EKSKLUZIVE/ “Jemi për titull”, Orges Shehi i bindur: Shtatë pretendentë, ju tregoj kush është ekipi për t’u zbuluar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 6, 2021 | 17:11

EKSKLUZIVE/ “Jemi për titull”, Orges Shehi i bindur: Shtatë pretendentë, ju tregoj kush është ekipi për t’u zbuluar

Trajneri i Tiranës, Orges Shehi, pranoi dje se bardheblutë luajnë për dy trofetë. Nga ana tjetër në intervistën për “Panorama Sport” tregon se problem janë afrikanët që ende nuk kanë ardhur, si dhe vendi i Çelhakës që duhet të mbulohet me një skemë tjetër loje.

Orges Shehi

Orges, si ju duket gjendja e skuadrës një javë para fillimit të kampionatit?

Gjendja e ekipit është shumë e mirë. Skuadra ka ardhur në formë. Na kanë ndihmuar shumë miqësoret që kemi zhvilluar gjatë këtyre javëve përgatitje. Ka qenë një fazë përgatitore e gjatë ku ne jemi munduar që të harmonizojmë ekipin pas ndryshimeve që bëmë gjatë verës. Kemi një skuadër pothuajse të plotë. Kemi pasur disa probleme të vogla me Ismajlgecin dhe rasti i Bekajt, i cili së fundi është diagnostifikuar me Kovid. Them se në përgjithësi jemi të plotë. Do të donim të ishim të gjithë javën e parë të kampionatit, por futbolli i tillë është.

Meqë dolët te Bekaj, mungesa e portierit jua ndryshon shumë skuadrën për javën e parë të kampionatit?

Tirana ka fatin që veç skuadrës të ketë një tjetër portier të mirë siç është Ilion Lika. Ai fare mirë mund të luajë si titullar në çdo ndeshje  dhe për këtë nuk kam asnjë lloj shqetësimi. Tirana është e dubluar në pothuajse çdo pozicion. Për këtë jemi të qetë. Është fusha që do të tregojë tani se sa do të japim rezultate.

Tirana është ajo që donit ju apo që keni pasur në mendje që në fillim të fazës përgatitore?

Po, është pothuajse ajo Tiranë. Në mendjen time kisha ndërtuar një skuadër me këta lojtarë, me një stil loje sipas idesë sime. Planet i prish pak largimi i Çelhakës. Djaloshi ishte në qendër të projektit së bashku me djem të tjerë. Futbolli kështu e ka. Ndonjëherë largohesh për një të ardhme më të mirë duke ndihmuar edhe klubin.

Ne kishim marrë masat dhe mendonim se Ismajlgeci do të largohej. Fati deshi që ne të na largohej Çelhaka. Do të mundohemi që ta mbyllim me mënyra të tjera boshllëkun që kemi në mesfushë nga largimi i lojtarit. Them se kemi një organikë të mirë për të përballuar sezonin.

Besoj që Tirana nuk ka qëllim tjetër veçse të luajë për titullin kampion dhe Kupën e Shqipërisë?

Ne jemi Tirana dhe do të luftojmë në çdo front. Do të bëjmë të pamundurën që të fitojmë ndeshjet një nga një dhe në fund të ngremë trofetë. Së bashku me ndihmën e tifozëve dhe djemve që do të luajnë në fushë, them se do të marrim maksimumin dhe do të arrijmë të bëjmë gjëra të mëdha. Objektivi ynë është i shkruar që ditën e parë. Fitimi i të gjithë trofeve.

Shehi

Këtë vit kujt i druheni më shumë nga kundërshtarët që do të keni përballë në Superiore?

Është diçka e rrallë këtë vit që të jenë shtatë pretendente për titullin kampion. Janë shtatë skuadra që luajnë dhe që kërkojnë trofe. Ekipet janë të formuara e të ndërtuara mirë. Veç Kukësit që është një e panjohur, të gjithë të tjerët janë aty-aty. Do të jetë një kampionat i luftuar deri në fund. Të gjithë duan të paktën të shkojnë në Europë. Ne shohim punën tonë dhe do të luftojmë për objektivat tanë.

Afrikanët kur do t’i shohim me fanellën e Tiranës?

Ky problem i takon klubit. Ata janë me tre muaj vonesë. Janë në kontratë me Tiranën dhe kjo është e vërteta. Shpresoj që të jenë sa më shpejt në Shqipëri, por për mua është diçka jo normale. Nuk e di se çfarë forme do të kenë ditën që do të kthehen në Shqipëri. Gjithsesi, të shohim…

OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"