EKSKLUZIVE/ “Partizani tregoi që jemi për titull”, Hakaj: Balaj? Duhet të punojmë ne që… (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 19, 2023 | 23:38

EKSKLUZIVE/ “Partizani tregoi që jemi për titull”, Hakaj: Balaj? Duhet të punojmë ne që… (E PLOTË)

Esin Hakaj e quan pozitiv fillimin e Vllaznisë në këtë vit kalendarik. Sipas tij, dy fitore në dy ndeshje tregojnë se shkodranët ndihen më të fortë dhe më të sigurt për vazhdimësinë. Mbrojtësi i majtë i ekipit të Josës shprehet se fitorja ndaj Partizanit e ka kthyer vrullshëm Vllazninë në garën për titull. Në një intervistë për “Panorama Sport” Hakaj kërkon nga skuadra që të ecë me këtë ritëm dhe të qëndrojë me këmbë në tokë. Gjithashtu ai ka vlerësuar edhe afrimin e merkatos, sulmuesin Bekim Balaj.

hakaj

Ky vit ka filluar më së miri për Vllazninë?
Është e vërtetë, nuk ka ku shkon më mirë, dy ndeshje, dy fitore. Të dyja kanë vlerat e tyre. Fitorja ndaj Partizanit tregon dhe njëherë për pretendimet tona, ndërsa ajo në Kupë ndaj Bylisit, bëri që të hedhim një hap para drejt kualifikimit për në turin tjetër.

Çfarë ka ndryshuar te kjo Vllazni?
Vitin që shkoi kemi bërë një mbyllje shumë të mirë me fitore dhe e nisëm në të njëjtën mënyrë. Mendoj se ekipi po del në lojën e vet dhe po shpreh një grintë tjetër. Ky mund të jetë ndryshimi i vetëm sipas meje. Megjithatë është vetëm fillimi dhe e rëndësishme është që të ruajmë ritmin.

Në fundjavë do të përballeni me Laçin, si e shihni këtë ndeshje?
Ndaj Laçit asnjëherë nuk e kemi pasur të lehtë. Është një skuadër që në çdo takim ndaj nesh ka treguar shpirt të lartë gare dhe shumë grintë. Nuk ka asnjë ekip të lehtë në këtë kampionat. Por unë nuk do të merrem me atë që do të bëjë Laçi. Unë do të merrem me atë që do të bëjë Vllaznia në këtë takim.

Cili do të jetë objektivi i Vllaznisë në këtë sfidë?
Si në çdo takim dhe ndaj Laçit do të kërkojmë vetëm një rezultat, që është fitorja. Fusha i njeh të tri rezultatet, por ne duhet që të zhvillojmë lojën që kemi bërë edhe në përballjet e fundit dhe të kërkojmë maksimumin. Unë besoj se do të arrijmë maksimumin ndaj Laçit.

Sulmi nuk ka shënuar shumë në këtë periudhë, megjithatë në tri takimet e fundit së bashku me Kupën janë shënuar 8 gola. Tani u afrua në ekip edhe një sulmues si Bekimi. Si e shikoni afrimin e Balajt?
Mund të them se do të rritet loja e ekipit në sulm, por ashtu edhe sulmi ka bërë mirë punën e vet. Për Bekimin s’kam çfarë të shtoj më shumë sesa ajo që ai ka arritur në gjithë këto vite. Është një vlerë e shtuar për ne që të kemi në majë të sulmit një lojtar si Balaj. Kur ke në skuadër një lojtar të tillë, edhe moralisht ekipi ndihet më mirë. Por duhet që të punojmë shumë mirë të gjithë në aspektin sulmues, që të dalë në pah edhe më mirë loja e Bekimit.

A e ka futur trepikëshi ndaj Partizanit seriozisht Vllazninë në garën për titull?
Trepikëshi ndaj Partizanit ka pasur më shumë vlerë se aq, për vetë faktin se luanim përballë skuadrës së vendit të parë. Me ato tri pikë jo vetëm që shkurtuam diferencën me ta, por treguam se jemi një nga skuadrat pretendente për titull. Ne nuk do të linim në mes luftën për titull edhe nëse do të kishim humbur ndaj Partizanit, pasi ka ende shumë javë, por ajo fitore na jep më shumë të drejtë për të bindur edhe ekipet e tjera se do të jemi një prej skuadrave pretendente këtë sezon. Për mua është e rëndësishme që ekipi të mos shikojë prapa tek ajo që kemi arritur, por të qëndrojmë me këmbë në tokë dhe të shikojmë vetëm përpara. Për titull ka një rrugë të gjatë. Ne duhet që të shikojmë jo më larg se ndeshja e radhës. Mendoj se jemi në rrugën e duhur.

ADMIR URUÇI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"