kampionat shumë të mirë. Por, sikundër dihet tashmë, e humbëm nga një penallti e paqenë. Kjo që thotë gjyqtari tani nuk ka më vlerë. Nuk ishte dhe aq e vështirë për ta ndarë, për një gjyqtar të mirë dhe të vëmendshëm, por kishte pak dëshirë për ta dhënë penallti.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

 




Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/

www.minuta90.com