EKSKLUZIVE/ “Jam mirë, nuk kam probleme”, trajneri i Flamurtarit i infektuar me ‘COVID’: Do ta drejtoj ekipin me…telefon
Tronditet Flamurtari. Trajneri Dritan Resuli ka rezultuar pozitiv me COVID-19 një ditë para ndeshjes me Tomorin. Klubi është vënë në alert dhe direkt ka kryer tamponë për stafin teknik, atë drejtues dhe futbollistët e formacionit. Lajmin për “Panorama Sport” e ka konfirmuar vetë administratori Sinan Idrizi, i cili tha: “Trajneri i Flamurtarit ka rezultuar pozitiv me COVID-19. Unë i uroj shërim të shpejtë.
Në këto kushte, sot (dje) bëmë tamponin të gjithë ne si staf drejtues dhe futbollistët që kanë qenë më pranë trajnerit. Futbollistët që kanë qenë pranë Resulit dhe kanë udhëtuar me të kanë bërë të gjithë tamponin. Drejtuesit e klubit, punonjësit e zyrave, zëvendëstrajnerët e kanë bërë të gjithë tamponin. Sipas rezultateve, do të marrim edhe ne masat tona. Presim përgjigje të shpejta, pasi i bëmë në një laborator privat këtu në Vlorë. Nuk besoj se ndeshja me Tomorin do të rrezikohet. Por, normal që nëse do të dalin të gjithë të infektuar, pastaj do të vendosin ‘shokët e aparatit’”.
TRAJNERI – Gazeta kontaktoi edhe me vetë trajnerin për ta pyetur dhe ai konfirmon se është mirë. “Jam mirë, nuk kam probleme shqetësuese. Pas disa analizave që realizova rastësisht rezultova me COVID-19. Menjëherë u vetëkarantinova. Tashmë do të ndjek të gjitha protokollet dhe rregullat derisa të dal negativ”, u shpreh numri një i pankinës, që sot do të zëvendësohet nga përgatitësi atletik, braziliani Rui Sampaio.
NDESHJA – Dritan Resuli shpreh keqardhjen që nuk do të jetë në pankinë në ndeshjen me Tomorin. Ekipi do të jetë më i plotë kundër beratasve, ndërsa mungesë të vetme do të ketë Denis Aliajn, i pezulluar me dy ndeshje nga Komisioni i Disiplinës. “Më vjen keq që do mungoj, megjithatë ndeshjen e kemi përgatitur për të marrë rezultat pozitiv. Por, nuk ke se çfarë të bësh. Gjithsesi, do të jem pranë ekipit dhe do të jap udhëzimet nëpërmjet telefonit, nëse do të jetë e nevojshme. Do më duhet të humbas edhe përballjen e së mërkurës kundër Elbasanin, gjithsesi besoj te grupi. Edhe pa mua, do t’ia dalin. Në takimet e kaluara për lojën dhe angazhimin që lojtarët kanë pasur në fushë nuk i kemi merituar ato rezultate. Megjithatë, do të shikojmë përpara. Besoj se djemtë do të arrijnë të dalin me një rezultat pozitiv nga ndeshja me Tomorin, pasi kemi punuar mjaft mirë gjatë gjithë javës”, përfundon Resuli.
ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"