EKSKLUZIVE/ Ishte pranë pankinës së Skënderbeut, Magani rikthehet te skuadra e…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 4, 2022 | 21:44

EKSKLUZIVE/ Ishte pranë pankinës së Skënderbeut, Magani rikthehet te skuadra e…

Ndryshime te Besa, largohet Dorjan Bubeqi. Trajnerit i skadoi kontrata dhe nuk ka rinovuar, ndaj Nexhat Bizhdili ka nxituar për të gjetur pasardhësin.

MAGANI

Një njohje e vjetër e kavajasve ka pranuar ofertën e presidentit. Bëhet fjalë për Gugash Maganin, që merr për të tretën herë drejtimin e kavajasve.

Në “timon” do të jetë ai, ndërsa në krah do të ketë të zakonshmin Klodjan Dervishi. Lajmin e ka konfirmuar vetë kreu i klubit, që njofton lëvizjen e parë për sezonin 2022-2023.

KONFIRMIMI

Tjetër kthesë mori e ardhmja e peqinasit, që ishte aq pranë marrëveshjes me Skënderbeun. Duket se marrëdhëniet e mira me Xhatin kanë bërë që tekniku të thotë “po”.

“Gjithnjë e kam thënë se në Kavajë kam dëshirë të drejtoj për vetë njohjet miqësore që kam, ambientin dashamirës e mikpritës. Kam luajtur për Besën, me këtë ekip që ka bërë histori”, tha fillimisht Magani për “Panorama Sport”.

KUSHTET

Ka rënë parimisht dakord, por i ka vënë presidentit dy kushte të panegociueshme. Kërkon që të rindërtohet një ekip që t’i bëjë ballë rivalitetit të madh dhe me urgjencë të gjendet një zgjidhje për stadiumin.

“Biseduam gjerë e gjatë me Xhatin, pasi e kam mik. Siç e dini, nuk është hera e parë që bashkëpunojmë me të te Besa.

Ramë dakord në parim që të marr drejtimin e Besës, por i vendosa dy kushtet e mia.

Të gjithë e dinë se do të jetë një kampionat që do ta quaja me bindje si Superiorja 2, nisur nga ekipet pjesëmarrëse me plot trofe superiorë e kupa, sikurse janë Skënderbeu, Dinamo, Flamurtari, Apolonia, Lushnja e të tjera.

Që do të thotë se Besa e vjetshme me djem të rinj nuk mund të jetë ekipi që dua të stërvis. Prandaj i vura kusht presidentit që merkatoja e pragsezonit të afrojë futbollistë me përvojë dhe me ambicie e ego për të ardhmen e tyre.

Së dyti, i kërkova të bëjë maksimumin e tij që bashkë me bashkinë, FSHF-në dhe qeverinë të nisë urgjent puna në stadiumin ‘Besa’.

Është normale që javët e para do t’i luajmë jashtë, por nëse Xhati ka synim Besën në Superiore, nuk mund të bredhim fushë më fushë.

Këtë folëm gjerë e gjatë me presidentin dhe ramë dakord që unë t’i japë OK-in për të marrë stolin e Besës dhe ai të plotësojë aq sa varet nga ai 2 kushtet e mia”, përfundoi Gugash Magani.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"