Ekskluzive/ Iuliano: Çani dhe Sukaj mund të luajnë bashkë, Partizani për titull

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 15, 2017 | 12:31

Ekskluzive/ Iuliano: Çani dhe Sukaj mund të luajnë bashkë, Partizani për titull

Dikur luftonte kundër disa përbindëshave të sul mit si Ronaldo, Shevçenko, Vieri etj., ndërsa sot është trajner i Partizanit. Goxha ndryshim për një si Mark Iuliano që ka shkruar një copë të historisë me Juventusin.

nuovo.archivio.foto.iuliano.ronaldo.rigore.538x358

“Unë jam ndër ata që cilësinë më të mirë kam vullnetin për punë. Nuk kam qenë fenomenal, por kam punuar shumë. Kështu është edhe Partizani im, ose më saktë kështu do të përpiqem të jetë ai në të ardhmen”, thotë trajneri italian i “demave”.

Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, ai u jep përgjigje edhe disa pyetje që shumë tifozë të Partizanit sot kanë nisur t’i bëjnë në kokën e tyre.

iuliano

“A është skuadra e kompletuar, a mund të luajë Çani me Sukajn bashkë, por mbrojtja si do të jetë…?” Për të gjitha këto, Iuliano e ka një përgjigje, madje nuk harron t’i çojë një mesazh edhe Ze Marias te Tirana, për të cilin thotë se pas derbit Juve-Inter tani do të donte ta sfidonte në derbin e madh të Shqipërisë. Por, së pari, i uron trajnerit brazilian që të ngjiten sa më shpejt në Superiore.

Përshëndetje mister, si jeni?

Jam mirë. Nuk e kisha menduar se do të ndihesha kaq mirë te klubi im i ri.

E thoni për mirësjellje, apo jeni realisht i surprizuar?

Nuk jam tip që bëj lajka. Mua më pëlqen Partizani, shumë madje. Shoh njerëz të përkushtuar dhe mbi të gjitha shoh një dëshirë të madhe për t’i bërë gjërat si duhet.

Pak ditë më parë festuat ditëlindjen, a e kishit menduar ndonjëherë më parë se 44 vjeç do të ishit trajner i Partizanit në Shqipëri?

Asnjëherë. Por jeta kështu është. Për më tepër futbolli është një profil që ka gjithnjë të papritura, jo vetëm kur je lojtar, por edhe trajner. Futbolli i tillë është.

Ç’përshtypje ju ka lënë Partizani deri tani?

Jam shumë i kënaqur. Kam gjetur një ambient ku punohet me seriozitet të madh dhe mbi të gjitha ka një uri të madhe për të mësuar sa më shpejt. Më kënaq pa masë kjo gjë. Natyrisht, jemi lodhur shumë gjatë kësaj periudhe, sidomos lojtarët, por mendoj se ia vlen e gjithë kjo sakrificë.

Partizani stervitje

Çfarë keni ndryshuar te lojtarët?

Po bëjnë disa gjëra specifike në stërvitje, të cilat nuk i kishin bërë më parë. Janë shumë të lodhshme dhe po sakrifikohet shumë, por ama ia vlen. Më lumturon fakti që askush nuk dorëzohet dhe të gjithë kërkojnë të bëjnë me përpikëri detyrat që u jap.

A ka ndonjë mbrojtës aty që ju ngjason sadopak për cilësitë që shfaq në fushë?

Mendoj se kemi një grup të kompletuar lojtarësh dhe deri tani është bërë një punë e madhe që nga portierët deri te sulmuesit. Shoh që mbrojtësit deri tani kanë punuar fort dhe kanë mundësi që të bëjnë akoma më mirë.

A jeni gati për aventurën e re?

Ne po punojmë që të jemi gati. Qëllimi është të marrim maksimumin nga ky sezon. Kjo skuadër është ndërtuar vetëm për vendin e parë.

Ndalemi pak këtu, e dini besoj që Partizani nuk fiton titullin prej vitit 1993…

Po, e di, por nuk më tremb ky fakt. E di gjithashtu se do të jetë një konkurrencë e pamëshirshme për titullin kampion, por ne do të jemi aty dhe do të luftojmë me të gjitha forcat.

A e keni skuadrën gati, apo duhen blerje të tjera?

Mendoj se kemi një skuadër të kompletuar dhe për këtë dua të falënderoj në mënyrë të veçantë presidentin Gaz Demi. Ka bërë një sakrificë të jashtëzakonshme këtë vit me qëllimin e vetëm për titullin kampion. Kemi afruar lojtarë të rëndësishëm falë mbështetjes së presidentit dhe mendoj se ai ka një meritë të madhe në rrugën që po nis Partizani i sezonit të ardhshëm.

Partizani

Dakord, por keni bërë shumë ndryshime në skuadër dhe kjo mund të jetë e rrezikshme, pasi lojtarët duan kohë të ambientohen…

Nuk shoh ndonjë problem në këtë aspekt. Kemi mjaftueshëm kohë që të punojmë së bashku dhe ekipi të konsolidohet.

Partizani ka bërë investime të rëndësishme edhe në të kaluarën, por nuk e ka fituar dot titullin. Duhen dy juventinë si ju dhe Moxhi që të mund të shpresojnë tifozët?

(Qesh) Ndoshta… Në fakt, unë mendoj se objektivat arrihen duke qenë seriozë në punën që bëjmë, duke qenë konstantë dhe të duruar. Duhet qetësi dhe vetëbesim për të kaluar edhe ndonjë pengesë që mund të haset gjatë rrugës. Ekipet fituese këtu e bëjnë diferencën, te detajet.

Keni marrë Edgar Çanin dhe sot ai është më i paguari në futbollin shqiptar. A mund ta vërë në presion ky fakt lojtarin dhe ta pengojë atë që të japë më të mirën?

Nuk besoj se Çani vihet nën presion. Ka mentalitetin e duhur dhe aftësitë për të treguar se është një nga më të mirët. Pastaj, sa për komentet që bëhen në opinion dhe nga tifozët, nuk më intereson. Mjafton që Çani të mund të bëjë detyrën e tij dhe po ju them me bindje se deri tani ka qenë i shkëlqyer.

Në ç’kuptim ka qenë i shkëlqyer?

Është i pari në çdo ushtrim. Është më i disponueshmi për të bashkëpunuar dhe merr përgjegjësi gjithnjë e më shumë. Ky është karakteri i duhur për të arritur gjëra të mëdha.

A mund të bëhet Çani lideri i Partizanit të ri?

Pse jo, ai ka cilësi të shkëlqyera.

A mund të luajë Çani me Sukajn të dy titullarë?

Shikoni, ne jemi në punë e sipër. Ende nuk kemi përcaktuar se si mund të luajmë gjatë sezonit. Po studiojmë mënyrat e duhura që t’u marrim maksimumin lojtarëve. Por, nga eksperienca ime, po ju them se lojtarët e mirë mund të luajnë edhe bashkë, sepse lojtarët e mirë dinë të sakrifikojnë për skuadrën dhe t’i shërbejnë qëllimit të përbashkët të grupit. Sukaj dhe Çani kanë cilësi të ngjashme, por ne do të shohim se si do të veprojmë në të ardhmen.

Juliano

Pse keni kaq besim se do të mund të fitoni titullin këtë sezon?

Së pari, kam besim është shpenzuar shumë për këtë skuadër dhe cilësitë e lojtarëve janë vërtet të mëdha. Së dyti, ka një klimë që e rrethon skuadrën, e cila realisht më pëlqen. Së treti, kjo skuadër ka traditën, ka emrin e madh dhe pa dyshim ka edhe mijëra tifozë që e mbështesin. Nuk kam arsye pse të mos jem optimist.

Iuliano dhe Cani

Dakord, por ama ju nuk e njihni mirë futbollin shqiptar dhe aq më pak mentalitetin shqiptar…

Nuk është e vërtetë që nuk e njoh futbollin shqiptar. Kam marrë informacionet e duhura dhe jam gjithnjë në përditësim. Gabohet kush mendon se unë nuk e njoh futbollin shqiptar dhe gabohet rëndë ai që mendon se unë nuk njoh mentalitetin shqiptar…

Si e njihni mentalitetin shqiptar?

Sepse ka më shumë shqiptarë në Itali sesa në Tiranë… (qesh) Kam vërtet shumë miq shqiptarë, madje kam vite që i njoh.

Tare drejtor

Kur ishit futbollist, cilin lojtar shqiptar mbani mend?

Igli Taren. Jam ndeshur aq shumë herë me të, saqë nga fundi u bëmë miq. Madje, kur isha në negociata me Partizanin, ai më tha se kisha bërë një zgjedhje të shkëlqyer. Ishte i pari gjithashtu që më telefonoi pasi u zyrtarizua marrëveshja. Igli ka qenë një futbollist i fortë dhe tani është bërë një menaxher i zoti. Kam respekt të veçantë për të.

Të dielën Igli i rrëmbeu Juves Superkupën me Lacion, a të erdhi keq?

Oh, po. Shumë. Mendova se Juvja do e çonte në shtesë, por Lacio e meritoi plotësisht.

A ju vjen keq që nuk do të keni një derbi tjetër me Ze Marian, duke qenë se e keni pasur një të tillë kur ju luanit për Juven dhe ai për Interin?

Po, më vjen keq. Derbi është një ngjarje e rëndësishme për një qytet dhe i dhuron atij emocione të forta. Është humbje për futbollin shqiptar që Partizani nuk do të ndeshet me Tiranën këtë sezon.

Iuliano

Unë gjithashtu do të kisha dashur të sfidoja Ze Marian në stol, do të ishte një duel interesant. Megjithatë, i uroj Tiranës dhe Ze Marias që të kthehen sa më shpejt në Superiore, sepse futbolli shqiptar e ka të nevojshme këtë.

Kush ju tremb më shumë, Skënderbeu apo Kukësi në luftën për titull?

Së pari, po ju them nuk kam pasur ndonjëherë frikë në futboll. Kurrë. Kam mësuar t’i respektoj kundërshtarët dhe e pranoj se do të jetë një luftë e gjatë dhe e vështirë drejt objektivit tonë madhor.

Por Partizani ka investuar shumë që të ketë një grup të denjë të luftojë për titullin dhe të jeni të bindur se kjo skuadër do të bëjë gjithçka për t’ia dalë. Rivalët kanë punën e tyre, por verdiktet do t’i japë fusha.

JETMIR HALILAJ

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"