EKSKLUZIVE/ “Jam gati ta ndihmoj Partizanin”, flet Adrian Aliaj: Shqipëria nuk ka bërë asnjë progres me Rejën (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 14, 2022 | 20:26

EKSKLUZIVE/ “Jam gati ta ndihmoj Partizanin”, flet Adrian Aliaj: Shqipëria nuk ka bërë asnjë progres me Rejën (E PLOTË)

Transferimet e lojtarëve, dështimi i klubeve shqiptare në Kupat e Europës, problemet në menaxhimin e tyre dhe në fund… Kombëtarja. Adrian Aliaj ka për të gjithë dhe nuk i kursen kritikat për mënyrën se si po shkojnë gjërat në futbollin shqiptar. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, 46-vjeçari që drejton prej vitesh një kompani menaxhimi futbollistësh, e konsideron ecurinë e përfaqësueses pa asnjëlloj progresi për gjithë kohën që drejtohet nga Edi Reja. Ish-mbrojtësi vlonjat i kuqezinjve deklaroi se është i gatshëm të ndihmojë klubin e Partizanit për atë që ai di të bëj më mirë.

aliaj

Adrian, jemi në fazën më të nxehtë të merkatos së verës. Si janë këto ditë për një agjent, për më tepër që ju drejtoni prej vitesh një kompani menaxhimi për futbollistët?

Në këtë moment që flasim, shumicën e lojtarëve që menaxhoj, i kam në nivele serioze. Atje ku janë po bëjnë mirë dhe kjo më kënaq. Pastaj, duhet të kuptojmë që jemi në një periudhë tranzicioni edhe në futboll, pas atyre që kanë ndodhur në këto dy vitet e fundit. Fillimisht COVID-i, më pas rregullat e reja të UEFA-s me “Fair-Play”-n financiar në klube dhe së fundmi lufta në Ukrainë. Po flasim për një moment të vështirë në transferimet e lojtarëve, sidomos atje ku duhen pagesat. Po të shikosh, 70 % e lëvizjeve janë bërë me huazime dhe opsione për blerje. Lojtarët më shumë po presin të mbarojnë kontratat, pasi gjendja aktuale në botë është e atillë që ndikon direkt në futboll. Rritja e çmimeve ka ndikim të drejpërdrejtë, pasi duhet të kuptojmë që ky sport financohet nga gjërat jashtë futbollit në shumicën e rasteve.

Po thoni që ka pasur probleme financiare me lojtarët që keni në menaxhim, duke e ndier në klubet përkatëse?

Po, sigurisht. Ka pasur reduktime të rrogës, sidomos në periudhën e COVID-it. Megjithatë, për lojtarët që menaxhoj, jam në një situatë ku po negocioj më tepër për rinovime të kontratave. Pra, për ata që janë në nivele të larta dhe luajnë në klube shumë serioze.

Më konkretisht, cilët janë?

Është Amir Rrahmani te Napoli dhe Mërgim Vojvoda te Torino. Drejtuesit e dy klubeve janë shumë të kënaqur dhe nuk duan të lëshojnë lojtarët, prandaj dhe në këtë moment po bisedojmë për rinovimin e kontratave.

Lojtarët që keni në Turqi, si Abazaj, Rroca dhe Ethemi, po luajnë këtë sezon në Superligë…

Dua ta nis me Rrocën. Më vjen keq, sepse është një lojtar shumë i nënvlerësuar në opinionin shqiptar. Unë personalisht jam habitur, pasi nuk e prisja të ishte në ato nivele. Ka një kualitet të madh dhe ka bërë shumë mirë në Turqi. Kemi edhe Emir Sahitin te Hajduku i Splitit, që ka bërë një supersezon. Po ashtu Arbër Zenelin te Reims në Francë. Nuk dua të lë pa përmendur një emër të ri, që presim të shpërthejë. Është mbrojtësi i Bylisit në Shqipëri, Marcelino Preka, që luan edhe me Kombëtaret e moshave. E shikoj me shumë perspektivë të madhe. Të njëjtën gjë mund të them edhe për Henrik Nergutin që luan në Slloveni me NS Mura.

Sa i lidhur jeni me klubet shqiptare në këtë moment dhe a ka ndonjë emër konkret që ju intereson për ta transferuar në Europë?

Për fatin e keq, Shqipëria gjithë kohës ka pasur lojtarë mesatarë ose poshtë mesatares. Për të hedhur sytë nga futbolli jonë në këtë moment, duhet të flasim për diçka që është ekstra potencial. Dua të veçoj Prekën, që tani mbush 19 vjeç, i cili realisht më ka bindur. Për sa u përket lojtarëve të tjerë, ju po e shikoni edhe vetë, pasi nga Tirana, Partizani, Vllaznia etj., ikin lojtarë që më pas transferohen në ligat e dyta të Turqisë apo në shtete si Moldavia.

Çfarë e step një klub të huaj për të investuar te një lojtar që aktualisht është pjesë e ekipeve elitare në Shqipëri?

Nuk kemi lëvizje të rëndësishme, sepse kampionati shqiptar është poshtë mesatares si nivel. Janë shumë faktorë që ndikojnë, por ajo që duhet të themi me plot gojën është që, nëse ne do të jetojmë me realitetin, atëherë gjërat janë normale kështu siç janë. Nëse jetojmë me përralla dhe filma, atëherë gënjejmë veten. Për momentin ne kemi një kampionat që deri diku ka rritur nivelin e tij në krahasim me të kaluarën, duke filluar nga infrastruktura apo edhe një detaj tjetër, jo pak i rëndësishëm, që ekipet tona shkojnë për faza përgatitore qoftë në verë apo dimër në komplekse të vendeve ku janë edhe klube të tjera evropiane. Por, duhet të kuptojmë që realiteti financiar i klubeve shqiptare është automatikisht i lidhur edhe me kualitetin e lojtarëve.

Tirana që u shpall kampione kërkon për shitjen e një sulmuesi si Seferi mbi 1 milion euro, ndërsa ish-kapiteni i tyre, Hoxhallari, i cili është pjesë e Kombëtares, iku me parametra zero në Rumani tek UTA Arad. Ju çfarë komenti keni?

Kjo është ana profesionale e njerëzve që punojnë në klubet shqiptare, të cilët kanë mangësi shumë të madhe, por jo mungesë eksperience në këtë biznes. Nuk dua të përmend emra, por kjo është diçka relative, sepse në futboll nuk kemi gjëra fikse. Ka shumë të bëjë vlerësimi, koeficienti apo negociatat që t’i bën. Në një moment, menduam se e bëmë një klub serioz në Shqipëri, që e kishte emrin Skënderbeu. Nga unë i pari, mendova se shyqyr Zotit që më në fund u krijua një klub që bëri emër, formonte lojtarë dhe po linte gjurmë në Europë. Aty të gjithë thamë që kjo ishte rruga që duhet të ndjekin klubet e tjera. Dhe çfarë ndodhi më pas?! Nuk dua të zë emra në gojë, por klubi që e mbante veten si më të mirin në Shqipëri, të marrë një dënim ekzemplar nga UEFA, që nuk është parë kurrë në historinë e futbollit, mendoj se është krim. Pas asaj që ndodhi, çudia është se të njëjtit njerëz janë në atë klub. Pra, ky është realiteti shqiptar.

Theksuat që nuk u mungon eksperienca atyre që drejtojnë klubet, por profesionalizmi…

Në momentin që t’i u ofron të gjitha kushtet lojtarëve, e vlerëson dhe e rrit nga ana profesionale, atëherë ke të drejtë edhe t’i kërkosh. Në klube mungon ana profesionale, sepse nuk jetojnë me realitetin. Shikoni, nëse unë shes 7 lojtarë nga 200 apo 300 mijë euro, sigurisht që në total jam i fituar. Nëse kam një lojtar që nuk është i kënaqur dhe do që të iki patjetër, atëherë ti nuk e mban dot, sepse ai është i pakënaqur dhe nuk do të japë më rendimentin që kërkon. E theksoj që ana profesionale në klubet shqiptare është në mungesë të theksuar.

Ju jetoni prej vitesh në Kroaci. Sa e vështirë është të bindësh sot një klub të elitës kroate për të blerë kartonin e një lojtari të Superiores?

Nëse flasim për elitën në Kroaci, së pari te Dinamoja e Zgarebit as nuk duan të hyjnë fare në bisedime për lojtarë nga Superiorja. E njëjta gjë edhe për Hajdukun e Splitit. Pastaj, te klubet më poshtë është diçka që duhet biseduar, por nuk do të jemi të sinqertë. E vërteta është që lojtarët që kanë ardhur me shumicë në Kroaci nga kampionati shqiptar në vitet e fundit, përveç Myrto Uzunit dhe deri tani Enis Çokajt, të cilin e shikoj në nivele të larta, askush tjetër nuk ka bërë dot hap të madh. Kjo është e lidhur me cilësinë e kampionatit, sepse kanë ardhur shumë, por nuk kanë lënë gjurmë. Vetëm Uzuni dhe Çokaj kanë bërë diferencën, ë paktën deri më tani.

A ka një emër aktualisht në kampionatin tonë që ju pëlqen dhe do të kërkoni të bashkëpunoni për një transferim?

Të them të drejtën, për momentin nuk kemi në fokus asnjë futbollist të Superiores, përveç Prekës që përmenda më lart, i cili ka cilësi të mëdha dhe të gjitha parametrat për t’u bërë lojtar serioz. Njeriu ekskluziv i agjencisë në Shqipëri është Arbër Abilaliaj. Po bisedojmë për të sjellë një sulmues kroat, që në Superiore mund të bëjë mirë.

Kjo verë ishte e dobët për klubet tona në Europë. Çfarë ju bëri përshtypje, në një kohë aktualisht vazhdojnë garën në “play off” të Ligës së Konferencës kampionët e Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut?

I kam ndjekur nga pak të gjitha. Të vjen keq kur shikon që shtete si Malta, Ishujt Faroe, Moldavia apo të tjera, kalojnë disa ture. Kur këto vende bëjnë hapa të mëdhenj me klubet e tyre në kompeticionet e UEFA-s dhe ekipet tona eliminohen që në turin e parë, tregon se puna ka qenë deri diku amatoreske te ne. Ka një problem që vetë klubet shqiptare duhet t’i bëjnë disa pyetje vetes dhe të dinë pse ndodhin këto gjëra, duke ardhur në këtë situatë. Arsyet mund të jenë të shumta, por është diçka që nuk është me realitetin tonë.

Shumica e klubeve që kanë bërë histori në futbollin shqiptar janë sot një kategori më poshtë, duke nisur nga Flamurtari, Dinamo, Skënderbeu, Apolonia, Lushnja, Tomori apo edhe Luftëtari e Elbasani, që janë në të Dytën. Ju bën përshtypje?

Kjo është e gjitha punë menaxhimi. Njeriu me pak lek mund të bëjë shumë punë, por ka edhe raste që me shumë lek, mund të prodhosh katastrofa ngaqë nuk di. Flamurtarin e kam gozhdë në zemër dhe bëhem nervoz sa herë më pyesin. Në gjithë këto klube që ju përmendët, sigurisht ka pasur njerëz të gabuar në drejtim, duke ndjekur strategji dhe koncepte të gabuara. Mund të jenë hedhur shumë para, por këto skuadra kanë rënë nga kategoria. Çdo gjë lidhet me menaxhimin e gjërave dhe në klubet tona kjo është mungesë e theksuar. Në mentalitet gjithsesi kemi probleme, por jemi ende shumë të varfër dhe larg profesionalizmit. Për shembull, a mund të bëhem unë trajner…?!

Ju ish-futbollist jeni gjithsesi, pse jo…

Jo, nuk mund të mendojmë kështu. Pse duhet të jem unë trajner? Unë bëj mirë punën e agjentit, sepse kam kualitetin e komunikimit dhe zotëroj gjashtë gjuhë të huaja. Di të shes dhe negocioj me lojtarë e klube, por pranoj që nuk e bëj dot trajnerin. Me këtë dua të them që njerëzit që menaxhojnë klubet e futbollit në Shqipëri kanë marrë mendime të gabuara në mënyrë konstante. Këtë e kam të faktuar. Duhet të jemi pozitivë, optimistë dhe të jetojmë me realitetin. Pra, gjërat që ne kemi mundësi t’i bëjmë, duke filluar nga klubet dhe deri te Kombëtarja. Në momentin që do të bëjmë këtë, edhe rruga do të jetë më e lehtë për të ecur përpara futbolli shqiptar, duke pasur progres.

OK, po nëse ju besohet një projekt serioz nga një klub shqiptar, çfarë do të bënit në këtë situatë?

Është shumë e vështirë nga kjo pozitë që jam unë sot, të lë këtë dhe të marrë atë. Unë thjesht mund të jem një këshilltar i dikujt në hije. Kështu e jap kontributin tim maksimal për t’u dhënë drejtim gjërave që të ecin mirë, vetëm kaq.

Cila ka qenë hera e fundit që keni folur me një president të Kategorisë Superiore?

Jam vetofruar te Partizani, për vetë nostalgjinë që kam për këtë klub. Unë vërtet jam nga Vlora, por jam futbollist i formuar dhe i rritur te Partizani, duke filluar nga paratërinjtë, të rinjtë dhe ekipi i parë. Kam dalë kampion me fanellën e kuqe dhe u bëra lojtar i Kombëtares me një karrierë serioze. I jam ofruar zotit Demi dhe jam i gatshëm të asistoj në menaxhimin e gjërave në klubin e Partizanit. Jam i hapur t’i këshilloj për çfarë kanë nevojë, pa asnjë lloj problemi.

Gjithsesi, për të qenë brenda aktualitetit, besoj e dini që pas humbjes në miqësoren me Bylisin, klubi i Partizanit shkarkoi trajnerin Dritan Mehmeti…

E di, por për mua është diçka normale dhe logjike, sepse Partizani është klub që ka histori dhe shumë traditë. Me këtë dua të them që nuk mund të drejtohet nga trajnerë pa eksperiencë. Nuk është çështje kualiteti trajneri, por eksperience. Pesha e këtij klubi ka një tjetër sferë dhe nuk mund të drejtohet nga ata që në trajning nuk kanë kaluar disa faza të rëndësishme.

Si e keni parë këtë periudhë Kombëtaren, pasi po diskutohet shumë se po vjen brez i talentuar lojtarësh, por që rezultatet mungojnë?

Është e kotë të flas unë si Adrian për një trajner që ka një eksperiencë shumë të madhe si Edi Reja, me mijëra ndeshje në Serinë A, duke kaluar disa prova. Mirëpo, fakti është që në tri vitet e punës së tij në Kombëtare, ne ende nuk kemi një ekip të stabilizuar. Ende nuk kemi një formacion 80 % të bërë dhe jemi gjithë kohës me një sistem loje 3-5-2, që nuk na përshtatet aspak me ata lojtarë që kemi. Domethënë, këtu është problem i madh menaxhimi i gjërave teknikisht. Po flasim për një Kombëtare shqiptare që nuk ka bërë asnjë milimetër progres dhe kjo është përgjegjësia e trajnerit. Mediat mund të kenë qenë shumë kritike ndonjëherë, por kam parë edhe ish-trajnerë që sulmojnë. Megjithatë, nuk duhet të jemi aq të ashpër, sepse në fund të fundit, ata trajnerë që flasin sot, kur kanë drejtuar Kombëtaren, kanë qenë amatorë komplet. E dinë vetë ata, por fakt është që në këto tri vite, nuk kemi as skuadër kompakte dhe as një sistem loje që funksionon. Dihet kush është fajtori, sepse problemi është teknik.

JORGIS MEMO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"