EKSKLUZIVE/ “Je mashtrues, mos qaj kot. Shumë po të lusim!”, zbardhet debati i plotë Rexhinaldo-Laska

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 12, 2018 | 23:42

EKSKLUZIVE/ “Je mashtrues, mos qaj kot. Shumë po të lusim!”, zbardhet debati i plotë Rexhinaldo-Laska

Rexhinaldo pretendon se është goditur nga presidenti i Laçit, Pashk Laska, ndërsa ky i fundit i kërkon që të faktojë pretendimet dhe për këtë është i gatshëm të përballet kudo. Sipas Laskës, debati është zhvilluar nën mbikëqyrjen e kamerave të sigurisë dhe gjithçka është e verifikueshme.

pizap.com15235245651461

Sulmuesi nga Mozambiku dhe presidenti i klubit kurbinas kanë pasur diskutim për rreth 1 orë në ambientet e kompleksit stërvitor në Kamzë. “Panorama Sport” vëzhgoi nga fillimi deri në fund debatin dhe, në një moment, të dyja palët e thirrën vetë gazetarin që të ishte prezent, madje edhe të bënte rolin e përkthyesit.

Rexhinaldo këmbëngulte që të mos dilte në stërvitje, por pas diskutimit që pati me presidentin e Laçit dhe pas këshillave të ish-futbollistit Abraham Aleçenu, i cili bën rolin e përkthyesit me afrikanët dhe menaxherin e ekipit të Laçit, vendosi që të hynte në fushë dhe të kryente stërvitje të diferencuar. Gazeta pasqyron ekskluzivisht debatin mes Rexhinaldos dhe presidentit të klubit, Pashk Laskës.

rexhinaldooo

Rexhinaldo: Unë kam ardhur në Shqipëri për të luajtur futboll dhe jo të merrem me gjëra të tjera. Por ky klub është komplet ndryshe. Unë kërkoj që të më respektohet kontrata dhe të bëj detyrën time. Nuk është hera e parë që më keqtrajtojnë. Presidenti më goditi.

Pashk Laska: Trego ku të godita dhe a të doli gjak siç ka dalë në media? Hë, pra, tregoja gazetarit, ja ku e ke…! Thjesht e kam marrë për krahu dhe e nxora jashtë që të vijonte analiza e skuadrës, meqë refuzonte të përgjigjej dhe të dilte nga salla.

“Panorama Sport”: Rexhinaldo, ku të goditi presidenti dhe a u gjakose?

Rexhinaldo: Unë jam i vetëm këtu, por presidenti do të ma paguajë shtrenjtë. Ndihem i frikësuar.

Pashk Laska: Ore lëri këto, po trego ku të godita dhe a u përgjake, mos devijo! Po ashtu pyesim edhe shokët e tjerë të ekipit. A do të vish t’i pyesim?

Rexhinaldo: Shokët nuk kanë çfarë të thonë, pasi të gjithë ndihen të frikësuar dhe nuk flasin.

“Panorama Sport”: Rexhinaldo, çfarë bëre pas incidentit? Rexhinaldo: Shkova në polici dhe u ankova. “Panorama Sport”: Për çfarë u ankuat dhe a bëtë denoncim?

Rexhinaldo: Jo denoncim nuk bëra, por u thashë policëve se jam i vetëm në Shqipëri dhe tani ndihem i frikësuar.

Pashk Laska: A e shikoni që ky vetëm di të mashtrojë…? Gjatë ballafaqimit në polici mohoi se ishte dhunuar, por thjesht thoshte se jam i frikësuar. Nga kush ka frikë? Shikojeni bashkë jemi tani dhe po diskutojmë prej minutash. Por ky nxjerr pretekst për të mbuluar fajet dhe për të mos u përballur me gjobat që vijnë nga shkeljet e shpeshta të rregullave. I kemi plotësuar çdo kusht, madje vetëm për t’i sjellë të fejuarën këtu kam shpenzuar 5 mijë euro, bileta lejet e qëndrimeve etj., etj. Pa llogaritur gjobat që kishte kur ishte larguar nga Luftëtari, të cilat ia kemi paguar që në fillim të vitit. Ky ka kohë që nuk është në rregull. Është i lirë të japë intervistë tani, por jo të gënjejë.

Rexhinaldo nis të qajë: Të lutem zbato kontratën që kemi (i drejtohet Pashk Laskës). Kam ardhur të luaj futboll.

Pashk Laska: Kujton se duke qarë do të më mallëngjesh?! Po të duash, je i lirë, mund të ikësh që tani, por dokumentet merren kur mbaron sezoni dhe pasi të jenë ballafaquar kushtet e kontratës. Të kam plotësuar çdo tekë, tani e vendosim ne se ku do të stërvitesh dhe kur do të luash. Meqë ra fjala, pse erdhe me vonesë sot?

Rexhinaldo: E mora vesh vonë se kishte ndryshuar orari dhe më iku furgoni që merr lojtarët… Nuk m’u përgjigjen as në telefon.

Pashk Laska: Të merrje taksi dhe vije në kohë, t’i paguanim ne.

Rexhinaldo: Unë erdha, por trajneri nuk më pranoi në stërvitje.

Pashk Laska: Pse kur të duash t’i do të hysh në fushë. Meqë ke ardhur dhe të mos shkojë rruga kot, zhvishu dhe bëj stërvitje individuale me trajnerin.

Rexhinaldo: Pse më trajtoni kështu, unë dua të luaj futboll. Mos u tallni me mua apo pse jam i vetëm këtu?

Pashk Laska: Bëj çfarë të duash dhe si ta mendosh. Ta shikojnë edhe mediat se sa shumë po të lusim duke të bërë favor, si dhe po mbajmë trajnerin që ti të stërvitesh veçmas, edhe pse pjesa tjetër e grupit ka mbaruar punë. Edhe diçka të fundit: këtu i gjithë sistemi është i monitoruar nga kamera sigurie. Nëse ky (Rexhinaldo) pretendon se është dhunuar nga unë, jeni të lutur që ju si media, apo edhe policia të vijë të shohë pamjet filmike të të gjithë debatit që u bë atë ditë në analizë. I kam kërkuar vetëm të respektojë urdhrin e trajnerit dhe të dalë jashtë. Por ky është mashtrues. Të njëjtën gjë i them kujtdo, edhe policisë: të vijë të shikojë çfarë kanë kapur kamerat e sigurisë dhe të vërtetojnë çdo gjë.

(Abraham e këshillon që të zbatojë urdhrin e drejtuesve, pasi kjo është në të mirë të vetë lojtarit).

ILIR CARA

Shënim: Ndalohet riprodhimi i pjesshëm ose i plotë i artikullit pa lejen e gazetës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"