EKSKLUZIVE/ “Ja si Kombëtarja i shpëtoi virusit në Kinë”, flet ish-sulmuesi Kalluci: Trajneri sajoi një raport dhe nuk erdhi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 2, 2020 | 0:14

EKSKLUZIVE/ “Ja si Kombëtarja i shpëtoi virusit në Kinë”, flet ish-sulmuesi Kalluci: Trajneri sajoi një raport dhe nuk erdhi

Virusi Covid-19 erdhi nga Kina dhe “pushtoi” globin, duke shkaktuar deri më tani rreth 44 mijë të vdekur në mbarë botën. Në këtë moment kur të gjithë janë të ngujuar në shtëpi, ka edhe nga ata ish-futbollistë që dikur kanë vizituar Kinën dhe kujtojnë raste të ngjashme si të kohëve të sotme, kur në shtetin aziatik përhapeshin në masë viruse që merrnin jetë njerëzish.

Kombetarja ne kine

Lojtarët e Kombëtares U-21 të Shqipërisë para një ndeshjeje miqësore në Kinë gjatë vitit 1973. Në rreth ish-sulmuesi Theodhori Kalluci

Plot 47 vite më parë ishte Kombëtarja U-21 e Shqipërisë ajo që përjetoi momente tmerri pasi u gjend papritur në një moment kur një virus kishte pushtuar Kinën. Këtë e tregon sot ekskluzivisht për “Panorama Sport” ish-sulmuesi gjirokastrit i Kombëtares, Theodhori Kalluci, i cili mban titullin “Mjeshtër i Merituar i Sportit”. Në korrik të vitit 1973 ekipi Shpresa udhëtoi drejt Kinës për të bërë 7 miqësore, ku fitoi gjashtë prej tyre dhe të vetmen humbje e pësoi nga skuadra e parë e Kombëtares aziatike.

Kalluci kujton me nostalgji eksperiencën në Kinë, ku në shtatë ndeshje që u luajtën, ish-sulmuesi i Luftëtarit, Partizanit dhe Kombëtares shqiptare shënoi 7 gola. Ai tregon detaje të pathëna më parë, pikërisht sot kur si për koicidencë festoon 69-vjetorin e lindjes. “Kjo ditë konsiderohet nga populli si dita e gënjeshtrave, por unë s’kam gënjyer kurrë“, thotë fillimisht me batutë ish-sulmuesi.

Kalluci

UDHËTIMI DHE FRIKA

Nga udhëtimi me shumë peripeci drejt Kinës në verën e vitit 1973 dhe deri tek frika pas përhapjes së virusit “Hong 68”, Kalluci i tregon të gjitha. ”Ekipin tonë në Kinë e shoqëronte zv.trajneri Sabri Peqini, sepse trajneri ynë i parë, Zyber Konçi, kishte frikë fluturimin me aeroplan dhe për këtë ai sajoji një raport mjekësor, ku justifikohej se vuante nga zemra.

Me zv.trajnerin Peqini dhe punonjësin e hetuesisë, Neki Lëngo, u nisëm nga Tirana për të mbërritur fillimisht në Budapest. Në Hungari, pasi bëmë një rrugë të shkurtër me këmbë, arritëm në hotel ku kaluam natën. Për gjatë rrugës na bënin përshtypje dyqanet dhe lokalet, ndërsa shikonim njëri-tjetrin në sy dhe asnjë nuk filste. Nekiu, punonjësi i hetuesisë na tha: ‘Vetëm shikoni, se mos gënjeheni nga ndonjë gjë dhe pastaj e merrni, se do na turpëroni’.

Nga Budapesti në Moskë dhe më pas në Pekin vazhduam udhëtimin e gjatë e të lodhshëm, por njëkohësisht të bukur. Toka në shfaqej si lëmsh i zi, ndërsa drita e diellit si lëmsh i zjarrtë. Në Pekin gjetëm të famshmin profesor Loro Boriçin, i cili doli dhe na priti. Ai ndodhej në Kinë më parë nga ne, sepse ushtronte kurse trajnimi për trajnerët kinezë të futbollit”, tregon Kalluci, për të rrëfyer më pas ditët e qëndrimit në Kinë dhe përhapjen e një virusi që u mbajt i fshehtë nga delegacioni që shoqëronte Kombëtaren U-21 të Shqipërisë.

Dhori Kalluci me Shpresat

“Më kanë mbetur në mendje fjalët e punonjësit të hetuesisë, Neki Lëngo, i cili gjithmonë na thoshte: ‘Djema, çfarë shikoni dhe dëgjoni, mbajeni për vete, jo t’u thoni të tjerëve’. Mirëpo, në ditët e qëndrimit tonë në Kinë zaptoi një virus gripal. Të gjithë u frikësuam kur mësuam për këtë grip. Aty i thonin ‘Hong 68’. Menjëherë u vunë në lëvizje të gjithë njerëzit që na shoqëronin. Për të parandaluar epideminë na dhanë me detyrim një lloj çaji me esencë bimore për të bërë gargarë në gojë. Në fakt, nuk pihej, sepse ishte shumë i hidhur.

Mesa kujtoj, vetëm ish-mbrojtësi i Dinamos, Ahmet Ahmedani, nuk pranoi të përdorte çajin. Ditët kalonin, por ne nuk na thonin asnjë fjalë për virusin, edhe pse situata prevalonte për keq. Ishim të trembur, por duke qenë se luanim thuajse për ditë ndeshje, sikur e harronim. E ruaj ende si kujtim foton që kemi bërë para një prej ndeshjeve miqësore dhe me kënaqësi dua të përmend sot emrat e shokëve të skuadrës si Arben Burda, Petrit Dibra, Astrit Hafizi, Ahmet Ahmedani, Osman Kapidani, Riza Hicka, Millan Vaso, Petrit Gjoni, Namik Hysi, Suat Duraj, Leonidha Curri, Kujtim Dalipi dhe Vladimir Ajazi. Kërkoj ndjesë për ndonjë emër tjetër që kam harruar.

Seiti, Kalluci dhe Braho

Gjithashtu kujtoj që kemi pasur mjek të ekipit një emër të njohur si Mustafa Xhani. Tashmë ka më tepër informacion për viruset dhe të gjithë jemi në karantinë. Megjithatë, është tjetër virus ky që po kalojmë tani, nuk besoj se ka lidhje me atë të vitit 1973 në Kinë. Tashmë më kryesore është të përfundoj me sa më pak humbjeje jetë njerëzish kjo pandemi frikshme”, ka thënë Theodhori Kalluci.

SHQIPËRIA SI AJAKSI

“Gjatë qëndrimit në Kinë, unë kam shënuar 7 gola, nga një për çdo ndeshje miqësore që zhvilluam. Fillimisht zhvilluam katër takime me Kombëtaren kineze, ndërsa më pas me ekipin e Pekinit, Jen Nanit, si dhe Shpresa e Kinës. Vetëm një takim kemi humbur 5-2, atë me Kombëtaren kineze. Fituam me Shpresën kineze 2-1, si dhe një skuadër që përfaqësonte Shangain, 4-1.

Katër golat e këtij takimi ishin njëri më i bukur se tjetri. Loja jonë la mbresa te kinezët, saqë tifozët brohoritë: ‘Ajaks, Ajaks”, duke na krahasuar ato vite me klubin holandez që po shkëlqente në arenën ndërkombtare. Në qytetin e Jen Nanit, ku kishte lindur udhëheqësi kinez Mao Ce Dun, kur u futëm në menzë, nuk kishim çfarë të hanim. Atje nuk njihej as buka dhe as mishi. Kishte vetëm pilaf dhe dy shkopinj për të ngrënë.

Kemi udhëtuar 17 orë për të shkuar në Can Cun, ku dhe hëngrëm. Kur kishim përfunduar një ndeshje futbolli, në Can Cun njerëzit festonin dhe ne u bëmë kuriozë. Mirëpo, aty mësuam se kishte përfunduar me sukses punimet Kongresi i Dhjetë i Partisë Komuniste Kineze”, tregon ish-sulmuesi.

PROPOZIMI PËR KAMPIONATIN

Në fund ish-sulmuesi i Luftëtarit dhe Partizanit jep një propozim edhe për vazhdimësinë e garës në Shqipëri. “Në kohëm dhe momentin e duhur duhet të flitet për futbollin. Personalisht jam i mendimit se në rast zgjatjeje të koronavirusit, kampionati të ndërpritet këtu ku ka stacionuar.

Gjithçka të nisë nga e para sezonin tjetër. Mos të bierë asnjë ekip, pasi si Luftëtarin dhe Flamurtarin matematika i lejon të besojnë. Të futen në Superligë dy skuadrat që udhëheqin garën në dy grupet e Kategorisë së Parë. Për Federatën është koha dhe momenti i duhur për të shtuar numrin e skuadrave në Superiore. Ky është thjesht mendimi im“, përfundoi legjenda e futbollit gjirokastrit.

TOMOR SHEHU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"