EKSKLUZIVE/ “Jemi për psikolog, 50% e garës vendoset nga organizuesit”, Idrizi: Çudi me Dinamon, u dëshpëruan te penalltia e humbur

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 26, 2023 | 21:59

EKSKLUZIVE/ “Jemi për psikolog, 50% e garës vendoset nga organizuesit”, Idrizi: Çudi me Dinamon, u dëshpëruan te penalltia e humbur

Flamurtari zhgënjeu, por Sinan Idrizi nuk ka në plan që ta gjobisë skuadrën. Me batutë dhe shumë ironi, presidenti mendon se ka ardhur koha që skuadra të shkojë te psikologu… -800-450-Sinan-Idrizi

Gjatë një interviste ekskluzive enkas nga Turqia për “Panorama Sport”, ai prek gjithçka. Sqaron situatën e Diego Longos në stol, por jep një koment edhe për pamjet virale të Lushnja-Dinamo. Veç çudisë për zhgënjimin e mbrojtësit të bluve për penalltinë e humbur të sulmuesit të lushnjarëve, thekson se në futbollin tonë 50% e gjërave vendosen nga ata që organizojnë garën. Nuk i del inati me FSHF-në, ndërsa i paralajmëron që të mos vijë hiç në Vlorë me 6 maj, ditë kur do të prezantohet projekti i stadiumit. E ka ndarë mendjen që t’i bëjë bllokadë, pas masakrës që i bënë skuadrën së tij.

Flamurtari nuk u ngjit direkt në Superiore dhe tani shansi i vetëm mbetet nëpërmjet “play off”-it. E priste Idrizi këtë dorëzim para kohe të ekipit?

Unë e kam thënë edhe më parë, që nuk e bëj kurrë qaramanin. Ndeshja ishte nga ato që ne themi: “Keq me burrë e keq pa burrë…” Nuk është se ekipi nuk reagoi. Luajtëm futboll, por nuk më pëlqeu rezultati. Ishte një dështim. Një situatë që ne nuk e prisnim, por ndodhi. Tani na duhet që të marrim masa. Unë e kam thënë që dua të jem ose i pari ose i fundit. I pari nuk dola dot, tani do të dal i fundit.

Keni folur vazhdimisht për gjoba, por kurrë nuk i vendosët…

Te Flamurtari nuk ka gjoba. Kjo nuk është çështje gjobash, por është punë besimi. Unë nuk e kam mentalitet gjobën, por mirëkuptimin. Dua futboll të pastër. I butë apo i egër, unë nuk e bëj dot diktatorin. Për çfarë duhet ta bëj dhe të gjobis skuadrën?!

Çfarë mendoni se nuk shkon në skuadër?

T’i çojmë te psikologu të gjithë dhe t’u bëjmë testime për germën e parë të alfabetit të gjithëve, se me këtë pritshmëri që kanë…

Longo u largua pa takuar lojtarët dhe ka zëra për një largim të tij. Ju ka kontaktuar trajneri?

Longo ka pasur programim për këtë javë pushimi të kampionatit, kishte prerë biletën për të shkuar në Itali, tri ditë pranë familjes së tij. Ishte koincidencë. Nesër (sot) vjen në Vlorë.

Nuk keni folur fare me Longon?

Jo, nuk e kam kontaktuar, por kam takuar lojtarët. Kuptohet që pas ndeshjes janë 1001 komentatorë dhe kjo është një histori tjetër.

Keni një koment për ndeshjen në Lushnjë, ku Dinamo dukshëm neglizhoi?

Unë nuk i komentoj kurrë ekipet e tjera. Por mendoj se është rasti i parë që ndodh ajo kur lojtari i një ekipi kundërshtar hidhërohet kur nuk pëson. Është klasike çudi shqiptare. Po ta bënte një lojtar i Flamurtarit këtë gjë, unë do t’i kërkoja shpjegime, por jam i sigurt që këtë gjë do ta kenë bërë kolegët e mi të Dinamos. Megjithatë, në futbollin tonë 50% e garës vendoset nga lojtarët në fushë, 50% nga ata që e organizojnë këtë garë.

Keni një mesazh për Federatën Shqiptare të Futbollit?

Kam diçka për ftesën që na ka ardhur për 6 majin ku në Teatrin e Vlorës do të prezantohet projekti i stadiumit të ri “Flamurtari”. Investimi është i qeverisë shqiptare, nuk e kuptoj pse do të marrin pjesë në atë prezantim përfaqësues të FSHF-së kur ata kanë kontribut zero në këtë projekt. Nuk e kuptoj si do të ndihen zyrtarët e FSHF-së kur të vijnë në Vlorë.

Çfarë doni të thoni me këtë?

Pse do të vijnë në Vlorë, kur unë kam hedhur 1 milion euro në atë stadium për tribunën dhe ambientet e ata nuk erdhën njëherë ta shikonin. Si do të vijnë ata në Vlorë kur qytetit i mbyllën stadiumin për 6 javë? Do të kenë kurajën që të përballen me tifozët tanë? Ne jemi bukëdhënës këtej nga Vlora, por u them të mos vijnë, të mos e harxhojnë kot fondin e fundjavës në një vend që i masakruan ekipin.

Nëse kanë kuriozitet për të parë le të vijnë, por për të folur është e kotë. Pashë në axhendë që një përfaqësues i FSHF-së atë ditë ka një fjalë që do të mbajë në atë takim prezantimi. Unë do ta bojkotoj kur ai të flasë. Ftoj edhe të tjerët që në atë moment të largohen nga salla. Ne në Vlorë kemi një burrëri të rrallë që ta themi në sy atë që kemi. Ndaj ju them që, ti si mysafir mund të vish, por nuk je i mirëpritur. E kemi parë sa e doni futbollin vlonjat!

ERMAL SIKA -PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"