EKSKLUZIVE/ “Jemi në rrugën e duhur”, Gega: Me Tiagon nuk ishte e lehtë, ja kur do të vendosim për sulmuesin anglez (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 7, 2022 | 11:30

EKSKLUZIVE/ “Jemi në rrugën e duhur”, Gega: Me Tiagon nuk ishte e lehtë, ja kur do të vendosim për sulmuesin anglez (E PLOTË)

Në një mot të fres kët dhe me kush te optimale, Kukësi prej disa ditësh ndodhet në qytetin Bolu të Turqisë për fazën përgatitore. Në dy miqësoret e zhvilluara skuadra ka humbur dhe barazuar nga një herë, por për Skënder Gegën rezultati është në plan të dytë, pasi rëndësi ka forma që po tregojnë lojtarët në këtë fazë. Në një intervistë për “Panorama Sport”, trajneri vlerëson afrimin e mbrojtësit portugez, Tiago Ferreira, me të cilin zbulon se ka folur edhe personalisht. Nga ana tjetër, sqaron edhe situatën me boshnjakun Lukiç, i përfolur për të ardhur te Kukësi, por edhe të anglezit Lejton që është në provë. Gega nuk është i kënaqur plotësisht nga skuadra, pasi sipas tij, kanë mundësi për më shumë dhe nëse janë në 100 %, mund të jenë pretendentë, ndërsa merkaton e konsideron ende të hapur deri në fund.

Gega

Profesor, së pari si është koha në Turqi?

Në fakt, kemi qenë pak me fat, sepse këtu temperaturat janë shumë të freskëta nga sa ndodh zakonisht në gjithë Stambollin. Në njëfarë mënyre kjo na ka dhënë mundësinë të ruajmë freskinë.

Si po shkojnë përgatitjet?

Në përgjithësi mund të them mirë, ku kemi zhvilluar edhe dy ndeshje miqësore. Jam munduar të aktivizoj të gjithë lojtarët, për t’i parë në lojë. Përveç portierit Tafas, që ka pasur më shumë minuta, pasi i nevojiten, të tjerët i kam zëvendësuar dhe secili ka pasur hapësirat e tij për të treguar diçka. Kemi pasur rritje nga ndeshja e parë në të dytën dhe ky fakt më ngroh disi, por megjithatë ende nuk jemi aty ku duhet dhe jo të gjithë kanë qenë brenda pritshmërive. Jam i bindur që ajo që kemi dhënë në fushë nuk është maksimumi i lojtarëve, sepse kanë mundësi për më shumë, por janë edhe paksa të ngarkuar këtë periudhë. Kanë shfaqur probleme të ndryshme, por kemi edhe një miqësore tjetër dhe më pas do të dalim në një konkluzion më të saktë. Miqësoret i luajmë pa presionin e rezultatit, edhe pse njerëzit presin ndoshta edhe fitore në këto ndeshje.

Së fundmi është afruar në skuadër edhe portugezi Tiago Ferreira. Si ju duket?

Në fillim hyri klubi që kontaktoi, pastaj edhe unë personalisht, ku kemi diskutuar shpesh në telefon për të gjetur akordin dhe për të qenë të ndërgjegjshëm për një sfidë aspak të lehtë. Kështu që Tiago pranoi dhe kushtet e klubit dhe anasjelltas.

Si është e vërteta me sulmuesin boshnjak, Lukiç. Do të vijë te Kukësi?

Të jem i sinqertë, unë e kam marrë vesh nga media, pasi personalisht apo ndonjë nga klubi, të paktën me dijeninë që kam, nuk ka pasur kontakte apo të na jetë vetofruar. Nuk e di se çfarë bëhet jashtë klubit, por nuk di ndonjë gjë për këtë rast.

Po situata me anglezin Lejton vazhdon ende në provë?

Lejton, siç e dini ka ardhur për t’u provuar, por problemin e vetëm e ka se nuk ka luajtur. Aktualisht po bën mirë dhe do të shohim deri në fund se çfarë do të bëjmë.

E konsideroni të kompletuar skuadrën apo prisni ende nga merkatoja?

Kemi nevojë ende për t’u përforcuar dhe do mundohemi që këtë periudhë deri në fund do mundohemi të marrim ndonjë lojtar tjetër për t’u kompletuar. Pothuajse 70 për qind e ekipit janë të rinj, edhe në moshë. Do t’i ingranojmë të gjithë që të përshtaten me mënyrën e lojës tonë. Ideja është që duhet patjetër zëvendësues ideal për çdo lojtar, që nëse të mungon njëri, të jetë i gatshëm lojtari zëvendësues, për t’u integruar menjëherë. Çdo ditë po bëjmë përmirësime dhe jemi në rrugën e duhur. Megjithatë, nuk jemi favoritë, do të bëhemi vetëm nëse në fund do të jemi në 100 për qindëshin tonë.

Shqiprim Taipi dhe Dragoshi vijojnë të dëmtuar, si paraqitet situata?

Shqiprimi vjen nga një dëmtim nga sezoni i kaluar dhe nuk duam të rrezikojmë, por do t’i japim kohën të rikuperohet dhe po ecën mirë. Është një lojtar i vlefshëm dhe shihet si pjesë e projektit. E njëjta gjë edhe për Dragoshin, po vijon me terapinë pas një problemi në gju dhe të shpresojmë që sa më shpejt të jenë gati.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"